
Prej disa javësh, Franca po përballet me protesta të fuqishme të nxënësve të shkollave të mesme, të cilët kërkojnë më shumë financim për arsimin, më shumë mësues dhe staf, si dhe përmirësimin e kushteve në shkolla.
Protestat janë përhapur në dhjetëra qytete. Vetëm të martën, sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 250 mijë persona dolën në rrugë, ndërsa sindikatat pretendojnë shifra edhe më të larta.
Nxënësit ankohen për godina të amortizuara, klasa të mbipopulluara, mungesë mësuesish, orare të ngarkuara dhe financim të pamjaftueshëm. Një pjesë e tyre kërkon gjithashtu heqjen e platformave shtetërore të pranimit në universitete, të cilat i konsiderojnë tepër selektive.
Protestat kanë paralizuar qindra shkolla. Qeveria raportoi rreth 900 shkolla të mbyllura të martën, ndërsa një sindikatë studentore pretendoi se numri kishte arritur në 1,800, afërsisht gjysmën e gjimnazeve të vendit.
Situata është përshkallëzuar edhe në dhunë. Sipas autoriteteve franceze, në pak më shumë se dy javë janë arrestuar mbi 6,500 persona, shumica të mitur. Më shumë se 750 policë dhe rreth 400 nxënës e punonjës të shkollave janë plagosur.
Të paktën 24 shkolla janë vandalizuar ose u është vënë zjarri. Në disa protesta janë përdorur fishekzjarrë të fuqishëm dhe janë sulmuar godina publike, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe granata trullosëse. Amnesty International ka kritikuar përdorimin e këtyre mjeteve ndaj të miturve.
Qeveria ka dënuar dhunën, por njëkohësisht ka pranuar se një pjesë e kërkesave të nxënësve janë legjitime.
Ministri i Arsimit ka tërhequr tashmë një plan për rritjen e disa tarifave të arsimit të lartë dhe ka premtuar masa për mungesën e mësuesve dhe për përfshirjen më të madhe të nxënësve në vendimmarrjen e shkollave.
Kryeministri Sébastien Lecornu ka vendosur që mësimi i zakonshëm të pezullohet të enjten dhe të premten, në mënyrë që drejtuesit e shkollave të zhvillojnë diskutime me nxënësit.
Megjithatë, organizatorët e protestave thonë se lëvizja do të vazhdojë derisa kërkesat e tyre të plotësohen.
Protestat zhvillohen në një moment politik delikat për Francën, teksa qeveria përpiqet të miratojë një buxhet shtrëngues për vitin 2027 dhe vendi po i afrohet zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Për këtë arsye, revolta e gjimnazistëve është kthyer tashmë nga një protestë për kushtet në shkolla në një debat më të gjerë politik mbi gjendjen e arsimit publik dhe drejtimin e vendit. /Përshtatur nga BBC, ©LAPSI.AL