Flash

Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare arrin nivelin më të lartë në dy vjet

Lapsi.al 6 October 2026

Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare arrin nivelin më të

 Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare u rrit më tej në ankandin e kësaj jave dhe arriti nivelin më të lartë në dy vitet e fundit. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë shqiptare rezultoi 5.6%, nga 5.4% që kishte qenë në ankandin e fundit, që ishte zhvilluar në muajin korrik. Ky është niveli më i lartë i yield-it të këtyre instrumenteve që prej tetorit të vitit 2024.  

Kërkesa në ankand rezultoi e kënaqshme. Nga katër miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga qeveria shqiptare, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 5.65 miliardë lekëve.

Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e emetimit në maksimumin prej 15% të lejuar nga rregullorja e ankandit, për ta çuar atë në 4.6 miliardë lekë. Rritja e yield-it mund të shpjegohet, të paktën pjesërisht, edhe me rritjen e shumës së emetimit.

Sidoqoftë, yield-et e titujve qeveritarë po vazhdojnë tendencën në rritje të nisur që prej tremujorit të dytë të këtij viti. Pjesërisht rritja mund të shpjegohet me një lloj korrektimi nga nivelet shumë të ulëta ku yield-et kishin arritur mes vitit të kaluar edhe tremujorit të parë të këtij viti. Por, pjesërisht rritja e yield-eve është nxitur nga presionet e shtuara inflacioniste gjatë vitit 2026 dhe pritshmërive më të forta për rritje të normave të interesit.

Banka e Shqipërisë, deri tani, nuk ka ndjekur rrugën e Bankës Qendrore Europiane dhe Rezervës Federale, duke preferuar ta mbajë të pandryshuar normën bazë në nivelin prej 2.5%. Inflacioni aktualisht ndodhet në nivelin 3.2%, sipër objektivit të Bankës së Shqipërisë, por në gusht pësoi rënie nga niveli prej 3.4% i korrikut. Ndërkohë, inflacioni bazë ka zbritur për dy muaj radhazi dhe për gushtin ishte në nivelin 2.8%, duke reflektuar zbutjen e efektit të bazës krahasuese nga shtrenjtimi i qirave.

Nga ana tjetër, Leku ka vijuar të forcohet në kursin e këmbimit me Euron dhe aktualisht po këmbehet poshtë nivelit të 92 lekëve, ndërkohë që gjatë shtatorit pati shënuar një minimum historik në nivelin e 91.4 lekëve, me një mbiçmim vjetor që iu afrua nivelit të 6%.

Qeveria, ndërkohë, vazhdon të aplikojë një qasje fiskale me natyrë shtrënguese, me suficite të mëdha buxhetore.

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka gjykuar se mund të vazhdojë të ruajë natyrën relativisht stimuluese të politikës monetare dhe, mbështetur në faktorët e mësipërm, gjasat janë që norma bazë të qëndrojë e pandryshuar edhe në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të muajit tetor.

Megjithatë, rritja e qëndrueshme e yield-eve pas tremujorit të dytë të vitit pjesërisht tregon se investitorët kanë pritshmëri për norma më të larta interesi. Nga ana tjetër, kërkesa në rritje e qeverisë për financim në dy tremujorët e fundit të vitit po ushtron presion për rritje të yield-eve.

Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave, shuma e programuar për t’u financuar në tregun e brendshëm, (duke përfshirë edhe rifinancimet e instrumenteve të maturuar) do të ketë vlerën 87 miliardë lekëve, në rritje me 9.4% krahasuar me shumën e planifikuar të huamarrjes për tremujorin e tretë dhe me 34% krahasuar me planin e huamarrjes në të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI