
Dy persona janë arrestuar në Itali si të dyshuar për vrasjen e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij në Torino, me dëmtime të rënda në kokë. Në pranga kanë rënë bashkëshortja 45-vjeçare e viktimës dhe partneri i saj, 52 vjeç, të dy shtetas italianë.
Trupi i Rrokut ishte gjetur më 6 korrik në apartamentin e tij në rrugën “Verolegno”, në zonën Lucento. Sipas autoriteteve, ai ndodhej në gjendje të avancuar dekompozimi dhe kishte dëmtime të rënda në kokë. Alarmi ishte dhënë nga fqinjët, të cilët kishin njoftuar autoritetet për erën e rëndë që vinte nga banesa. Pas gjetjes së trupit, karabinierët nisën hetimet për të rindërtuar orët e fundit të 55-vjeçarit dhe rrethanat e vdekjes së tij.
Hetimet çuan te bashkëshortja e viktimës dhe partneri i saj, të cilët tashmë dyshohen për vrasjen e shqiptarit. Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe rolin e secilit prej dy të arrestuarve.