“Nuk jam aspak i kënaqur. Jam i kënaqur për pikën se sipas meje Egnatia edhe mund ta fitonte ndeshjen. Por për pjesën tjetër kam pak për të qenë i kënaqur". Giovanni Colella nuk luan me fjalët për të pranuar inferioritetin e Partizanit të tij, në 1-1 në Rrogozhinë kundër Egnatias. Tekniku italian ishte pranë fitores me rezultat, por në nivel loje të kuqtë ishin nën pritshmëritë. Madje para se të barazonte, Egnatias iu anulua edhe një gol me VAR. "Skuadra nuk më pëlqeu sot. Nuk më pëlqeu në pjesën e parë, të dytë, shtesë, para e mbrapa. Pikë. Kur jam kështu, nuk di çfarë të them".
Colella mban fort pikën e marrë, në këndvështrimin e luftës për titullin. Egnatia është një kundërshtar shumë i fortë, që javën e ardhshme do të përplaset me Tiranën: "Vlerësimi im nuk është rreth pikës, pika është mirë. Egnatia bëri një ndeshje të mirë dhe ndeshje të tilla të nivelit të lartë janë gjithmonë të ekuilibruara. Nuk e diskutoj pikën. Nuk është se po shkul flokët nga dëshpërimi se nuk fituam", sqaroi Colella. "Nuk kemi bërë asgjë, nuk kemi luajtur mirë dhe as nuk fituam. Nuk është e vërtetë që duhet të luash keq për të fituar. Ky është një koncept tërësisht vetëm italian dhe shqiptar. Në asnjë vend tjetër të botës nuk ekziston".
Lexo më tej: Video/ Zejnullai në shtesë i heq fitoren Partizanit nga duart: Mba nuk mjafton, Egnatias i anulohet një gol
TETOVA: "PARTIZANI NUK E MERITOI PIKËN"
“Mendoj se një pikë është një pikë. Mendoj se sot e fitoi Partizani pikën. Dominuam për më shumë se 70 minuta. Futbolli ky është. Një pikë na shërbeu për të ruajtur vendin në tabelë". Edlir Tetovaka limituar dëmet në fund të ndeshjes me Partizanin, duke barazuar me Zejnullai. E megjithatë tekniku i Egnatias ka keqardhjen që nuk arriti të fitojë takimin, me rrogozhinasit dominues në fushën e lojës. Shumë raste të shpenzuara nga Egnatia, që e bëjnë teknikun të shfryjë: "E rëndësishme për trajnerin është që të nxjerrë ekipin para portës. Shënojmë apo nuk shënojmë është çështje lojtarësh. Ne kishim përgatitur lojën sot me ndërrimin e krahut të lojës. Partizani lë shumë hapësira mes linjave".
Tekniku pastaj u ndal edhe te vlera e barazimit, që nuk e afroi dot me kreun, por të paktën e mbajti në distancë të palëvizur: "Një pikë për ne është me shumë vlera. Nuk na vjen mirë që nuk morëm tre pikët, se Partizani nuk e meritoi pikën. Ruajmë pozitat ku jemi dhe shkojmë të qetë në ndeshjen tjetër", tha Tetova, duke shtuar. "Një moment Duamena shënon dhe një tjetër nuk shënon. Për sulmuesin ka gjithmonë rëndësi të shënojë. Ka ndeshje të tjera dhe gjatë javës do të punojmë në këtë aspekt”.