Lajmi se Oscar Pistorius, ish-kampioni paralimpik që ka kaluar 9 vjet në burg për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Reeva Steenkamp, dhe është në lirim me kusht që nga janari, ka një të dashur të re – që ngjan shumë me modelen e vrarë nga Pistorius më 14 shkurt të vitit 2013 – ka shkaktuar reagime të forta nga familja e Reeva. Nëna e saj e ka paralajmëruar të dashurën e re të Pistorius, Rita Greyling, se “vrasësi i vajzës së saj ende ka probleme me zemërimin”, ndërsa motra e Steenkamp ka qenë edhe më e ashpër ndaj Pistorius: “A është kaq i sëmurë sa të kërkojë një kopje të Reeva? Më duket se pas vrasjes së Reeva, ai donte ta zëvendësonte me dikë tjetër”. E pastaj, duke iu drejtuar të dashurës së re të Pistorius: “Mos është çmendur? Si mund të mbyllësh sytë natën dhe të flesh me një burrë që ka shtënë katër plumba që kanë dëmtuar trupin e një gruaje që ai thoshte se e donte?”.
Pistorius – që nga dita kur është liruar ka kërkuar të mos duket shumë dhe jeton në një vilë të mbrojtur të xhaxhait të tij, Arnold – është parë kohët e fundit me Ritan Greyling, vajzën e një fermeri shumë të pasur, dhe disa miq të ngushtë kanë deklaruar se lidhja mes tyre ka filluar tre muaj më parë. Ngjashmëria e të dashurës së re me Reeva është në fakt e dukshme.
Lexo më tej: Vrau të fejuarën me shotgun për Shën Valentin: ish-atleti paralimpik Pistorius lëshohet pas 9 vitesh burg
Simone Steenkamp, motra e madhe e Reeva, ka qarë kur ka lexuar lajmin për Pistorius, i cili jo vetëm ka nisur të rindërtojë jetën e tij, por gjithashtu ka gjetur një grua të re pas vetëm nëntë vjetësh në burg. Familja e Reeva nuk ka besuar kurrë versionin e ish-atletit, i cili ka thënë gjithmonë se është zgjuar në mëngjes duke menduar se një hajdut po hynte në shtëpi, pa ditur se e dashura e tij ishte në banjë. E vërteta në gjyq është vendosur ndryshe, duke e cilësuar si një vrasje: Pistorius, në kulmin e një grindjeje për xhelozi, ka qëlluar vajzën përmes derës së banjës, duke e vrarë me vetëdije.
Motra e ish-dashurës së vrarë: “Si mund të mbyllësh sytë natën?”
“Shikoj fotot e kësaj gruaje dhe tani më vijnë dridhura – ka thënë Simone për Daily Mail nga shtëpia e saj në Port Elizabeth, Afrikën e Jugut –. Ajo që më trishton është që ngjan kaq shumë me Reevan time. Ka të njëjtin trup, të njëjtën fytyrë dhe të njëjtët flokë, madje edhe të njëjtat sy. A është kaq i sëmurë sa të kërkojë një kopje të saj? Më duket se pas vrasjes së Reeva, ai donte ta zëvendësonte me një tjetër? Pyes veten si mund një grua të mbyllë sytë natën dhe të flejë me një burrë që ka shtënë katër plumba që kanë dëmtuar trupin e një gruaje që ai thoshte se e donte. Ata plumba ishin Black Talon, të cilët janë të paligjshëm për përdorim në kafshë, por ai ka shtënë një në kokën e Reeva dhe tre të tjerë në trupin e saj, duke bërë gjëra të tmerrshme. Si mund ta përqafojë një grua një burrë që e di që ka atë kafshë të fshehur brenda vetes?”
“Kjo më tregon edhe më shumë se ai nuk ka pendim për atë që i bëri Reeva – vazhdoi motra e modeles së vrarë nga Pistorius –. Reeva ishte e magjepsur nga Oscar për tre muajt e parë dhe padyshim që e njëjta gjë ka ndodhur edhe me këtë grua, por më pas ai bëhet gjithnjë e më autoritar. Ai u bë shumë posesiv dhe Reeva donte të largohej, por Oscar nuk e lejoi. Unë gjithmonë do të jem e bindur që atë natë ajo e mbylli lidhjen dhe ai humbi kontrollin. Nëse nuk mund ta kishte më, askush nuk mund ta kishte, prandaj mori armën dhe e qëlloi. E vrau. Ata ishin plumba specialë që shpërthenin kur preknin trupin e njeriut.”
Këshilla për të dashurën e re të Pistorius: “Fli me një sy hapur”
Më pas ka ardhur paralajmërimi për Rita Greyling: “Kjo grua e re e di që një gjykatës e ka shpallur fajtor për vrasje, që do të thotë se duhet ta dijë se ai ka qenë i aftë të bëjë një gjë të tillë ndaj një gruaje, por ajo fle me të? Nuk kam asgjë kundër saj, por do ta paralajmëroj të flejë me një sy hapur. Ai ka brenda vetes mundësinë për të bërë përsëri atë që ka bërë me Reeva dhe nuk dua që kjo të përsëritet. Do të ketë gjithmonë probleme me zemërimin dhe deri diku mund ta kuptoj, pasi ka pasur një fëmijëri shumë të vështirë: i kanë amputuar këmbët që kur ka lindur dhe nëna e tij ka vdekur kur ai ishte 15 vjeç. Babai i tij vdiq dhe ai u shpërngul te xhaxhai, kështu që jeta ka qenë e vështirë për të dhe e kuptoj, por fatkeqësisht zemërimi që ka brenda tij ka shpërthyer dhe ka çuar në një vrasje. E di që si pjesë e lirisë së tij me kusht duhet të ndjekë kurse për menaxhimin e zemërimit dhe për dhunën ndaj grave, por për sa më përket, ai gjithmonë do ta ketë brenda vetes. Jam shumë e tronditur që ai ka zgjedhur një grua që ngjan kaq shumë me Reeva-n time. Nuk mund të mos mendoj se pasi e zhduku një Reeva, mori një tjetër.”
Kush është Pistorius dhe e dashura e tij Rita?
Pistorius u lirua në një valë polemikash më 5 janar, kur iu dha liria me kusht. I njohur si atleti i parë që fitoi një medalje në një garë botërore me atletë të rregullt (argjendi në stafeten 4×400 në Kampionatet Botërore të Taegu në 2011), ai nuk ka pushuar kurrë së thëni se e ka vrarë aksidentalisht 29-vjeçaren Reeva. Tani, në moshën 38 vjeç, po përpiqet të rindërtojë jetën e tij, jeton në një shtëpi të vogël në oborrin e vilës së xhaxhait të tij të pasur Arnold, e cila është e mbrojtur nga roje private, dhe ka një lidhje stabile prej disa muajsh me 33-vjeçaren Rita.
Ajo është një këshilltare e suksesshme biznesi, vajza e një fermeri të pasur dhe të njohur, BP Greyling, një nga figurat më të rëndësishme të botës së bujqësisë në Afrikën e Jugut, si dhe një mikeshë e vjetër e familjes. Një burim pranë Pistorius ka deklaruar: “Ai po përpiqet të rindërtojë jetën e tij në mënyrë diskrete, duke shmangur bare dhe restorante dhe duke qëndruar larg publikut, kalon pa u vënë re. Ai po përpiqet ngadalë të ribashkohet me shoqërinë, por e bën këtë përmes familjeve me të cilat është i lidhur për dekada.”