[audio mp3="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2024/11/Salianji-Meta-burg-Opozita-kthehet-ne-Kuvend-enhanced.mp3"][/audio]
Ndërsa Ervin Salianji po ndiqte rutinën e përditshme në një nga qelitë e burgut të Fierit, ish-kolegët e tij deputetë, të akomoduar në një nga sallat e mbledhjeve të selisë blu, ranë dakort që protestat për të ishin të mjaftueshme dhe se tani erdhi koha t'i rikthehen punimeve normale në parlament.
Vendimi është një hap pas për opozitën, por Gazment Bardhi tha se janë shumë të rëndësishme diskutimet për buxhetin e shtetit, sepse Edi Rama kërkon t'ia kalojë paratë oligarkëve dhe deputetët e opozitës do ta ndalojnë që t'ia rikthejnë paratë qytetarëve.
"Këtë rol mund ta luajnë vetëm deputetët e opozitës" u shpreh Bardhi para gazetarëve.
Vendimi i rikthimit në parlament u paralajmërua një ditë më parë në konferencë nga Sali Berisha. Kur shpjegoi kërkesën për projektligjin e minimumit jetik 200 euro ai tha se "Ky është ligji i të gjitha ligjeve që ne do mbrojmë në parlament".
"Mosbindjes civile" për një muaj
Protesta e parë pas arrestimit të Salianjit u caktua në datën 7 tetor. Sali Berisha e shpalli deputetin të burgosur politik dhe e quajti të padrejtë arrestimin e "një politikani që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur kurrë në dorë fonde publike apo qeveritar".
Dënimin me burg, kreu i PD e konsideroi një "deklaratë lufte" që duhej ta kalonte opozitën në sulm. Në fjalimin e datës 29 shtator, Berisha i ra borive të betejës dhe kërkoi ngriti pyetjen, se kur arrestohet deputeti "kush do i mbrojë qytetarët, kush do i mbrojë fëmijët etyre, kush do jetë avokati i aspiratave të tyre, kush do përballet publikisht me trafikantët, me gjobëvënësit, me kriminelët?"
Lexo më tej: Opozita në protestë pas burgosjes së Salianjit/ Berisha: Rama, deklaratë lufte!
Lexo më tej: Pamjet e protestës/ Paralizohet Tirana për disa orë, selia e PS në flakë
Të nesërmen, deputetët e Partisë Demokratike morën karriget e parlamentit dhe i dogjën në mënyrë demonstrative në oborrin e institucionit. Një pjesë e tyre u dënuan me gjobë.
Mbrëmjen e protestës, në 7 Tetor, qarkullimi i makinave në kryeqytet u paralizua për disa orë. Protestuesit lëvizën nga kryeministria tek selia e PS, bashkia e Tiranës, ministria e brendshme dhe në fund tek parlamenti. Shishe me benzinë u hodhën drejt selisë së PS dhe godinave të ministrive. Pasi protestuesit u shpërndanë, policia nisi arrestimet e tyre.
Për seancën e 17 tetorit, parlamenti ishte blinduar nga forcat e gardës. Të përjashtuarit duheshin mbajtur jashtë sallës. Në oborr hynë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për t'i ndalur. Ky ishte një precedent pasi gjithnjë situatën e kishte menaxhuar garda.
E vetmja "mosbindje" që bëri opozita atë ditë ishte veprimi i deputetes Elda Hoti që hodhi një shishe parfum në sallën e parlamentit. Disa ditë më vonë ajo u thirr në SPAK.
Protesta e dytë e mosbindjes civile u thirr në 29 tetor. Mbështetës të opozitës mbajtën të bllokuar disa kryqëzime në të gjithë vendin për gati 3 orë. Policia tentoi t'i shpërndajë disa herë. Pas protestës pati disa të arrestuar.
Burgosja e Ilir Metës
Ndërsa protestonte për Ervin Salianjin, opozita humbi edhe një tjetër nga radhët e saj, kreun e PL, Ilir Metën. Forcat speciale rrethuan mjetin e tij tek mbikalimi i Kamzës në datën 21 tetor. Meta u mor me dhunë nga makina dhe u dërgua në qelitë e paraburgimit për disa akuza nga SPAK. Pamjet e arrestimi u shpërndanë në media brenda të njëjtës ditë.
Berisha e konsideroi edhe Metën të burgosur politik duke akuzuar Edi Ramën për rrëmbimin e tij.
Por gati dy javë pas arrestimit të Ilir Metës dhe një muaj pas burgosjes së Salianjit, opozita vendos t'i rikthehet normalitetit të punimeve në parlament, me arsyetimin se do të parandalojë vjedhjen e parasë publike nga Rama dhe oligarkët e tij. Vetëm se ky është një normalitet i rremë, që nuk bind. Sepse s'mund të mbrojë dot qytetarët nga vjedhja, një opozitë që nuk mbron dot as deputetët e saj./Lapsi.al