Partia Socialiste nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla, ka bërë një qartësim rreth deklaratave të liderit të opozitës Lulzim Basha, rreth zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas Ballës, dialogu ka nisur për Reformën Zgjedhore dhe brenda kornizës së qartë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe fton Bashën për çdo kontribut me ide për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe për cdo rekomandim tjetër.
''Idetë jashtë kësaj kornize kryetari i PD mund t’i diskutojë dhe konfirmojë jashtë Parlamentit me aleancën e tij, por jo me Partinë Socialiste. Ndërkohë i kujtojmë Lulzim Bashës se Kodi Zgjedhor miratohet me 84 vota që Partia Socialiste nuk i ka! Prandaj ai bën mirë të mos i fyejë e ofendojë deputetët që janë në Kuvend me firmën e tij dhe të para-ardhësit të Monika Kryemadhit. Sepse jo për gjë, po nesër do të duhet edhe vota e tyre për të mbështetur dhe konfirmuar rezultatet e dialogut që po zhvillojmë dhe Lulzim Basha bën mirë të mos i provokojë në dëm të reformës!'', tha Balla.