
Tirana Bank e mbylli gjysmën e parë të vitit 2026 me një performancë financiare mbi pritshmëritë dhe rritje të balancuar në treguesit kryesorë të aktivitetit. Rritja u reflektua në zgjerimin e portofolit të kredive, forcimin e bazës së depozitave dhe përmirësimin e të ardhurave, duke u mbështetur njëkohësisht nga disiplina në administrimin e kostove dhe rrezikut. Në themel të kësaj performance qëndron strategjia e Tirana Bank për ndërtimin e një banke moderne, të qëndrueshme dhe gjithnjë e më të orientuar drejt klientit, ku transformimi dixhital përbën një nga shtyllat kryesore të zhvillimit.
Për të diskutuar mbi rezultatet e gjashtëmujorit të parë, faktorët që kanë mbështetur këtë ecuri dhe prioritetet e bankës për pjesën e mbetur të vitit, biseduam me Elvira Kapolin, Drejtuese e Divizionit të Financës në Tirana Bank.
──────────────────────────────
Zonja Kapoli, Tirana Bank e ka mbyllur gjysmën e parë të vitit 2026 me rezultate pozitive dhe mbi pritshmëritë. Si e vlerësoni këtë ecuri?
Rezultati më i rëndësishëm i kësaj periudhe nuk lidhet vetëm me një tregues të veçantë financiar. Ajo që e bën performancën e gjashtëmujorit të parë veçanërisht të rëndësishme është fakti se rritja është reflektuar në mënyrë të balancuar në të gjithë treguesit kryesorë të aktivitetit.
Në fund të muajit qershor, fitimi neto sipas IFRS arriti në 14.4 milionë euro, totali i aktiveve tejkaloi nivelin prej 2 miliardë eurosh, ndërsa portofoli i kredive u zgjerua me rreth 104 milionë euro krahasuar me fundin e vitit 2025. Në të njëjtën periudhë, depozitat e klientëve u rritën me 142 milionë euro.
Këto rezultate tregojnë se performanca e bankës nuk është mbështetur në një faktor të vetëm. Ajo reflekton zgjerimin e aktivitetit, forcimin e bazës së financimit, rritjen e të ardhurave, si dhe disiplinën e vazhdueshme në menaxhimin e kostove dhe të rrezikut. Për ne, kjo përfaqëson formën më të shëndetshme të rritjes, sepse krijon një bazë më të fortë dhe më të qëndrueshme për të ardhmen. Mbi të gjitha, këto rezultate janë meritë e ekipeve tona. Pas çdo treguesi financiar qëndrojnë shumë punë, bashkëpunim ndërmjet strukturave, vendimmarrje e kujdesshme dhe fokus i vazhdueshëm te nevojat e klientit.
Cilët ishin faktërët që e nxitën këtë performancë?
Kontributi kryesor erdhi nga zgjerimi i aktivitetit tonë bankar, veçanërisht nga portofoli i huave, i cili u rrit me 11% krahasuar me fundin e vitit 2025. Edhe të ardhurat nga komisionet paraqesin një zhvillim pozitiv, duke u rritur 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje u mbështet, ndër të tjera, nga aktiviteti më i lartë i kartave dhe nga shtimi i volumit të transaksioneve bankare.Paralelisht, kemi ruajtur një disiplinë të qartë në menaxhimin e kostove dhe një vëmendje të vazhdueshme ndaj cilësisë së aktiveve. Pikërisht kombinimi i të ardhurave në rritje me një strukturë të kontrolluar të kostove shpjegon përmirësimin e performancës.
Kur vlerësojmë cilësinë e fitimit, ne shohim përtej rezultatit përfundimtar. Analizojmë nëse fitimi buron nga aktiviteti bazë i Bankës, nëse kostot janë të kontrolluara, nëse financimi është i qëndrueshëm dhe nëse rreziku administrohet në mënyrë të kujdesshme. Në të gjitha këto dimensione, performanca e gjashtëmujorit të parë mund të konsiderohet e shëndetshme dhe e balancuar.
Rritja u reflektua njëkohësisht në aktive, kredi dhe depozita. Sa e qëndrueshme është kjo trajektore?
Pikërisht karakteri i balancuar i kësaj rritjeje na jep besim për vazhdimësinë e saj. Në fund të gjashtëmujorit të parë, totali i aktiveve tejkaloi nivelin prej 2 miliardë eurosh, duke u rritur me 139 milionë euro krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Portofoli i kredive arriti në 1.1 miliardë euro, me një zgjerim prej 104 milionë eurosh kundrejt dhjetorit 2025.
Për ne, kjo ecuri lidhet me dy elemente kryesore. Së pari, ekziston një kërkesë reale për financim nga familjet dhe bizneset. Së dyti, Tirana Bank ka kapacitetin për ta kthyer këtë kërkesë në financim konkret, duke respektuar standardet e saj të kreditimit dhe kriteret e kujdesshme të administrimit të rrezikut. Synimi ynë është të financojmë investime dhe nevoja që krijojnë vlerë reale, duke ruajtur një portofol të diversifikuar dhe një ekuilibër të kujdesshëm ndërmjet rritjes dhe rrezikut. Në këtë kuadër, rritja e financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për biznesin e vogël, ka një rëndësi të veçantë. Këto segmente përfaqësojnë një pjesë thelbësore të aktivitetit ekonomik dhe të punësimit në vend.
Në të njëjtën kohë, depozitat e klientëve arritën në rreth 1.7 miliardë euro, duke u rritur me 142 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë. Kjo është një ecuri shumë domethënëse, sepse depozitat përfaqësojnë një nga treguesit më të drejtpërdrejtë të besimit të klientëve.Klientët nuk na besojnë vetëm transaksionet e tyre të përditshme. Ata na besojnë kursimet, planet dhe sigurinë e tyre financiare. Për këtë arsye, rritjen e depozitave nuk e konsiderojmë vetëm si një burim financimi për bankën. Ajo përfaqëson një marrëdhënie besimi që duhet ndërtuar dhe ruajtur çdo ditë përmes sigurisë, transparencës, cilësisë së shërbimit dhe produkteve që u përgjigjen nevojave reale të klientëve.
Rritja e shpejtë është pozitive vetëm kur shoqërohet me eficiencë dhe administrim të kujdesshëm të rrezikut. Si e siguroni këtë ekuilibër?
Rritja krijon vlerë kur është e kontrolluar, e financuar në mënyrë të shëndetshme dhe e mbështetur nga standarde të forta të administrimit të rrezikut. Në fund të muajit qershor, raporti i kredive me probleme i Tirana Bank ishte 2.6%, ndërsa raporti kosto ndaj të ardhurave qëndroi në nivelin 50.3%. Këta tregues dëshmojnë se zgjerimi i aktivitetit është shoqëruar me vëmendje të vazhdueshme ndaj cilësisë së portofolit dhe me disiplinë në administrimin e kostove.
Ne nuk e konsiderojmë rritjen si një objektiv të izoluar. E monitorojmë atë sipas segmenteve dhe e vlerësojmë në raport me cilësinë e aktiveve, nivelin e provigjionimit, treguesit e hershëm të rrezikut dhe eficiencën e modelit operacional. Në të njëjtën kohë, eficienca nuk nënkupton vetëm kontroll të shpenzimeve. Ajo nënkupton procese më të thjeshta, vendimmarrje më të shpejtë, përdorim më të mirë të të dhënave dhe orientim të burimeve drejt aktiviteteve që krijojnë më shumë vlerë për klientin.
Mesazhi ynë është i qartë: ambicia tregtare, eficienca operacionale dhe përgjegjshmëria financiare duhet të ecin së bashku. Vetëm në këtë mënyrë rritja mund të jetë e qëndrueshme dhe të krijojë vlerë afatgjatë.
Strategjia juaj vendos theksin te transformimi dixhital.
Ku qëndron sot Tirana Bank në këtë drejtim?
Vizioni ynë afatgjatë është të ndërtojmë një bankë moderne, të besueshme dhe të orientuar drejt klientit. Transformimi dixhital është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet ky vizion.Një prej zhvillimeve më të rëndësishme të kësaj periudhe ka qenë aplikacioni ynë i ri, TiBank+, i cili shënon një etapë të re në mënyrën se si klientët ndërveprojnë me bankën. Ai ofron shërbime më moderne, më të shpejta dhe më të përshtatura me nevojat e klientëve në një mjedis gjithnjë e më dixhital.Për ne, investimi në teknologji është një investim afatgjatë. Pikërisht përmes teknologjisë ndërtohet marrëdhënia e së nesërmes me klientin, përmirësohet përvoja bankare dhe rritet aftësia e bankës për t’iu përgjigjur në kohë nevojave të tregut. Jemi krenarë për progresin e arritur dhe të vendosur ta vazhdojmë transformimin me të njëjtin angazhim dhe ritëm.
Si siguroheni që teknologjia të mos e distancojë klientin nga banka, por ta afrojë më shumë?
Për ne, teknologjia është një mjet në shërbim të njeriut, jo një qëllim në vetvete. Çdo zgjidhje dixhitale që zhvillojmë nis nga një pyetje e thjeshtë: a ia bën jetën më të lehtë klientit? Transformimi dixhital ka kuptim vetëm nëse klienti e ndien konkretisht përfitimin e tij në jetën e përditshme. Synimi ynë është të ndërthurim shpejtësinë dhe komoditetin e kanaleve dixhitale me cilësinë dhe afërsinë e marrëdhënies njerëzore. Besimi ndërtohet përmes të dyjave.
Objektivi ynë nuk është ta largojmë klientin nga dega fizike, por t’i japim lirinë të zgjedhë kanalin më të përshtatshëm për secilën nevojë. Në disa raste, klienti kërkon shpejtësinë e një shërbimi dixhital. Në raste të tjera, ai ka nevojë për këshillim dhe komunikim të drejtpërdrejtë. Detyra jonë është të ofrojmë një përvojë të qëndrueshme dhe cilësore në të gjitha kanalet. Orientimi drejt klientit është boshti rreth të cilit organizohet gjithçka, nga produktet dhe proceset deri te mënyra e komunikimit. Kjo qasje po e ndihmon Tirana Bank të krijojë një marrëdhënie më të afërt dhe më të qëndrueshme me klientët e saj.
Cilat janë prioritetet e Tirana Bank për pjesën e mbetur të vitit 2026?
Prioriteti ynë është ta shndërrojmë momentumin e krijuar gjatë gjashtëmujorit të parë në një performancë të qëndrueshme për të gjithë vitin. Kjo kërkon ekzekutim të kujdesshëm në disa drejtime njëkohësisht: realizimin cilësor të kreditimit, ruajtjen e bazës së fortë të depozitave, vijimin e disiplinës së kostove, monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së portofolit dhe rritjen e përdorimit real të kanaleve dixhitale.
Rezultatet e deritanishme kanë krijuar një bazë të fortë, por suksesi i një viti nuk përcaktohet vetëm nga mënyra se si ai nis. Ai përcaktohet nga aftësia për të ruajtur ritmin, cilësinë dhe disiplinën deri në fund. Për këtë arsye, fokusi ynë nuk është vetëm realizimi i objektivave vjetorë. Synimi është t’i arrijmë ato në një mënyrë që forcon qëndrueshmërinë financiare dhe kapacitetin e bankës për të krijuar vlerë në afat të gjatë.
Në një mjedis që ndryshon me shpejtësi, avantazhi konkurrues buron nga aftësia për të marrë vendime në kohë, për të përdorur të dhënat në mënyrë inteligjente, për t’iu përgjigjur nevojave të klientëve dhe për të inovuar pa cenuar disiplinën e rrezikut. Ky është vizioni ynë për Tirana Bank: të ndërtojmë një bankë që rritet me përgjegjshmëri, përdor teknologjinë me një qëllim të qartë dhe e mat suksesin jo vetëm përmes rezultateve financiare, por edhe përmes vlerës që krijon çdo ditë për klientët, ekonominë dhe të gjithë partnerët e saj.
──────────────────────────────
Një bankë më e fortë dhe më e përgatitur për të ardhmen
Treguesit e kësaj periudhe krijojnë një bazë solide për pjesën e mbetur të vitit. Megjithatë, mesazhi që del nga intervista shkon përtej shifrave. Sfida e fazës së ardhshme nuk është vetëm vazhdimi i rritjes, por ruajtja e cilësisë së saj përmes kreditimit të përgjegjshëm, forcimit të besimit të depozituesve, përdorimit më të gjerë të teknologjisë dhe disiplinës në menaxhimin e kapitalit, likuiditetit, kostove dhe rrezikut.