
Kanë qenë të shumtë emigrantët që iu bashkuan protestës së 76-të në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Një emigrante nga SHBA-ja tha se ka lindur atje, por shtoi se ndan të njëjtat dhimbje me shqiptarët që jetojnë në Shqipëri. E reja tregoi se është rritur me përjetimet e prindërve të saj në Shqipëri.
“Edhe pse jemi larg, ndajmë të njëjtat dhimbje si shqiptarët këtu. Ndjejmë përgjegjësi dhe detyrim të jemi këtu sot për të treguar se ju mbështesim. Në Nju-Jork janë bërë 8 protesta. Janë organizuar tubime edhe në Boston, Uashington e Florida”, - tha ajo
Një e re që jeton në Gjermani, me profesion politologe, tregoi se babai i saj u largua nga vendi për shkak të korrupsionit. E reja përmendi edhe një moment ku mamaja e saj kishte ardhur për pushime në Shqipëri dhe kishte pësuar kriza, por urgjenca nuk i ishte përgjigjur.
“Mamaja ime sot është në Shqipëri për pak ditë pushime. Por u sëmur. Kishte shumë kriza. I binte numrit të ambulancës dhe askush nuk i përgjigjej. Unë isha në Gjermani shumë në ankth. Nga Gjermania më është dashur të thërras ambulancën për ndihmën e shpejtë për të shpëtuar një jetë. Mamaja ishe vetëm dhe gjëja e parë që më thanë se pse e keni lënë mamanë vetëm” - tha ajo.
Një emigrant nga Gjermania tha me lot në sy se edhe pse është larguar në emigrim, nuk e ka harruar Shqipërinë. Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria duhet të jetë si gjithë Evropa.
“Jemi të mërguar por Shqipërinë tonë nuk e kemi harruar. Liri Shqipëria. Përpara shqiptarët. Duam sistem për shqiptarët. Shqipëria duhet të jetë si gjithë Evropa, atje e ka vendin. Këtu ka korrupsion, të gjitha i ka. Arsyet për largimin ishte se nuk kisha të ardhme," tha emigranti.
Një shqiptare që jeton në Itali tregoi se diaspora po proteston çdo javë për situatën në Shqipëri. Gjatë fjalës së saj në sheshin para Kryeministrisë, ajo iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ngrihen derisa Edi Rama të largohet nga pushteti.
“Jetojmë në Itali më shumë se 30 vjet. Dalim çdo javë në Milano, për Shqipërinë tonë të bukur, flamurin tonë më të bukur. Duhet të mblidhemi të gjithë për këtë vend të bukur. Vijmë duke qeshur, e ikim duke qarë. Edhe pse jemi të mërguar, Shqipëria është zemra jonë. Kam dalë edhe kundër familjes, do të më shikojnë në TV por do të rrezikojmë për Shqipërinë tonë. Të mblidhemi bashkë derisa Edi Rama të lërë vendin. Dje ishte në Dhërmi dhe na ka hequr muzikën se donte relaks,” tha ajo
Një tjetër bashkatdhetar i ardhur nga diaspora e Shtutgartit ka përçuar një mesazh të fortë ndërgjegjësimi qytetar dhe thirrje për shkëputje nga militantizmi partiak. Protestuesi vlerësoi energjinë dhe vendosmërinë e sheshit, duke theksuar se pushteti i frikësohet qytetarëve të lirë.
“Vij nga diaspora e Shtutgartit. Aq shpirtra të lira sa ka ky shesh nuk janë parë ndonjëherë. Jemi njerëz që as nuk shitemi, as blihemi. Ndaj na kanë frikë të gjithë këta në pushtet. Nëse vijojmë edhe me këtë sistem edhe 20-30 vite, që na kanë servirur këta palaço, do të mbeten shqiptarë vetëm në qendrat e disa qyteteve dhe s’do të ketë më shqiptarë askund!” – tha ai. ©LAPSI.al