Pak ditë më parë Andi Bushati botoi një opinion në Lapsi.al, që është në linjë me qëndrimin editorial të kësaj medie, ku mundohej të argumentonte se roli i tanishëm i SPAK, po shërben për të forcuar edhe më regjimin autokratik të Ramës. Tezat e këtij shkrimi pretendonin se nga njëra anë, SPAK po burgoste liderët kryesorë të opozitës, duke e çuar Ramën drejt zgjedhjeve të majit 2025 paraktikisht pa rivalë dhe duke i garantuar atij një rezultat aq të thellë, të mjaftueshëm sa për të ndryshuar kushtetutën dhe për ta qepur atë si kostum me porosi të dëshirave të veta.
Nga ana tjetër duke mos hetuar fare krimet elektorale të këtyre dhjetë vjetëve, ai po linte mundësinë që e njëjta skemë të përsëritej sërish duke penguar edhe partitë e reja të krijonin një opozitë të një lloji tjetër, sepse kjo nuk mund të ndodhë aty ku gara është e manipuluar dhe e blerë. Pra paradoksi që vinte në dukje artikulli qe: u ngrit një institucion për të luftuar pandëshkueshmërinë, që po prodhon një kryehajdut të pandëshkueshëm dhe më të fuqishëm.
Nisur nga frika se ky skenar që ka shumë gjasa të ndodhë dhe falë ndërhyrjes ose jo të drejtësisë në garë, në formë provokative, Bushati i hidhte dorashkën atyre opinionistëve dhe veprimtarëve të partive të reja, që me qëndrimet e tyre mbështetëse ndaj SPAK po punojnë për të forcuar autokracinë: A do kërkoni ju falje nëse një gjë e tillë ndodh pas shtatë muajsh???
Andi Bushati: A do të kërkojnë falje ata që mbështetën shkatërrimin e opozitës
Reagimet nuk munguan. Lapsi.al ka publikuar sot një replikë me këtë ide nga kolumnisti ynë i përhershëm Blendi Kajsiu. Me ndonjë pasaktësi të vogël kur pretendon se Bushati e sheh Metën dhe Berishën si të vetmen opozitë në vend (ndërkohë që autori thotë pikërisht të kundërtën, se SPAK duke mos bërë detyrën po shërben për forcimin e një njeriu, gjë që nuk lejon as pasjen peshë të opozitave të reja) ai e mbron punën e SPAK. Ai përsërit tezën se Prokuroria e Posatçme e ka goditur fort edhe rilindjen dhe se fitorja e saj do të vijë vetëm falë dobësisë, mosmbështetjes, korruptimit dhe përdorimit të partive të tyre nga Berisha dhe Meta.
Megjithëatë Kajsiu e pranon: "Ka shumë mundësi që në zgjedhjet e ardhëshme Rama mund të fitojë një shumicë absolute dhe të vendosë diktaturën në vend. Mund të ndodhë që partitë e reja nuk rriten teksa opozita berishiste tkurret edhe më tej.
KAJSIU: Kush duhet të kërkojë falje? Një përgjigje për Bushatin
Ama është absurde që fajin për disfatën elektorale të berishizmit në zgjedhjet e vitit 2025 mos t’ia faturosh Berishës dhe Metës por atyre që e kanë parashikuar këtë disfatë që në vitin 2021, kur paralajmëruan se futja e PD-së në zgjedhjet e vitti 2025 me Berishën dhe Metën në krye do ishte katastrofë".
Një tjetër qëndrim mbajti në emisionin e mëngjesit "Kafe Shqeto", gjatë një përballjeje sy më sy me Andi Bushatin, Adriatik Lapaj drejtuesi i parisë "Shqipëria bëhet". Ai e pranoi dorashkën e hedhur dhe tha se nëse SPAK nuk shkon tek Rama dhe Veliaj, atëherë ai vërtet do kërkonte ndjesë, por, ama ai theksoi se beson te Prokuroria e Posaçme se i vetmja shpresë që nga ka mbetur.
Në një tjetër replikë u angazhua edhe Endri Shabani i "Nisma Thurrje" i cili bëri një shënim në faqen e tij të Facebook. Ai parashtroi argumentat e tij, por pa e kuptuar aspak thelbin e qëndrimit të autorit me të cilin po replikonte. Në artkullin ku thoshte se nuk kishte ndërmend ti kërkonte falje dyshes Meta-Berisha, Shabani shkruante: "Andi Bushati ka sugjeruar që nëse në zgjedhjet e 2025-ës Berisha merr më shumë vota se forcat e reja, ne duhet të kërkojmë falje që kemi mbështetur SPAK-un".
Endri Shabani: Jo, s'kam ndërmend t'u kërkoj ndjesë Berishes dhe Metes
Kjo ska lidhje fare me të vërtetën pasi thelbi i qëndrimit ishte shqetësimi se vendi mund të mbetet pa opozitë të fortë dhe regjimi të bëhet gjithnjë e më kleptokrat dhe korruptiv. As që bëhej fare fjalë për falje ndaj Berishës dhe Metës, por për falje ndaj publikut, prej atyre që ndihmuan, qorrazi apo me ndërgjegjje, në instralimin e një regjimi akoma më represiv, duke mbështetur një vegël politike si SPAK.
Dhe thelbi i çështjes është pikërisht ky: të analizohet roli, veprimet dhe pavarësia e Prokurorisë së Posaçme e pastaj të arrihet në konkluzionin nëse ajo për shërben si një instrument për forcimin e kleptokracisë. Këtë analizë krahasuese me fakte konkrete, me detaje nga dosjet dhe me sinkronizmimin e urdhrave politikë nga SPAK refuzojnë të bëjnë ata që replikojnë.
Pikërisht për këtë Lapsi.al po rendit disa pikpyetje për të gjithë ata që duan ta shtjellojnë me ndershmëri këtë çështje.
1) A nuk u urdhërua SPAK nga vetë Rama, prej tribunës së kongresit të PS, për arrestimin e Metës dhe Berishës? A nuk ngjan kjo si dy pika uji edhe me çështjet e tjera për të cilat kryeministri mbajti të njëjtin qëndim, në rastet Salianji e Beleri?
2) Nëse duam të jemi aq të veprbër, që këto thirrje ti trajtojmë si përkime rastësore, nga ato që politikanët tanë gjuhë çthurur bëjnë rëndom, a nuk na bën përshtypje fakti se para se punën ta zgjidhte SPAK, pati dy tentativa të Rilindjes, për të nxjerrë Berishën dhe Metën jashtë loje, duke hartuar dy projekt ligje njërin kundër ish spiunëve dhe tjetrin kundër ish sekretarëve të PPSH? Mos vallë dhe kjo qe një rastësi që në fund u zgjidh nga SPAK?
3)Si ka mundësi që ndonëse Rama del në të gjitha dosjet e mëdha ai nuk është thirrur së paku asnjë herë të vetme, qoftë edhe si dëshmitar?
4) A mund të burgoset Meta se ka kaluar një ligj për Manen dhe Rama që e ka mbrojtur ligjin publikisht dhe ka vënë partinë e tij ta votojë, të jetë i pafajshëm? A mundet të izolohet Meta për lobingun në ShBA, ndërkohë që "gruaja e Bilalit" që pagoi 80 euro për foto me Obamën dhe korruptuesi i agjentit të FBI-së McGonigal të bëjë moral i lirë?
5) Si ka mundësi që dosja e inceneratoreve u nda në tresh që mos mbante përgjegjësi "shefi i madh" dhe Metës iu mblodhën tre çështje në një për ta rënduar, a kemi këtu dy standarte?
6) Pse kur Rama firmos për kthimin e terreneve sportive Partizani në truall ndërtimi, fajin e ka Berisha që ishte kryeministër, pra në pozitë më të lartë dhe se pengoi? Ama kur ligjin e lobuar nga Meta për të cilin ai akuzohet se do merrte një vilë e mbështet edhe Rama, dënohet ai që ka më pak pushtet dhe jo kryeministri me më shumë?
7) Po procesi Beleri me dëshmitarë të rremë, të paguar nga policia dhe me prova krejtësisht të manipuluara (kushdo që beson tek SPAK dhe GJKKO mund të marri mundimin të lexojë dosjen) a nuk ju rrënqeth? Po që pas denimit, PS e rimori Himarën, mos vallë fajin e ka sërish Saliu?
8) Po Ilir Beqaj që hetohet për fatura restoranti dhe jo për koncesionet ulëritëse në shëndetësi, se gjurmimi i tyre mund të çonte tek shefi, a nuk të bën të mendosh?
9) Po Arben Ahmetaj që u mor me urdhër të Ramës për pazaret e prishura, a nuk është një sinjal alarmi? Si shpjegohet që, në njërën dosje ai akuzohet nga SPAK se nuk pengoi Veliajn në ngritjen e inceneratorit dhe në dosjen e Tiranës, kur është fjala për Veliajn, ky i i fundit nuk përmendet fare?
10) Mbi të gjitha dhe më kryesorja, të tredhurit e SPAK nuk janë marrë me asnjë çështje të madhe krimi zgjedhor, duke i lënë dorë të lirë Ramës për votimet e ardhshme. Ata refuzuan të hetojnë dosjen e Durrësit dhe të Dibrës, ku implikohej gjithë qeveria përmes përgjimeve të publikuara nga Bild, si pjestare në krim. Ata pranuan në gjirin e tyre prokurorin e Elbasanit, Alfred Shehu, që gënju publikisht se rilindasit nuk po blenin në këtë qytet karta identiteti me lekë në dorë. A nuk janë këto prova se SPAK është bastioni i mbrojtjes së krimit zgjedhor dhe a nuk penalizon kjo, po njësoj, edhe të korruptuarit e të pamoralshmit Berisha dhe Meta, po ashtu se dhe të ndershmit e të virgjërit që drejtojnë partitë e reja?
Armand Shkullaku: SPAK, arma e re e Ramës për të vrarë rivalët politikë
Ka në fakt edhe dhumë kontradikta të tjera. Por edhe kaq janë të mjafta për të parë përdorimin e SPAK dhe standartet e tij, ububushëm të dyfishta. Pa bërë analizën e këtyre paradokseve, nuk mund të arrish në konkluzionin nëse Prokuroria e posatçme po përdoret politikisht, apo jo. Në fakt, edhe mund ta bësh, po thjeshtë si tifoz, që ke vendosur paraprakisht se me cilën palë do të rreshtohesh.
©Lapsi.al