Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, bota bombardohet me imazhe të dy kandidatëve, duke folur nga podiumet, duke përshëndetur turmat e mitingjeve dhe duke zbritur nga shkallët e avionit. Këtu kemi një këndvështrim tjetër vizual se kush janë Trump dhe Harris dhe nga vijnë ata.
Kamala Harris dhe Donald Trump janë fotografuar sipër, të dy në moshën tre-vjeçare, shumë kohë përpara se të dinin se çfarë ishte Shtëpia e Bardhë.
Në dekada të ndryshme, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris i kaloi vitet e saj të hershme në Oakland, Kaliforni, ndërsa kandidati republikan Donald Trump u rrit në lagjen Queens të Nju Jorkut.
Harris (majtas në foton e majtë më poshtë) dhe motra e saj Maya (në mes) u rritën kryesisht nga nëna e tyre indiane, Shyamala Gopalan Harris, një studiuese për sëmundjen e kancerit dhe aktiviste sociale.
Babai i Trump, Fred Trump, ishte djali i emigrantëve gjermanë dhe nëna e tij Mary Anne MacLeod Trump lindi në Skoci. Ata e regjistruan Donaldin në Akademinë Ushtarake të Nju Jorkut në moshën 13-vjeçare.
Lexo më tej: Trump në burg? Gjithçka duhet të dini për dënimin e ish-Presidentit

Harris kaloi pesë vjet në shkollën e mesme në Montreal, Kanada, ku nëna e saj filloi një punë si mësuese në Universitetin "McGill". Më vonë ajo u regjistrua në kolegjin historikisht me ngjyrë, "Universitetin Howard" në Uashington DC.
Lexo më tej: Profil/ Kush është Kamala Harris, gruaja e parë e zezë që mund të drejtojë Amerikën
Trump ka thënë se pesë vitet e tij në akademi, e cila filloi në vitin 1959, i dha atij trajnim ushtarak dhe e ndihmuan në formimin e aftësive të tij drejtuese. Më vonë ai e shmangu shërbimin si ushtarak në Luftën e Vietnamit pesë herë. Katër për arsye akademike dhe një për shkak të "problemeve me kockat".

Që në moshë të re, Harris u mësua nga nëna e saj mbi rëndësinë e lëvizjes për të drejtat e njeriut dhe ajo mori pjesë në "Marshin Vjetor të Lirisë Martin Luther King Jr" në Uashington në vitin 2004.
Pasi u diplomua nga Shkolla "Wharton" e Universitetit të Pensilvanisë, Trump u favorizua nga i ati për ta pasuar atë në krye të biznesit familjar të ndërtimit.

Harris u kthye në Kaliforni, ku ajo u ngjit me shpejtësi në krye të sistemit të drejtësisë penale të shtetit, duke marrë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo e përdori atë momentum për të nisur një garë të suksesshme për Senatin e SHBA në vitin 2016.
Në të njëjtën kohë kur ajo hyri në Kongres, Trump po hynte në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë, pasi kishte mahnitur botën duke mposhtur Hillary Clinton, e cilësuar favorite për zgjedhjet e atij viti.
Tre vjet më vonë, Harris zhvilloi një fushatë të dobët presidenciale, por u zgjodh nga fituesi i garës demokrate, Joe Biden, si kandidatja për zëvendës Presidente. Ata bashkë rezultuan fitues, duke mundur Trump dhe zëvendës Presidentin e tij, Mike Pence.
Lexo më tej: Ajo që duhet mbajtur mend nga debati kaotik Biden -Trump
Lexo më tej: Fiton apo humbet, Trump e ndryshoi botën

Fundi i presidencës Trump dhe fillimi i mandatit Biden-Harris u shënjuan nga bllokimet e Covid-it, detyrimet për të mbajtur maska dhe trazirat sociale pas vrasjes nga policia të George Floyd në Minneapolis.
Lexo më tej: Dhjetë gënjeshtrat më flagrante të Trump për koronavirusin
Lexo më tej: Vdekja e George Floyd/ Republikanët po e braktisin Trump

Për një periudhë të gjatë kohe Harris vuajti për të lënë shenjën e saj si zëvendës Presidente, por e gjeti zërin e saj në vitin 2022 kur Gjykata e Lartë e SHBA i dha fund të drejtës kushtetuese për abortin.
Presidenti Biden ishte i lumtur që ajo ti vinte gjoksin ekipit të Shtëpisë së Bardhë për lëvizjen pro-zgjedhje (pro-abort).
Ishte Trump ai që e kishte bërë Gjykatën e Lartë më konservatore, me zgjedhjen e gjykatësve me bindje konservatore, duke i hapur rrugën vendimit të abortit.
Lexo më tej: Si e transformon SHBA-në vendimi i Gjykatës Supreme për imunitetin e Presidentit
Gjatë kohës së tij në Zyrën Ovale, Trump gjithashtu nxori SHBA-në nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe ndërmori hapa për të reduktuar imigracionin.

Vizita debutuese ndërkombëtare e Harris si zëvendës Presidente ishte në Guatemalë në vitin 2021, si pjesë e përgjegjësisë që asaj iu dha për të reduktuar numrin e emigrantëve nga Amerika Latine që vijnë në kufirin jugor të Amerikës me Meksikën.
Çështjet e politikës së jashtme që kanë dominuar periudhën e saj në detyrë përfshijnë luftërat në Ukrainë dhe Gaza, si dhe tërheqjen kaotike të trupave amerikane nga Afganistani.
Vizita e parë e Trump jashtë shtetit si President ishte në Arabinë Saudite në vitin 2017. Trump mbron politikat izoluese që përfshijnë shkëputjen e vendit të tij nga konfliktet e huaja dhe promovimin e industrisë amerikane.
Lexo më tej: Analiza gjeopolitike/ Joe Biden një vazhdues i diplomacisë së Trump

Harris është e martuar me Doug Emhoff (foto më poshtë), i cili bën fushata rregullisht në emër të saj. Ajo është njerka, ose "Momala" siç thotë ajo, për fëmijët e Emhoff nga martesa e tij e parë, Cole (majtas) dhe Ella (djathtas).
Anëtarë të ndryshëm të familjes së Donald Trump kanë luajtur role në karrierën e tij politike, megjithëse paraqitjet në fushatën e 2024 nga gruaja e tij, ish-Zonja e Parë Melania Trump, kanë qenë të kufizuara.
Me gruan e tij të parë, Ivana, Trump pati tre fëmijë: Donald Jr (i dyti majtas në foton e poshtme), Ivanka (e dyta djathtas) dhe Eric (djathtas). Ai kishte një vajzë, Tiffany (majtas), me gruan e tij të dytë, Marla Maples. Ai u martua me gruan e tij të tretë Melania (e treta majtas) në vitin 2005, me të cilën ka një djalë, Barron.

Harris hyri në garën presidenciale të vitit 2024 relativisht vonë, duke zëvendësuar Joe Biden që u tërhoq beftas.
Lexo më tej: Debati katastrofik i Biden fut demokratët në pikëpyetje
Ajo hyri në histori si gruaja e parë zezake dhe aziatiko-amerikane që bëhet kandidatja për Presidente e një partie të madhe dhe mbajti një fjalim në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago, Illinois.
Në të njëjtat zgjedhje, Donald Trump u bë nga të rrallët kandidatë për President që mori një nominim të tretë presidencial nga partia e tij. Ai foli në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee, Wisconsin, me veshin e fashuar pasi sapo i kishte mbijetuar një atentati gjatë fushatës.
Lexo më tej: Edhe Trump nën plumba/ Historia e gjatë e dhunës kundër presidentëve të SHBA

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL