
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në fshatin Janç Mal, në Njësinë Administrative Tunjë të Bashkisë Gramsh. Vatra është evidentuar gjatë ditës së djeshme dhe, menjëherë pas marrjes së informacionit, strukturat vendore janë mobilizuar për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.
Në operacion janë angazhuar 8 punonjës të shërbimit zjarrfikës dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor të Gramshit, të cilët kanë mbërritur në kohë të shpejtë në zonën e prekur nga zjarri. Megjithatë, ndërhyrja është vështirësuar ndjeshëm për shkak të terrenit të thyer dhe malor, ku nuk është e mundur depërtimi i mjeteve automobilistike. Për të arritur deri te vatra e zjarrit, punonjësit kanë udhëtuar fillimisht rreth një orë me automjet, ndërsa më pas kanë vijuar për afro një orë të tjera në këmbë, duke transportuar në shpinë pajisjet dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje.
Puna ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa këtë të enjte ekipet janë rikthyer në terren që në orët e para të mëngjesit, rreth 05:00, për të vijuar luftën me flakët.
Sipas të dhënave nga terreni, deri më tani sipërfaqja e përfshirë nga zjarri llogaritet në të paktën 3.5 hektarë, ndërsa ekipet po punojnë për izolimin e plotë të vatrës dhe për të parandaluar përhapjen e saj në zona të tjera.
Terreni i vështirë malor, distanca nga rruga dhe pamundësia e futjes së automjeteve zjarrfikëse e kanë bërë këtë ndërhyrje një prej operacioneve më të vështira për shërbimet lokale.
Pavarësisht kushteve të vështira, temperaturave të larta dhe lodhjes fizike, zjarrfikësit dhe punonjësit e shërbimit pyjor kanë vijuar punën pa ndërprerje, duke u përballur me vështirësi të shumta dhe duke sakrifikuar maksimalisht për të mbajtur nën kontroll situatën.
Për përballimin e situatës është përdorur edhe metoda e kundërzjarrit, një prej teknikave më të specializuara për luftimin e zjarreve pyjore.
Kundërzjarri konsiston në krijimin e një zjarri të kontrolluar në një zonë të përcaktuar, me qëllim konsumimin e materialit djegës përpara se të mbërrijë fronti kryesor i flakëve. Në këtë mënyrë synohet krijimi i një brezi të kontrolluar dhe frenimi i përhapjes së zjarrit.
Në Shqipëri, kjo teknikë vazhdon të përdoret relativisht pak. Kjo lidhet me nevojën për trajnim specifik, eksperiencë të konsiderueshme dhe vendimmarrje të kujdesshme, pasi përdorimi i kundërzjarrit gjatë një zjarri masiv kërkon vlerësim të saktë të terrenit, drejtimit të erës dhe dinamikës së flakëve.
Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i saj kërkon profesionalizëm të lartë dhe një koordinim të plotë të ekipeve që ndodhen në terren.
Një prej drejtuesve që po përdorur në mënyrë të vazhdueshme këtë teknikë në përballjen me zjarret pyjore është Komisari i Zjarrfikësve Ilir Llapushi, drejtues i stacionit të MZSH-së në Bashkinë Gramsh.
Në raste zjarresh pyjore, masive apo me përmasa të mëdha, kundërzjarri është përdorur si një nga taktikat për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të krijuar kushte më të favorshme për izolimin e vatrave.
Eksperienca e krijuar ndër vite në terrenet malore të Gramshit ka bërë që kjo metodë të konsiderohet një nga teknikat më rezultative të përdorura nga Shërbimi i MZSH-së Gramsh, veçanërisht në situatat kur ndërhyrja direkte është e vështirë.
Në Janç Mal, kjo eksperiencë po vihet sërish në funksion, ndërsa ekipet po përballen me një terren të ashpër dhe një front zjarri që deri më tani ka prekur rreth 3.5 hektarë.
Nga orët e para të mëngjesit, ekipet janë rikthyer në terren për të vijuar operacionin. Për shkak të terrenit, çdo ndërhyrje kërkon angazhim të madh fizik, pasi pajisjet duhet të transportohen në këmbë deri në zonën e zjarrit.
Për zjarrfikësit, kjo do të thotë orë të gjata pune, ecje në terren të vështirë dhe përballje direkte me temperaturat dhe tymin.
Objektivi kryesor mbetet izolimi i plotë i zjarrit, parandalimi i përhapjes së mëtejshme dhe shuarja e çdo vatre aktive.
Operacioni në Janç Mal vijon, ndërsa puna e ekipeve të MZSH-së dhe shërbimit pyjor mbetet thelbësore për mbrojtjen e sipërfaqeve pyjore dhe për të shmangur përhapjen e flakëve drejt zonave të tjera.