Flash

Agron Gjana jep dorëheqjen pasi njihet me rezultatet e vetingut

Lapsi.al 1 September 2021
Agron Gjana jep dorëheqjen pasi njihet me rezultatet e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të ndërpresë procesin e rivlerësimit për prokurorin e Durrësit, Agron Gjana pas dorëheqjes së tij, si dhe t’i ndalojë rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Nga Edmond Hoxhaj, BIRN

Prokurori i Durrësit, Agron Gjana është dorëhequr nga detyra pasi u njoh me rezultatet e hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në kuadër të procesit të rivlerësimit të tij. Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për mbarimin e statusit të magjistratit të prokurorit Gjana për shkak të dorëheqjes së tij, Komisioni ka vendosur të ndëpresë vetingun ndaj këtij subjekti rivlerësimi, si dhe t’i heqë të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për 15 vite.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se hetimi administrativ për prokurorin Gjana ka filluar më 12 nëntor të vitit 2019. Më 6 korrik, trupi gjykues i kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Genta Tafa(Bungo) ka vendosur të mbyllë hetimin kryesisht për të tria kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Megjithëse subjektit i janë njoftuar rezultatet e hetimit, ai nuk është paraqitur për t’u njohur me provat dhe dosjet e procedurës së rivlerësimit. Më vonë ai i ka dërguar Komisionit prapësimet e tij për disa gjetje dhe njëkohësisht ka kërkuar ndëprerjen e procesit të rivlerësimit, duke shpjeguar se kishte dorëzuar në KLP dorëheqjen nga detyra.

Gjana ka vazhduar të japë shpjegime lidhur me gjetjet e Komisionit si dhe të dorëzojë prova, duke kërkuar që ato të administrohen në dosjen e tij.

Kur KLP ka dërguar vendimin për “deklarimin e mbarimit të statusit për shkak dorëheqje të subjektit Agron Gjana” si dhe ka konfirmuar mosankimin e tij, Komisioni ka njoftuar Gjanën që të paraqitet në seancë dëgjimore për t’u dëgjuar, por ai ka refuzuar ta ushtrojë këtë të drejtë.

Të mërkurën më 1 shtator, KPK ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokurorin Agron Gjana, si dhe t’i ndalojë atij emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Të këshilluara

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

94.30

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI