Roberto Mancini, përmes faqeve të 'Il Messaggero', lëshon alarmin për sulmuesit në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024 kundër Anglisë dhe Maltës. "Ndonjë problem?! Problemet përpara janë serioze. Immobile është jashtë, Raspadori në dyshim. Kemi pikëpyetje të mëdha. Pothuajse të gjithë sulmuesit qendrorë kanë luajtur shumë pak minuta në muajt e fundit - shpjegoi trajneri i Italisë -. Nuk kemi asnjë që ka luajtur si titullar. Ndoshta vetëm Gnonto ka luajtur pak më shumë te Leeds dhe mund të jetë sulmues qendror. Përndryshe ne jemi në gjendje të keqe. Scamacca është kthyer nga një dëmtim, Ciro u lëndua, Belotti luan shumë pak".
Një problem i ngjashëm me atë që ka Sylvinho në debutimin në pankinën e kuqezinjve. Broja është i dëmtuar, Manaj nuk luan fare, e vetëm Uzuni po nxjerr shkëndija me Granada.
Alternativat e pakta në sulm i kanë hapur dyert e kombëtares Andrea Compagno, sulmuesi i lindur në vitin 1996 që luan në Rumani. “Kam dy vite që e ndjek, luan gjithmonë dhe shënon”, shtoi Mancini, i cili nuk i mbyll dyert Moise Kean: “Luan në një pozicion ku na mungojnë lojtarë. Është i ri, e shpresa është të përmirësohet”. Trajneri synon rikuperimin e Raspadori: "Kam biseduar me të në orët e fundit dhe ai më tha se po punon për t'u rikthyer së shpejti në fushë. Shpresoj se ai mund t'ia dalë në kohë".
23 marsi kundër Anglisë do të jetë gjithashtu ndeshja e parë për kombëtaren, që nga vdekja e Gianluca Viallit. "Do të jenë ditë të vështira. Zbrazëtia e madhe që ndiej çdo ditë do të ndihet më e fortë. Gjithçka që ai na ka lënë duhet të jetë e dobishme për të tashmen dhe të ardhmen tonë".
Për ndeshjen kundër anglezëve, të mundur në finalen e Euro 2020 dhe të eliminuar nga Liga e Kombeve. "Është ndër më të fortët përreth. Në Kupën e Botës u eliminua nga Franca edhe pse nuk e meritoi. Është e rëndësishme të nisësh mirë. Duhet një stadium plot dashuri për Italinë. Si çdo të diel kur luan Napoli".
MESAZH I QARTË PËR DONNARUMMA E ZANIOLO
Besim i plotë te Donnarumma, pavarësisht disa gabimeve të shumta në kohët e fundit. "Gigio është numri një, hierarkia është kjo. Ne gjithmonë e kemi thirrur dhe vlerësuar Meret, por titullari është Donnarumma".
Lexo më tej: Gafa e tij i dhuroi fitoren Bayern: media e tifozët sulmojnë Donnarumma për gabimet e vazhdueshme
Mancini foli edhe për zgjedhjen e Zaniolos për t'u larguar nga Roma: "Edhe unë i thashë, kur më kërkoi mendimin, të shkonte te Galatasaray. Shpresoj të luajë sepse është e rëndësishme për ne. Vajtja në Turqi ishte e vetmja mundësi".