Flash

Kur një fjali në studio kushton 100 mijë lekë

Gjashtë vendime të firmosura nga AMA më 30 tetor, për shkelje të pretenduara të standardeve etike dhe transmetim të deklaratave që, sipas autoritetit, nxisin urrejtjen apo justifikojnë dhunën. Gjobat kanë hapur debat mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësinë e televizioneve, ndërsa gazetarët i shohin ato si një formë presioni që rrezikon të nxisë vetëcensurën në studio dhe redaksi.

20:47 Gisela Troplini

Kur një fjali në studio kushton 100 mijë lekë

Gjashtë vendime të firmosura nga AMA më 30 tetor, për shkelje të pretenduara të standardeve etike dhe transmetim të deklaratave që, sipas autoritetit, nxisin urrejtjen apo justifikojnë dhunën. Gjobat kanë hapur debat mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësinë e televizioneve, ndërsa gazetarët i shohin ato si një formë presioni që rrezikon të nxisë vetëcensurën në studio dhe redaksi.

Gisela Troplini 6 November 2026

Kur një fjali në studio kushton 100 mijë lekë

Një kritikë ndaj kryeministrit, një reagim i ashpër ndaj dhunës policore apo një metaforë gjatë një debati politik mund të përfundojnë me një faturë financiare për televizionin që i transmeton. Gjashtë gjoba të vendosura nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ndaj televizioneve kombëtare, përfshirë Klan TV, Vizion Plus, Euronews Albania dhe Top News, kanë hapur një përplasje të re mes rregullatorit dhe medias, duke ngritur shqetësime për kufijtë e lirisë së shprehjes dhe rrezikun e vetëcensurës.

Sipas AMA-s, gjobat janë vendosur për shkelje të neneve 4 dhe 33 të Ligjit për Mediat Audiovizive, që lidhen me respektimin e standardeve etike dhe ndalimin e transmetimit të përmbajtjeve që nxisin intolerancën, gjuhën e urrejtjes, justifikimin e dhunës apo veprime të kundërligjshme. Në vlerësimin e autoritetit, problem nuk kanë qenë vetëm deklaratat e bëra nga gazetarët dhe të ftuarit, por edhe mungesa e reagimit apo distancimit nga ana e moderatorëve gjatë transmetimeve. AMA pretendon se vendimmarrja është mbështetur në përmbajtje konkrete dhe në dispozitat ligjore në fuqi.

Për gazetarët dhe drejtuesit e emisioneve të prekura nga vendimet, çështja nuk mbyllet te vlera e gjobave. Ajo lidhet me një precedent që, sipas tyre, mund t’i bëjë televizionet më të kujdesshme në përzgjedhjen e të ftuarve, moderimin e debateve dhe trajtimin e temave të ndjeshme politike. Ndërsa AMA këmbëngul se sanksionet janë mbështetur në ligj dhe në përmbajtje konkrete të transmetuara, vendimmarrja e saj ka rikthyer në vëmendje edhe pikëpyetjet mbi pavarësinë e institucionit.

Nga deklaratat në studio te gjoba e AMA-s

Kur një fjali në studio kushton 100 mijë lekë
 Credits: TV KLAN – Armand Shkullaku në emsionin “Opinion”

“Pas thyerjes së gjymtyrëve të të rinjve, pas çarjes së kafkave dhe mbushjes së trupave me plumba gome, Rama nuk mund të mos tërhiqet zvarrë”.

Kjo ishte deklarata e gazetarit Armand Shkullaku në emisionin “Opinion”, më 22 tetor, që do të përfundonte mes materialeve mbi të cilat Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) mbështeti gjobën prej 100 mijë lekësh ndaj televizionit Klan.

Një fjali e thënë në kulmin e debatit politik, mes pamjeve të përplasjeve në rrugët e Tiranës dhe pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia, u bë kështu pjesë e një vendimmarrjeje që ka ngritur pikëpyetje mbi raportin mes rregullimit të transmetimeve dhe lirisë së shprehjes.

Më 22 tetor, protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, të nisura nga studentët dhe të rinjtë më 13 tetor, ishin kthyer në një krizë të vazhdueshme politike. Kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit shoqërohej me raportime për përplasje mes protestuesve dhe policisë, përdorim të gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe pretendime për lëndime të rënda të demonstruesve. Dhuna ndaj të miturve dhe të rinjve kishte hyrë tashmë në qendër të vëmendjes publike, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut kërkonin hetimin e ndërhyrjeve policore.

Në këtë klimë u zhvillua edhe debati në “Opinion”, ku Shkullaku e vendosi përgjegjësinë politike te kryeministri, duke kundërshtuar trajtimin e protestave vetëm përmes akteve të dhunshme të demonstruesve.

Pamjet nga protesta, raportimet e gazetarëve, por edhe të dhënat e “shteg.org” tregojnë se të paktën 204 të mitur ishin arrestuar ose proceduar penalisht gjatë protestave. Avokati i Popullit kishte evidentuar ankesa për dhunë fizike dhe verbale në komisariate, ndërsa në disa raste ishin konstatuar edhe shenja dëmtimesh fizike. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, nga ana tjetër, kishte mbrojtur ndërhyrjet e policisë, duke deklaruar se efektivët kishin zbatuar ligjin.

Një nga rastet që kishte tronditur opinionin publik ishte ai i një 21-vjeçari, i filmuar duke u goditur nga efektivët pasi ishte rrëzuar në tokë. Sipas familjarëve, i riu kishte pësuar frakturë në kafkë dhe në vertebrën e tretë, ndërsa ndihma mjekësore i ishte dhënë disa orë pas dhunës. Dy punonjës policie u pezulluan në lidhje me episodin dhe nisën verifikimet për përgjegjësinë ligjore.

Ishte pikërisht ky realitet, me pretendimet për dhunë policore në njërën anë dhe aktet e dhunshme të protestuesve në anën tjetër, që kishte ushqyer debatet televizive të tetorit. Por, në vlerësimin e AMA-s, disa prej deklaratave të bëra në këto studio kishin kapërcyer kufijtë e lejueshëm të transmetimit.

Në monitorimet e saj, AMA ka konstatuar shkelje të nenit 4 dhe nenit 33 të ligjit për mediat audiovizive, që lidhen me detyrimet për respektimin e standardeve etike dhe ndalimin e transmetimit të përmbajtjeve që nxisin intolerancën, gjuhën e urrejtjes apo justifikimin e dhunës, si dhe përmbajtjeve që mund të nxisin vepra penale.

Ndaj, më 30 tetor, Autoriteti i Mediave Audiovizive firmosi gjashtë vendime për sanksionimin e televizioneve kombëtare. Klan TV u gjobit me 100 mijë lekë për emisionin “Opinion” të 22 tetorit, ndërsa Vizion Plus mori një gjobë prej 100 mijë lekësh për deklarata të bëra në dy transmetime të ndryshme. Euronews Albania u ndëshkua me 50 mijë lekë për përmbajtjen e emisionit “Now”, të drejtuar nga Erla Mëhilli. Gjoba të ngjashme janë vendosur edhe për emisionin Top Story në Top Channel dhe për transmetimet e Top News.

I kontaktuar nga “Shteg.org”, institucioni nuk iu përgjigj pyetjeve mbi masat administrative, por shtoi se çështja do të diskutohet në bordin drejtues, nga ku do të dalë edhe një qëndrim mbi vendimet e marra.

Vendimet nuk janë marrë drejtpërdrejt nga Bordi Drejtues i AMA-s, por mbajnë firmën e anëtarëve të Drejtorisë së Monitorimit dhe Analizës, të drejtuar nga Arben Muka. Ligji u njeh inspektorëve kompetencën për vendosjen e sanksioneve administrative, çka do të thotë se vendimmarrja nuk ka qenë domosdoshmërisht objekt i një votimi nga bordi.

Kur kritika ndaj qeverisë kthehet në çështje administrative

Kur një fjali në studio kushton 100 mijë lekë
 Credits: Vision Plus – Andi Bushati dhe Ylli Rakipi

“Qytetin po e terrorizon Ergys Agasi. Quhet dhunë kur digjet një kioskë te Parku Rinia, por nuk quhet dhunë kur po ngrihet një kullë në Parkun Rinia”, do të deklaronte Andi Bushati në emisionin e Ylli Rakipit, “Të Paekspozuarit”, më 15 tetor, ku të ftuarit e tij po diskutonin mbi dhunën e ushtruar në bulevardin Dëshmorët e Kombit nga protestuesit që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Një ditë më pas, në të njëjtin emision, Bushati përdori edhe një gjuhë dukshëm më të ashpër gjatë debatit për efektivët e policisë dhe përgjegjësinë e tyre.

“Ata janë qen dhe zagarë të dhunshëm. Shyqyr që në Shqipëri nuk ka dënim me vdekje, se ata duheshin çuar në litar. Vandalë! Kafshë!”

Në të njëjtin diskutim, pas pyetjes së Rakipit, “Do të derdhet gjak këtu?”, aktivisti i ftuar përgjigjet: “Nëse ky e ka vendosur që do ta marrë me gjak, bujrum!”

Edhe një tjetër transmetim i Vizion Plus, këtë herë i drejtuar nga Alban Dudushi më 18 tetor, u bë pjesë e vendimmarrjes së AMA-s. Gjatë debatit për hedhjen e gurëve dhe përplasjet mes protestuesve e policisë, Dudushi përdori një metaforë që autoriteti e konsideroi të papërshtatshme.

“A do që të ta kthejnë gurin mbrapsht? Ju jeni partizanë të dhunës, unë jo. Nuk ma mbush mendjen me dhunë. Gurin nuk ta pranoj, sepse ta kthej mbrapsht”, tha ai.

AMA i konsideroi këto deklarata në kundërshtim me standardet e transmetimit dhe vendosi një gjobë prej 100 mijë lekësh ndaj televizionit.

Në shkresat e dërguara televizioneve, institucioni ka vënë në dukje edhe mungesën e reagimit nga drejtuesit e emisioneve, duke argumentuar se moderatorët nuk janë distancuar nga deklaratat që i konsideron të papërshtatshme për një ekran televiziv.

Gazetari Blendi Fevziu e konsideron këtë qasje një formë të tërthortë censure. Sipas drejtuesit të “Opinion”, një televizion mund të detyrohet të ndryshojë përzgjedhjen e të ftuarve, jo për shkak të cilësisë së debatit, por nga frika se një deklaratë e tyre do të sjellë një tjetër gjobë.

“Kjo është forma më e kamufluar e censurës, sepse, duke mos i mbyllur dot gojën individit, ti detyron televizionet të mos ftojnë individë të tillë, sepse çdo deklaratë mund t’i ngarkojë ato me gjoba. Kjo është një censurë e tërthortë, që është më e rëndë sesa censura në vetvete. Unë nuk jam polic i moralit. Kush e përcakton se sa e papërshtatshme është diçka për shoqërinë? AMA-n e mendoj si një shërbëtore të devotshme të qeverisë, jashtë funksionit të saj ligjor”, deklaroi Fevziu për Shteg.org.

Ai paralajmëroi se do ta kundërshtojë masën administrative në rrugë ligjore dhe do t’i drejtohet Komisionit të Medias në Kuvend, duke kërkuar llogari për vendimmarrjen e autoritetit dhe, nëse është e nevojshme, edhe ndryshime në ligj.

“Unë i kam njoftuar njerëzit me peshë në politikë, përfshirë edhe kryeministrin. Do ta ndjek ligjërisht. Do t’i drejtohem edhe Komisionit të Medias në Parlament, t’i kërkojnë llogari AMA-s ose edhe ndryshime ligjore, se mund të jetë edhe problem i ligjit. Unë nuk kam për të pranuar kurrë të bëhem polic i mendimit”, shprehet ai.

Shqetësimi nuk është vetëm i Fevziut. Erla Mëhilli, drejtuese e emisionit “Now” në Euronews Albania, thotë se vendime të tilla mund të krijojnë një klimë vetëcensure në redaksi, veçanërisht në emisionet politike që transmetohen drejtpërdrejt dhe ku moderatorët nuk mund të parashikojnë çdo fjali të të ftuarve.

“Mund të them se gjobat e kësaj natyre rrezikojnë të krijojnë vetëcensurë. Dhe ky është një shqetësim serioz. Unë drejtoj një emision politik të drejtpërdrejtë, ku ka përplasje, debate të forta, deklarata që shpesh nuk i parashikon dot. Kjo është natyra e debatit politik. Nëse moderatori duhet të mendojë në çdo moment se çfarë gjobe mund të marrë televizioni për një fjali të të ftuarit, atëherë diçka nuk shkon”, thotë Mëhilli për Shteg.org.

Ajo u bën thirrje gazetarëve dhe drejtuesve të mediave të reagojnë përpara se frika nga ndëshkimi të kthehet në një mekanizëm të zakonshëm të kontrollit të debatit publik.

Edhe Ylli Rakipi sheh vendimin si një ndërhyrje të pajustifikuar. Për të, përgjegjësia për fjalët e thëna në studio duhet të jetë individuale dhe nuk mund t’i faturohet automatikisht televizionit.

“Kjo është një maskaradë e njerëzve që punojnë në një institucion pa meritë. Rëndësi ka që përballë ligjit, përgjegjësia është individuale; nëse dikush në emision thotë diçka që nuk shkon, ai është përgjegjës. Groteske. Nëse dikush vret dikë në studion time, me logjikën e AMA-s, dënohem unë”, shprehet Rakipi.

Edhe ai paralajmëron se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.

“Ne do t’i drejtohemi Komisionit Parlamentar për këtë çështje, si dhe opozitës, që të merret me këtë fenomen.

Njerëzit e emisionit do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. AMA do të bëhet edhe më qesharake, duke u përdorur në mënyrë të paskrupullt”- shton Rakipi.

AMA mbron vendimmarrjen

Kur një fjali në studio kushton 100 mijë lekë
 Credits: Kuvendi – Deputetja Jorida Tabaku

Debati për gjobat ka kaluar tashmë nga studiot televizive në Parlament. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëkohësisht kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, ka kërkuar thirrjen e drejtueses së AMA-s në një seancë dëgjimore më 9 nëntor.

Tabaku pretendon se sanksionet nuk mund të shihen të shkëputura nga klima politike dhe raporti mes qeverisë dhe mediave. Ajo e lidh vendimmarrjen me shqetësimet e përsëritura të Komisionit Europian për pavarësinë e autoritetit, veçanërisht për mënyrën e emërimit të anëtarëve të bordit dhe mundësinë e ndikimit politik e ekonomik mbi institucionin.

“Komisioni Europian ka ngritur shqetësimin se pavarësia e AMA-s ende nuk garantohet dhe se mënyra e emërimit të anëtarëve të bordit lë hapësirë për ndikim politik dhe të biznesit. Dhe këto janë shqetësime të përsëritura dhe problematike që vendosin në pikëpyetje pavarësinë e AMA-s duke e kthyer këtë të fundit në një kamzhik politik në duart e kryeministrit”, deklaron Tabaku për Shteg.org.

Ajo vë në dukje edhe të kaluarën politike të drejtueses së institucionit, Armela Krasniqi, duke pretenduar se marrëdhënia e saj e mëparshme me kryeministrin ngre pikëpyetje për paanshmërinë e autoritetit.

“Drejtuesja e AMA-s është një nga ish-zëdhënëset e tij që ka qenë në stafin e tij dhe që për vite me radhë, e sidomos kësaj radhe, nuk ka dëshmuar një barazlargim nga ish-shefi i saj politik. Ndaj kjo është shqetësuese dhe realisht demotivuese në raport me demokracinë”, shprehet deputetja.

Nga ana tjetër, AMA nuk pranon që vendimet e saj të interpretohen si ndërhyrje në debatin politik. Në përgjigjen për Shteg.org, autoriteti thekson se sanksionet janë mbështetur në përmbajtje konkrete të transmetuara dhe në përputhshmërinë e tyre me ligjin dhe Kodin e Transmetimit.

“Vendimmarrja ka qenë bazuar vetëm në përmbajtje konkrete të transmetuara, të cilat janë vlerësuar për përputhshmërinë me kërkesat e Ligjit 97/2013, si dhe Kodin e Transmetimit”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

AMA sqaron gjithashtu se procesi është zhvilluar përmes komunikimit zyrtar me secilin prej televizioneve të licencuara dhe se shkresat përmbajnë fashën kohore të materialeve të konsideruara të papërshtatshme, bazën ligjore dhe vlerën e sanksionit.

Autoriteti kujton se subjektet e ndëshkuara kanë të drejtë të ankimojnë vendimet pranë Bordit të AMA-s dhe, më tej, në gjykatë.

Ligji nr. 97/2013 i njeh AMA-s kompetencën për të vendosur sanksione administrative ndaj operatorëve audiovizivë që shkelin detyrimet ligjore. Neni 132 parashikon një shkallë masash që përfshin gjobat, pezullimin, reduktimin apo heqjen e licencës dhe autorizimit, në varësi të natyrës së shkeljes.

Neni 133 përcakton masat financiare për kundërvajtjet administrative. Për shkeljet që lidhen me nenin 33/1, gjobat mund të variojnë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë. Subjektet e ndëshkuara mund të paraqesin ankim pranë AMA-s brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për vendimin. Autoriteti duhet ta shqyrtojë atë brenda 30 ditëve, ndërsa vendimi mund të kundërshtohet më tej në gjykatë.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, AMA ka kryer 297 shqyrtime tematike të përmbajtjeve audiovizive dhe ka evidentuar 48 raste shkeljesh. Problematika kryesore ka qenë gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi, me 22 raste, e ndjekur nga reklamat problematike, mbrojtja e fëmijëve, përmbajtjet joetike dhe cenimi i të dhënave personale.

Për momentin, gjashtë vendimet e 30 tetorit kanë prodhuar një efekt që shkon përtej vlerës financiare të gjobave. Ato kanë rikthyer në qendër të debatit një shqetësim të vjetër të medias shqiptare: nëse një televizion duhet të mbajë përgjegjësi për çdo fjalë të thënë nga një i ftuar, rreziku nuk është vetëm një gjobë tjetër, por edhe ndryshimi i mënyrës se si ndërtohet debati publik. /Marrë nga shteg.org

Të këshilluara

ide

Mbi kufinjtë politikë të protestës sociale

E vetmja mënyrë për ta vrarë potencialin e protestës sociale është nëpërmjet llogjikës së vjetër politike se qelbësira në pushtet rrëzohet vetëm me një aleancë të madhe qelbësirash në opozitë

09:48 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

8°c

KËMBIMI EURO

90.84

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Ardit Gjebrea paraqitet në SPAK

Kantautori dhe moderatori i njohur Ardit Gjebrea është paraqitur paraditen e kësaj të premteje në ambientet e Prokurorisë së...

10:29

Me sytë katër

PAPARAZZI