
Ka kohë tashmë që kur Edi Rama flet me deputetët e Partisë Socialiste nuk dëgjohet as miza. Brezi i ri deputetëve nuk e konceptojnë dot të ngrenë një shqetësim apo të hedhin për diskutim një ide ndryshe. Është në bindjen e tyre më të thellë urdhri se kur flet shefi, këta duhet të mbajnë shënime, të pohojnë me kokë dhe të memorizojnë çdo detaj nga vija e partisë.
Por me këtë trend nuk po përshtatet dot Erjon Braçe. Siç duket ky refuzon ta pranojë realitetin; edhe ai si gjithë të tjerët, është thjesht një ushtar më shumë në garnizonin e Edi Ramës.
Herë pas here, Braçe ankohet në publik, ngre zërin për ndonjë problem të dorës së dytë apo shpall kandidatura të pakonsultura, sa për t’ dhënë kuptim disi ekzistencës së tij në politikë.
Kështu ndodhi edhe në mbledhjen e grupit këtë të premte, kur Erjon Braçe u ankua për një moskoordinim gjatë votimit në parlament për emrin e kryetarit të Komisionitt ë Prokurimeve Publike.
Siç raportoi Lapsi.al një ditë më parë në seancën parlamentare, grupi parlamentar i PS pati një moment amullie si pasojë e përplasjes mes Bledi Çuçit dhe Ulsi Manjës, të cilët kishin secili propozimin e tyre për kreun e KPP. U desh ndërhyrja e Edi Ramës që t’i jepte përparësi kandidatit të Ulsi Manjës, pasi kishte "kthjelluar" Bledi Çuçin në një takim kokë më kokë.
Braçe e ngriti shqetësimin e tij si një fenomen problematik në parlament, ku grupit parlamentar i vijnë emra për t’u votuar, pa u diskutuar më parë, pa u prezantuar, pa ia njohur meritat apo qofte edhe kontributin në parti apo në ekspertizën e tyre.
Mes tyre ai ngriti si shqetësim historine e një antareje të propozuar pak kohë më parë për në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, që rezultoi se ishte bashkëshortje e një prej emrave të tjerë që ishin votuar nga parlamenti. Shqetësimin, Braçe e përcolli edhe për komisione dhe borde të tjera, ku ndodh e njëjta gjë; vijnë emra direktpër votim pa u njohur më parë nga grupi parlamentar.
Në fillim, Rama ndërhyri qetë duke i thënë Erjon Braçes se ai ua kishte lënë në përgjegjesinë e deputetëve që të merren me emërime të këtij niveli dhe nuk kishte ndërhyrë në punën e tyre.
Por kjo përgjigje nuk e kënaqi deputetin e Tiranës. Braçe vazhdoi duke folur më tej, duke u ankuar sërish për këtë çështje, deri kur Edi Ramës, që është mësuar të rrethohet vetëm nga punonjës të kurdisur për t'i thënë "po po po" nuk i mbajtën më nervat.
“Boll se ngelëm duke të të përkëdhelur ty” ishte përgjigjia e shkurtër por e ashpër, që erdhi Braçes në formë hakërrimi.
Një përgjigje që e preu në mes diskutimin aty për aty, duke mos lënë asnjë shteg për fjalë të mëtejshme. Një episod aspak i përshtatshëm në ditën kur Edi Rama shpali filozofinë e re të empatisë ndaj qytetarëve, empatisë ndaj flamingove, empatisë ndaj njerëzve dhe ndaj natyrës. Aq shumë empati për popullin, sa kryeministrit nuk i ka mbetur më asnjë pikë empatie për deputetin më të vjetër në Partinë Socialiste.
