Flash

Washington Examiner: Protestat në Shqipëri shkojnë përtej Kushnerit

Lapsi.al 13 July 2026

“Washington Examiner” i ka kushtuar një artikull protestave masive që vazhdojnë prej mbi një muaji kundër qeverisë së Edi Ramës. 

Në artikull theksohet se kundërshtimi ndaj projektit të resortit në Zvërnec ishte vetëm shkëndija që ndezi protestat, ndërsa pakënaqësia e qytetarëve, e cila po i mban prej javësh në sheshe, lidhet me mënyrën e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. 

Washington Examiner shkruan se ajo që protestuesit e quajnë “Revolucioni i Flamingove” përfaqëson një analogji me revolucionet që çliruan vendet e Evropës Lindore nga regjimet diktatoriale.

“Sot shqiptarët nuk flasin më për Kushnerin apo për Shtetet e Bashkuara, por për atë që e quajnë “Revolucioni i Flamingove”, si një analogji me revolucionet me ngjyra që çliruan shumë vende të Evropës Lindore nga diktaturat.

Shqipëria, natyrisht, nuk është një vend komunist dhe, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, është një demokraci funksionale. Por kjo nuk është mënyra se si e shohin situatën shumë shqiptarë. Pas rënies së Perdes së Hekurt, shqiptarët përqafuan demokracinë me entuziazëm. Shqipëria u bë një nga vendet më pro-amerikane në Evropë, në mos në mbarë botën.“, thuhet në artikull.

Artikulli: 

Ekziston një prirje fatkeqe mes analistëve dhe gazetarëve amerikanë për të supozuar se gjithçka rrotullohet rreth politikës së Shteteve të Bashkuara.

Shqipëria është vetëm shembulli më i fundit i kësaj qasjeje. Në fund të muajit maj, në Zvërnec shpërthyen protesta kundër planeve të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump, për të zhvilluar një zonë me ndjeshmëri të lartë mjedisore në një kompleks akomodimi me vlerë disa miliarda dollarë.

Megjithatë, Kushner ishte vetëm një nga shumë shkëndijat që ndezën protestat. Një tjetër ishte Alex Soros, i cili ka krijuar marrëdhënie të ngushta me kryeministrin shqiptar Edi Rama për të siguruar miratimin e projekteve të ngjashme. Po ashtu, një faktor ishte edhe mënyra se si Rama trajton minoritetin grek në Shqipëri, i cili është i përqendruar kryesisht në Rivierën Shqiptare. Më 12 maj 2023, për shembull, policia e Ramës arrestoi Fredi Belerin, kandidat për kryetar të Bashkisë së Himarës dhe pjesëtar i minoritetit grek. Akuza? Se kishte shpenzuar rreth 100 dollarë në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës së tij. Shqiptarët, sipas autorit, e kuptuan këtë si një farsë — Rama donte që njerëzit e tij të fitonin zgjedhjet për të çuar përpara interesat e veta në projektet e pasurive të paluajtshme. Në këtë kontekst, zhvillimi i propozuar nga Kushner ishte simptomë, jo shkaku i protestave.

Edhe pse Shqipëria është zbehur nga titujt e mediave perëndimore, protestat kanë vazhduar të fitojnë vrull. Vizitorë të fundit në Shqipëri thonë se atmosfera është e tensionuar dhe se pakënaqësia ndaj asaj që e konsiderojnë vetëpasurim të Ramës ka arritur kulmin. Sot, sipas autorit, shqiptarët nuk flasin më për Kushnerin apo për Shtetet e Bashkuara, por për atë që e quajnë “Revolucioni i Flamingove”, si një analogji me revolucionet me ngjyra që çliruan shumë vende të Evropës Lindore nga diktaturat.

Shqipëria, natyrisht, nuk është një vend komunist dhe, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, është një demokraci funksionale. Por, sipas autorit, kjo nuk është mënyra se si e shohin situatën shumë shqiptarë. Pas rënies së Perdes së Hekurt, shqiptarët përqafuan demokracinë me entuziazëm. Shqipëria u bë një nga vendet më pro-amerikane në Evropë, në mos në mbarë botën.

Më pas, sipas autorit, u përfshinë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe USAID-i. Ata ndihmuan në krijimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për të shpjeguar atë që ndodhi më pas, autori përdor këtë krahasim: imagjinoni sikur mafiozi Al Capone të kishte marrë nën kontroll FBI-në përpara se ajo të kishte mundësi ta godiste atë dhe mafian e Çikagos në vitet 1930. Sipas autorit, Edi Rama, si drejtues i Partisë Socialiste, e mori nën kontroll SPAK-un dhe e përdori atë për të goditur këdo që rrezikonte pushtetin e tij, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, mes shumë të tjerëve.

Sipas autorit, nuk bëhej fjalë për luftë kundër korrupsionit. Ndërsa SPAK-u, sipas tij, godiste këdo që ngrinte pyetje të vështira ndaj Ramës, kryeministri vazhdonte projektet e zhvillimit të pasurive të paluajtshme dhe aktivitete që autori i konsideron si pastrim parash në bashkëpunim me kartelet e drogës. Mekanizmi, sipas tij, ishte legalizimi i kultivimit të kanabisit. Me zgjerimin e kultivimit të marijuanës, autori pretendon se u rritën edhe trafiku i kokainës nga Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, si edhe trafiku i opiumit nga Afganistani dhe Turqia. Roja Bregdetare Italiane, sipas tij, ndalon rregullisht ngarkesa kokaine që synojnë Shqipërinë, ndërsa Roja Bregdetare Shqiptare nuk vepron në të njëjtën mënyrë.

Ndërkohë, sipas autorit, Rama ndoqi hapur modelin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Sipas një ish-bashkëpunëtori të Ramës, i pranishëm në një takim mes dy liderëve, Erdoğan i dha Ramës një “kurs të përshpejtuar” se si të dobësojë institucionet demokratike duke goditur kundërshtarët politikë dhe duke kultivuar marrëdhënie me diplomatët amerikanë. Autori pretendon se Erdoğan e konsolidoi pushtetin duke marrë nën kontroll autoritetin tatimor të Turqisë, ndërsa më pas përfshiu ish-diplomatë amerikanë si partnerë biznesi ose mbështeti financiarisht aktivitetet e tyre në institute kërkimore. Sipas autorit, Rama ka ndjekur një model të ngjashëm, duke shpërndarë favore në formën e koncesioneve dhe projekteve të zhvillimit të pasurive të paluajtshme.

Autori pretendon gjithashtu se Departamenti Amerikan i Shtetit e ka kuptuar gabimin e tij dhe ka hequr në heshtje Sali Berishën nga lista e personave të padëshiruar për vizë, duke e interpretuar këtë si një pranim se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht dhe jo të bazuara në prova thelbësore.

Kritikët e Donald Trump shpesh e përshkruajnë atë si “anti-Mbreti Midas”, duke nënkuptuar se gjithçka që ai prek shndërrohet në plumb.

Megjithatë, sipas autorit, në fushën e politikës së jashtme, kundërshtarët e Trump-it lejojnë që kundërshtimi i tyre ndaj tij t’i verbojë përballë problemeve më të thella. Në rastin e Shqipërisë, autori argumenton se dëshira për të sulmuar Kushnerin i ka bërë analistët dhe politikanët të shpërfillin çështje më serioze, si keqpërdorimi i burimeve amerikane, rritja e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës gjatë qeverisjes së Edi Ramës, si edhe pyetjet mbi përgjegjësinë e disa ish-ambasadorëve amerikanë që, sipas tij, mbështetën pa rezerva qeverinë Rama.

Të këshilluara

ide

Protesta që e mplaku qeverisjen Rama

Kjo protestë ka nxjerrë në pah se qeverisja dhe kryeministri aktual janë vjetërsira politike që transformojnë demokracinë në sundim. Është i njëjti model i vjetër politik që privatizon pushtetin publik për interesa personale, që i reduktion partitë politike, parlamentin dhe ekzekutivin në zgjatime të vullnetit të liderit

10:41 Blendi Kajsiu

Pse ngjalli frikë fushata kundër oligarkëve të Ramës

“Revolucioni i flamingove” e tronditi mënyrën e të menduarit të shoqërisë. Sot të jesh një nga njerëzit që përfiton nga autokrati, nuk shihesh më si një burrë i nderuar, por rrezikon të bëhesh një personazh i urryer. Këtë dëshmoi vala e reagimit kundër milionerëve të oborrit të Ramës

14:15 Andi Bushati

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

93.75

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI