Flash

Gazetari i organizoi atentat kolegut, ngjarja që po trazon Italinë

Lapsi.al 15 August 2026

Gazetari i organizon atentat gazetarit - ngjarja që po trazon Italinë

Dhjetë muaj pas atentatit me bombë ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, një arrestim spektakular ka tronditur Italinë. Urdhëruesi i dyshuar është një mik i vjetër i viktimës - dhe një i njohur i kahershëm i drejtësisë, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.

Enver Robelli

Sigfrido Ranucci është një nga reporterët më të njohur të Italisë - i patrembur, me përvojë dhe i pakompromis. Dikur raportonte për luftërat ballkanike dhe për sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Ndërkohë, gazetari që së shpejti mbush 65 vjet drejton në transmetuesin publik RAI emisionin investigativ “Report”. Temat që trajtohen aty janë tejet shpërthyese: korrupsioni, shpërdorimi i pushtetit dhe lidhjet mes politikës dhe mafies. Për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme, Ranucci prej vitesh jeton nën mbrojtjen e policisë.

Kur më 6 tetor 2025, në orën 22:17, para shtëpisë së Ranuccit në Romë shpërtheu një bombë me një kilogram eksploziv , shumëkush dyshoi se pas atentatit qëndronte mafia. Ranucci dhe e bija e tij patën fat: kishin mbërritur në shtëpi vetëm pak më herët dhe shpëtuan të palënduar. Megjithatë, veturat e tyre u shkatërruan plotësisht dhe shtëpia u dëmtua. Rastin e mori përsipër prokuroria kundër mafies. “Shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa u lëkund gjithë lagjja. Vajza ime kishte kaluar pranë veturës vetëm pak minuta më parë. Mund të kishte vdekur”, shkroi atëherë Ranucci në rrjetet sociale.

Të nesërmen, qindra njerëz u mblodhën para shtëpisë së Ranuccit për t’i shprehur solidaritetin. Edhe nga mediat dhe politika erdhi një valë mbështetjeje: shoqatat e gazetarëve, transmetuesi RAI, politikanë nga i gjithë spektri politik, madje edhe kryeministrja Giorgia Meloni, e dënuan atentatin.

Që atëherë, opinioni publik italian priste me padurim rezultatet e hetimit. Krahas mafies, dyshimet fillimisht u drejtuan edhe ndaj bandave shqiptare që veprojnë në Romë dhe rrethinë. Tani ndodhi një kthesë spektakulare: këtë javë autoritetet arrestuan botuesin, ish-gazetarin dhe sipërmarrësin Valter Lavitola. 60-vjeçari është mik i vjetër i Ranuccit dhe dyshohet se ka porositur atentatin me bombë - gjë që tashmë e ka pranuar pasi u mor në pyetje për 5 orë.

Motivi i deklaruar nga Lavitola prek kufijtë e çmendurisë: ai tha se me kë¨te atentat kishte dashur ta mbronte Ranuccin dhe të arrinte që autoritetet t’i forconin masat e sigurisë. Sipas tij, atentati nuk kishte motive politike.

Prokuroria, megjithatë, e sheh ndryshe: me këtë atentat të stilit mafioz, Lavitola kishte dashur të rriste popullaritetin e Ranuccit, në mënyrë që ky të kishte shanse më të mira për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 dhe, në këmbim, t’i siguronte atij një post fitimprurës si këshilltar.

Për ta përgatitur planin, Valter Lavitola kishte rekrutuar një ndërmjetës. Portugezi, i cili ndërkohë është larguar drejt Afrikës, dyshohet se më pas kishte porositur katër kriminelë nga rrethinat e Napolit që ta vendosnin lëndën shpërthyese para shtëpisë së Sigfrido Ranuccit.

Në fund të qershorit u arrestuan autorët e dyshuar. Burrat, të moshave nga 22 deri në 53 vjeç, ishin të njohur më parë për policinë si kriminelë. Për hetuesit u bë shpejt e qartë se ata kishin vepruar me urdhër të njerëzve që qëndronin në prapavijë - Valter Lavitolës dhe bashkëpunëtorit të tij portugez.

Lavitola nuk është i panjohur në Itali: në vitet ’90 ai ishte i afërt me politikanin më të bujshëm të historisë italiane të pasluftës, Silvio Berlusconin. Lavitola krijoi kontakte, veproi si ndërmjetës në disa marrëveshje të Berluckonit dhe, pas vitit 2000, dyshohet se shërbeu si korrier parash. Kështu, ai arriti ta bindte senatorin Sergio De Gregorio që, kundrejt tre milionë eurove, të kalonte nga koalicioni i qendrës së majtë në kampin e Berlusconit. Lavitola dhe Berlusconi u dënuan më 2015 nga instanca e parë me nga tre vjet burg për korrupsion. Në apel, gjykata e shpalli veprën të parashkruar dhe e pushoi procedurën.

Tani Lavitola gjendet sërish përballë drejtësisë - këtë herë si organizatori i dyshuar i një atentati ndaj mikut të tij më të mirë. Para arrestimit të Lavitolës, Sigfrido Ranucci i kishte thënë gazetës “Corriere della Sera”: “Ai është një mik i vërtetë, mes nesh ka shumë mirëdashje. Shkojmë shpesh bashkë për të ngrënë, të paktën çdo dy javë.”

Ranucci deri tani nuk është shprehur drejtpërdrejt për arrestimin, por avokati i tij deklaroi se arrestimi tregon “kompleksitetin” e atentatit.

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

92.85

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI