Mes batutave dhe të qeshurave, kryeministri Edi Rama nga forumi i Bledit në Slloveni tha se Shqipëria një ditë do të bëhet anëtare e BE, por siç u shpreh ai për momentin ata duan thjesht të nisin bisedimet.
Kreu i qeverisë shqiptare, u shpreh se kur Shqipëria të bëhet anëtarë e plotë e BE, presidenti i Francës, Emanuel Macron që është lideri më i ri, do të jetë duke shkruar kujtimet.
“Ne një ditë do martohemi me ju, por deri atëherë as nuk flasim dot bashkë, por as nuk mund ti flisni të tjerëve. Kjo kërkon të sprovojë karakterin dhe besnikërinë tonë. Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë, kur ne të bëhemi anëtarë, Macroni që është më i riu, do të jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit”, u shpreh Rama.
Kryeministri shfrytëzoi rastin, për t’i bërë thirrje drejtpërdrejt Bullgarisë, që të të hapin rrugën e bisedimeve: “Ju bullgarët mos jini kaq tipik të BE-së, bëhuni ballkanas. Hapini rrugën bisedimeve të flasim me ta. Ju mund të bëheni ballkanik, hapni rrugët. E kuptuat mesazhin” – tha Rama.
Rama deklaroi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe se ata nuk po kërkojnë licencë për të qenë evropianë, pasi të tillë janë.