Flash

Micotakis përsërit kushtet e mbështetjes së Greqisë për Shqipërinë

Lapsi.al 18 December 2024
Micotakis përsërit kushtet e mbështetjes së Greqisë

Greqia do ta mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj dhjetëvjeçare për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por me kusht që ajo t’i respektojë të drejtat e pakicës greke në vend, tha të mërkurën kryeministri Kyriakos Mitsotakis, raporton Reuters.

Marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës u përkeqësuan pasi Shqipëria e arrestoi politikanin e pakicës greke, Alfred Beleri, gjatë një fushate për zgjedhjet lokale në qytetin e tij të Himarës vitin e kaluar dhe e burgosi atë për blerje votash.

Beleri u lirua këtë vit pasi fitoi një vend në Parlamentin Evropian si kandidat i partisë konservatore të Mitsotakisit, Demokracia e Re.

Duke folur në nënshkrimin e një kontrate për një rrugë të re që lidh qytetin veriperëndimor grek të Janinës me fshatin shqiptar Kakavijë, Mitsotakis tha se Greqia gjithmonë ka ruajtur marrëdhënie të mira me fqinjën e saj në Adriatik.

Por, mbështetja e saj për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në BE varet nga shpejtësia e përmbushjes së detyrimeve të kahershme që lidhen me pronësinë dhe të drejtat e tjera të pakicës greke në Shqipëri, e cila është më e madhja në vend.

“Ekziston një rrugë e vazhdueshme e kushteve drejt Bashkimit Evropian, ku ne jemi në thelb rregullatorët e shpejtësisë me të cilën Shqipëria do të ecë drejt Evropës”, tha Mitsotakis para se të udhëtonte për në Bruksel për samitin BE-Ballkan Perëndimor.

Shqipërisë, së bashku me Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, u është premtuar anëtarësimi në BE vite më parë dhe ato janë në bisedime me BE-në për mënyrën se si të përshpejtojnë reformat e nevojshme, të cilat do t’i ndihmojnë përfundimisht të bëhen pjesë e bllokut me 27 vende.

Por, procesi ka ngecur, kryesisht për shkak të përparimit të ngadaltë në reforma dhe gjithashtu për shkak të mungesës së dëshirës nga shtetet anëtare të BE-së për zgjerim të mëtejshëm.

Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian në tetor, 15 vjet pasi kishte aplikuar për anëtarësim.

Ndërkohë, të mërkurën, pas një takimi me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në Athinë, ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, tha se Greqia gjithashtu mbështet përpjekjet e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE.

“Anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri gjeopolitike”, tha Gerapetritis./REL/

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet protesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI