Këtë të dielë, Turqia voton për presidentin dhe parlamentin e ri, në një proces votimi që vendos të ardhmen politike të Rexhep Taip Erdogan. është ai që ka thirrur zgjedhjet e parakohshme, - zgjedhjet e radhës ishin në fund të 2019 -, nga të cilat Erdogan shpreson të çimentojë pozicionin e tij të fuqizuar së tepërmi kohët e fundit.
Në 15 vitet e fundit, ka fituar çdo zgjedhje, por Turqia është në mes të një rënieje ekonomike dhe kësaj radhe Erdogan pati përballë një fushatë të fortë nga ana e opozitës. Erdogan kërkon një mandat të dytë presidencial, por kësaj radhe është ndryshe.
Pas votimit, në Turqi pritet të hyjnë në fuqi një sërë kompetencash të reja për presidentin. Nga një institucion honorifik, që ishte dikur, tani ai transformohet në një post ekzekutiv me fuqi të konsiderueshme.
Erdogan është favorit në zgjedhje, por ai synon ta marrë Presidencën që këtë të dielë, duke fituar mbi 50% të votave. Përndryshe do të detyrohet të konkurojë në një raund të dytë, që mund t’ia dobësojë fitoren, ose mund ta çojë edhe në disfatë.
Të dielën mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, që në varësi të rezultatit do të krijojnë një parlament në favor, ose kundër presidentit të ri të fuqizuar.
Rexhep Taip Erdogan, i mbështetur nga partia e tij (AKP) qëi ka rrënjët thellë në islam, e ka shenjuar Turqinë më shumë se çdo president tjetër, që nga themelimi i shtetit modern.
Por kontradiktat mbi figurën e tij janë shtuar që pas fuqizimit pozitave, pas dështimit të grushtit të shtetit në 2016.
Turqia ka qenë në gjendje të jashtëzakonshme që atëherë, me 107 mijë punonjës të administratës të larguar nga puna. Më shumë se 50 mijë vetë mbahen të burgosur, në pritje të gjyqit, që nga korriku i vitit 2016.
Pasi mbylli dy mandate si kryeministër, Erdogan fitoi zgjedhjet e para presidenciale, që asokohe ishte thjesht një rol ceremonial. Pastaj në Prill të vitit 2017, 51% e turqve i thanë PO një kushtetute të re që fuqizoi presidencën.
Kjo përfshinte:
• Emërimin direkt nga presidenti të zyrtarëve të lartë, si ministrat apo zv.presidentët
• Fuqinë për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë
• Fuqinë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme
Falë këtyre ndryshimeve, posti i kryeministrit u hoq nga Kushtetuta. Kritikët thonë se presidenti do të ketë fuqi të mëdha dhe në shtetin turk mungojnë mekanizmat e tipit “kontrollo e balanco”, si në Francë apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka një president me fuqi ekzekutive.

Janë gjithsej gjashtë kandidatë për presidencën. Nëse njëri prej tyre fiton mbi 50% të votave këtë të dielë, fiton edhe presidencën. Nëse kjo nuk ndodh, do të ketë një raund të dytë në 8 Korrik.
Erdogan synon fitoren që në raundin e parë, por kjo mund të jetë sfida më e vështirë që ka pasur prej vitesh. Gjatë fushatës është folur shumë për ekonominë. Inflacioni është rritur me 10% dhe një rënie e vlerës së lirës ka prekur direkt xhepat e qytetarëve.
Feja është një faktor tjetër shumë i rëndësishëm këto zgjedhje. Turqia moderne është një shtet sekularist, por nën AKP-në e Erdoganit ka bërë disa lëshime për muslimanët, duke pranuar për shembull veshjen e shamive në institucione publike nga femrat.
Rivali më i fortë i Erdogan, Muharrem Inse, i Partisë Republikane të Popullit, është një sekularist i përkushtuar dhe një kritik i ashpër i Erdogan. Inse ka pasur një fushatë të mirë dhe mund të jetë një rrezik real në garë.
Edhe zgjedhjet parlamentare, paralelisht me ato presidenciale, mund të ndikojnë fort në raundin e dytë.
Nëse AKP e Erdoganit, arrin shumicën në parlamentin me 600 deputetë, ai hyn në raundin e dytë me pozita të forta. Por nëse kjo nuk ndodh, imazhi i tij do të marrë një goditje që mund ta ndryshojë rezultatin.
Shumëçka do të varet nga rezultati i partisë së Kurdëve (Partia Demokratike e Popullit), parti kundër Erdoganit. Nëse arrin 10% të votave atëherë kalon pragun elektoral dhe do të ketë përfaqësuesit e saj në parlament, duke e bërë të vështirë për Erdogan që të ketë shumicën në parlament. Nëse kjo nuk ndodh, nuk do të ketë asnjë deputet.
Çfarëdo të ndodhë, rezultati do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e Turqisë.
Nëse Erdogan fiton presidencën dhe partia e tij ruan shumicën në parlament, atëherë ai do të ketë konsoliduar fuqinë e tij politike. Nëse të dyja rezultatet janë kundër tij, peisazhi i Turqisë ndryshon rrënjësisht.
Por nëse presidenca shkon në njërën anë dhe parlamenti në anën tjetër, kjo mund të jetë parathënia e destabilitetit politik për Turqinë në vitet që vijnë.
Votuesit turq që jetojnë jashtë- gati tre milion nga 59 milion në total- tashmë e kanë hedhur votën e tyre. Pjesa tjetër do ta bëjë zgjedhjen këtë të dielë./ Përshtati në shqip nga BBC, Lapsi.al