
Ministri grek i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, zhvilloi këtë të hënë, një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Ministrit shqiptar të Mbrojtjes të vendit, Ermal Nufi.
Më shumë detaje mbi atë që ndodhi dha në një njoftim për shtyp ministria e Mbrojtjes e Greqisë. Dendias dhe Nufi patën fillimisht një takim privat dhe më pas një takim të zgjeruar, me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dy vendeve. Bisedat midis dy palëve u përqendruan në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në mbrojtje, bashkëpunimin brenda NATO-s, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, Dendias iu referua bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis Greqisë dhe Shqipërisë, me një angazhim ndaj parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe rëndësisë për marrëdhëniet dypalëshe të respektimit të të drejtave të pakicës kombëtare greke, e cila sipas tij “është një shtyllë paqeje, sigurie dhe progresi për të gjithë rajonin”.
Dendias dhe Nufi kanë rënë dakord të thërrasin menjëherë Komitetin e Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake, një veprim që konfirmon se Greqia gjithmonë i ka respektuar ata që sakrifikuan veten për Atdheun.

Më pas, Dendias u prit nga Rama. Të njëjtat burime nënvizojnë se në takimin privat, u zhvillua një diskutim i thelluar mbi situatën gjeopolitike në rajonin e gjerë.
“Zoti Dendias pati mundësinë të referohej edhe te Himara, nga e cila besohet se ka origjinën familja e tij, ndërsa përsëriti qëndrimin e tij se Pakica Kombëtare Greke përbën një urë miqësie midis popujve të dy shteteve” – thuhet në njoftim.
“Pas takimit, Kryeministri shqiptar e shoqëroi Ministrin grek në kopshtin e Pallatit të Kryeministrit të Shqipërisë, ku i shtroi një drekë pune” – citon njoftimi.
Dendias pati një takim edhe me Fortlumturinë e Tij Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Joani dhe vizitoi kriptën ku është varrosur Fortlumturia e Tij Kryepeshkopi Anastas, në Katedralen e Ngjalljes së Zotit në Tiranë.

Pasi përfundoi vizitën e tij, z. Dendias deklaroi: "Vizita ime në Shqipëri sapo ka përfunduar. Para së gjithash, pata kënaqësinë të takohem me homologun tim shqiptar, z. Ermal Nufi. Ishte takimi ynë i parë, ai është Ministri i ri i Mbrojtjes i Shqipërisë. Diskutuam thellimin e marrëdhënieve tona në fushën e mbrojtjes. E ftova të vizitojë Athinën. U ra dakord që kjo vizitë të zhvillohet në fund të muajit të ardhshëm.
Mendoj se është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar edhe më shumë me palën shqiptare. Kryesisht, për të rënë dakord për një lexim të përbashkët të sfidave gjeopolitike me të cilat përballet rajoni ynë më i gjerë dhe për të parë brenda kuadrit të NATO-s, por edhe brenda kuadrit të rrugës së Shqipërisë drejt familjes evropiane, se çfarë sinergjish mund të gjejmë, ku mund të ndihmojmë dhe ku Shqipëria mund të na ofrojë përvojat e veta nga sulmet kibernetike që ka pësuar në muajt e fundit.
Më pas, pata nderin të pritesha nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për të bërë një vlerësim të peizazhit më të gjerë gjeopolitik, situatës në Mesdheun Lindor, si dhe për ta vizituar dhe për të pasur mundësinë të marr një bekim nga Kryepeshkopi Ioannis, pasardhësi i Anastasit të Shqipërisë, një njeri në kujtimin e të cilit të gjithë kemi respekt të madh” – deklaroi Dendias. ©Përshtati në shqip LAPSI.al