Flash

Shqipëria mes vapës dhe zjarreve, Europa Perëndimore thyen rekordin e temperaturave

Lapsi.al 25 August 2026

Shqipëria u përfshi në zonën e temperaturave mbi mesataren gjatë periudhës qershor–korrik, ndërsa Europa Perëndimore regjistroi dy muajt më të nxehtë të kësaj periudhe që nga nisja e të dhënave të ERA5 Kështu raportoi Copernicus Climate Change Service pak ditë më parë në raportin e tij mujor.

Harta e publikuar, bazuar në të dhënat ERA5, e vendos Shqipërinë dhe një pjesë të Ballkanit Perëndimor mes zonave ku temperaturat e ajrit në sipërfaqe gjatë qershorit dhe korrikut 2026 ishin mbi mesataren e periudhës referuese 1991–2020.

Pamja në rajon ishte pjesë e një vere me kontraste të forta në kontinent, me anomalitë më të larta të përqendruara në Europën Perëndimore. Copernicus tha se kushtet e nxehta dhe të thata të zgjatura gjatë korrikut favorizuan gjithashtu përhapjen dhe intensifikimin e zjarreve në Europë.

Në Shqipëri, temperaturat e larta janë shoqëruar gjatë kësaj vere edhe me vatra zjarri. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile tregojnë se gjatë korrikut 2026, zjarret me sipërfaqe mbi 1 hektar prekën gjithsej 476 hektarë.

AKMC identifikoi 21 vatra të kësaj madhësie gjatë muajit, me përqendrimin më të madh në Vlorë, ku tetë vatra prekën 306 hektarë, dhe në Shkodër, ku shtatë vatra përshkuan 98 hektarë.

Në Lezhë u regjistruan dy vatra me 40 hektarë të prekur, ndërsa raste të tjera u evidentuan në Berat, Dibër, Gjirokastër dhe Tiranë. Por muaji aktual u paraqit edhe më problematik me zjarre masive në zonën e Krujës, Lurës, Pukës, Dajtit ku nuk munguan përveç dëmeve në sipërfaqe pyjore edhe djegie e banesave apo bizneseve.

 

Rekord i ri për qershorin dhe korrikun në Europën Perëndimore

Të dhënat e Copernicus tregojnë se temperatura mesatare e ajrit mbi tokë në Europën Perëndimore arriti 21.62°C për periudhën qershor–korrik, ose 2.79°C mbi mesataren e viteve 1991–2020.

Kjo ishte temperatura më e lartë e regjistruar për kombinimin e këtyre dy muajve në rajon dhe tejkaloi me rreth 0.89°C rekordin e mëparshëm, të vendosur në vitin 2022.

Grafiku i Copernicus që shoqëron publikimin tregon një ndryshim të dukshëm në dekadat e fundit.

Ndërsa një pjesë e madhe e viteve të viteve 1980 dhe 1990 paraqiten me anomali negative kundrejt mesatares 1991–2020, vitet e fundit dominohen nga anomali pozitive. Qershor–korrik 2026 qëndron në skajin më të lartë të serisë, me anomalitetin prej 2.79°C.

Shifra i referohet zonës që Copernicus klasifikon si Europë Perëndimore, e përcaktuar nga koordinatat 11°Ë–15°E dhe 37°–55°N. Për këtë arsye, ajo nuk përfaqëson një matje specifike për Shqipërinë, edhe pse Shqipëria përfshihet në hartën më të gjerë europiane të anomalive të temperaturës.

Për vetëm muajin korrik, temperatura mesatare në këtë rajon të Europës Perëndimore ishte 22.48°C, ose 2.53°C mbi mesataren 1991–2020. Korriku 2026 u rendit si korriku i dytë më i nxehtë për rajonin, pas korrikut të vitit 2006.

Copernicus tha se temperaturat jashtëzakonisht të larta në Europën Perëndimore vazhduan nga gjysma e dytë e majit dhe u shoqëruan me disa valë të njëpasnjëshme të të nxehtit. Franca, Spanja, Anglia, Irlanda, Gjermania, Zvicra dhe pjesë të Italisë ishin ndër zonat ku u regjistruan anomalitë më të forta.

Në Francë, Gjermani, verilindje të Spanjës, Angli, Zvicër dhe në pjesën perëndimore të Italisë, temperaturat e korrikut ishin përgjithësisht 3°C deri në 5°C mbi mesataren, sipas Copernicus. Europa si e tërë ishte më pak ekstreme se pjesa perëndimore

Pamja për të gjithë kontinentin ishte më e moderuar për shkak të kontrastit mes perëndimit të nxehtë dhe temperaturave më të ulëta në lindje. Temperatura mesatare mbi tokën europiane në korrik ishte 20.49°C, ose 0.66°C mbi mesataren 1991–2020. Kjo e renditi korrikun 2026 si të 11-in më të ngrohtë në serinë e të dhënave ERA5.

Copernicus evidentoi një ndarje të qartë perëndim-lindje: pjesa perëndimore e kontinentit regjistroi temperatura shumë mbi mesataren, ndërsa pjesë të Europës Lindore dhe Skandinavisë kishin temperatura më të ulëta se norma.

Kushtet në perëndim u lidhën me sisteme të qëndrueshme të presionit të lartë, të cilat favorizuan mot të kthjellët dhe të thatë dhe mbajtën ajrin e nxehtë mbi të njëjtat zona për periudha të zgjatura.

Korriku 2026, i dyti më i nxehtë globalisht, rekord në oqeane

Në nivel global, temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqe gjatë korrikut ishte 16.90°C. Kjo ishte 0.67°C mbi mesataren e korrikut për periudhën 1991–2020 dhe 1.47°C mbi nivelin e vlerësuar paraindustrial të viteve 1850–1900.

Korriku 2026 u rendit, së bashku me korrikun 2024, si korriku i dytë më i ngrohtë i regjistruar globalisht, pas rekordit të korrikut 2023. Diferenca mes korrikut 2026 dhe atij të vitit 2024 ishte vetëm 0.01°C, ndaj Copernicus i konsideron të dy muajt në të njëjtën pozitë.

Mesatarja globale për 12 muajt nga gushti 2025 deri në korrik 2026 ishte 1.45°C mbi nivelin paraindustrial, sipas të dhënave të shërbimit europian të klimës. Nxehtësia nuk u kufizua në sipërfaqen tokësore.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së oqeaneve jashtë zonave polare, midis 60° në jug dhe 60° në veri, arriti 20.96°C në korrik, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë muaj.

Rekordi i mëparshëm, prej 20.89°C, ishte vendosur në korrik 2023. Që nga 19 qershori, temperatura mesatare ditore e këtyre ujërave kishte qenë më e larta e regjistruar për secilën ditë përkatëse të vitit, sipas Copernicus. Temperatura rekord u regjistruan edhe në detet përreth Europës, veçanërisht përgjatë Atlantikut dhe në Mesdheun Perëndimor.

Copernicus tha se një pjesë e nxehtësisë së oqeaneve ishte e lidhur edhe me zhvillimin e kushteve El Niño në Paqësorin ekuatorial./ Monitor

 

Të këshilluara

ide

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Rama ndërron sërish makinën/ Një Mercedes S-Class i ri për "asketin" e kryeministrisë

Edi Rama ka treguar se si shpesh kalon 48 orë vetëm me ujë, se në 12 vite ka ngrënë në restorant rreth 30 herë me familjen dhe se fluturimet e tij private i bën në Economy Class; por në rrugë, kryeministri është shfaqur me versionin më të ri të Mercedes-Benz S-Class, një mjet që për të disatën herë ia gris imazhin e liderit “asket”, duke e sjellë të dobët përballë privilegjeve të pushtetit

17:24

Me sytë katër

PAPARAZZI