Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS” i shtrirë në disa shtete, si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta ka dhënë rezultatet e para. Sipas një informacioni të dhënë nga Policia e Shtetit në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 persona të shpallur në kërkim.
Konkretisht, në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, për të cilin Gjykata e Firences ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.
Në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“.
Nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën. Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia.