Për Felipe Massa është një plagë e rihapur. Flasim për Botërorin 2008, atë që braziliani humbi në kthesën e fundit në GP të Brazilit. Në fakt, ferraristi e fitoi, por doli i dyti në renditje pas Leëis Hamilton. Anglezi mori vendin e pestë që i duhej, pasi parakaloi Timo Glock në kthesën e fundit. Lajmi është se braziliani po vlerëson veprimet ligjore për të kuptuar si të vendosë drejtësi, në dritën e deklaratave të fundit të Bernie Ecclestone. Kreu i F1 në atë kohë pranoi se rezultati i GP të Singaporit atë sezon, ai i të famshmit crash-gate që e pa Renault të përfshirë në përplasjen e qëllimshme të Nelsinho Piquet për të favorizuar fitoren e Fernando Alonso në garë, duhet të ishte anuluar. Po të kishte ndodhur kjo, Massa do të kishte fituar titullin.
Lexo më tej:Ecclestone trondit besueshmërinë e Formula 1: “I hoqëm Felipe Massa një titull që e meritonte”
Një vit më pas, Renault iu nënshtrua një proçesi sportiv me një skualifikim dy-vjeçar nga F1 dhe një sanksion për drejtorin e atëhershëm të ekipit Flavio Briatore dhe shefin teknik Pat Symonds. Por sipas statutit të FIA-s ishte e pamundur të anulohej rezultati i GP të Singaporit, sepse klasifikimi i çdo kampionati është përfundimtar pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve të FIA-s në fund të sezonit.
MASSA: ËSHTË SHUMË E TRISHTË
Massa tani po shqyrton nëse do të ndërmarrë veprime ligjore për të rihapur çështjen. Në fundjavën e garës së Stock Car Pro Series, duke folur për Autosport, braziliani deklaroi si më poshtë: “Ligji thotë se pasi një pilot ka marrë trofeun e kampionit, gjërat nuk mund të ndryshojnë më. Në atë kohë, avokatët e Ferrarit më thanë për këtë, shkuam te avokatë të tjerë dhe më konfirmuan se nuk mund të bëhej asgjë. Kështu e binda veten. Por pas 15 vitesh dëgjoj se ish-pronari i F1 pranon se e ka marrë vesh dhe nuk ka bërë asgjë me presidentin e FIA-s për të mos njollosur emrin e F1. Kjo është shumë e trishtueshme, duke e ditur se gara duhej të anulohej dhe unë do të kisha fituar një titull. Kështu që ne po përpiqemi t'i kuptojmë të gjitha këto."
ÇFARË THONË RREGULLAT E FIA-s
A mund të ndryshojnë gjërat vërtetë në favor të Massa? Shumë e vështirë. Sipas Kodit Ndërkombëtar të Sportit të FIA-s, e drejta për të kërkuar rishikim skadon 14 ditë kalendarike pas një gare. E fundit është katër ditë përpara datës së ceremonisë së dhënies së çmimeve të FIA-s për sezonin në fjalë. Për më tepër, për sistemin gjyqësor të FIA-s, autoriteti më i lartë vendimmarrës është Gjykata Ndërkombëtare e Apelit. E i gjithë personeli i përfshirë në një kampionat bie dakord ta respektojë atë.
Prandaj, formalisht, nuk do të kishte gjykata alternative të cilave Massa mund t'i drejtohej. Në nenin e kodit përcaktohet se konkurrentët: "Marrin përsipër t'i nënshtrohen pa rezerva sa më sipër dhe vendimeve të autoritetit sportiv dhe pasojave që rrjedhin prej tyre". Për brazilianin Massa, një alternativë mund të jetë kërkimi i mendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS). E megjithatë ajo nuk ka juridiksion mbi FIA-n për çështje të tilla si kjo.