
Deputeti demokrat Eno Bozdo i ka kërkuar mazhorancës të ndalojë procedurën për reformën territoriale dhe të dëgjojë kundërshtimet e bashkive që preken nga ndryshimet. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, Bozdo tha se nuk është normale që procesi i reformës të shoqërohet me protesta nga bashkitë që parashikohet të shkrihen.
Bozdo kundërshtoi propozimin për shkrirjen e 15 bashkive, duke kërkuar që mazhoranca të ndalojë procedurën dhe të rikthejë konsultimet me njësitë vendore. Ai theksoi gjithashtu se opozita nuk synon bllokimin e reformës, por kërkon që të shqyrtohen alternativa që, sipas tij, u shërbejnë më mirë qytetarëve.
“Nuk është normale që të gjithë punët e këtij komisioni të bëhet me protesta. I ke të gjithë bashkitë në protestë poshtë, ata që shkrihen. Protestojnë se nuk janë dëgjuar dhe argumenti i tyre nuk është marrë parasysh. Zhduken 15 bashki në bazë të arsyetimeve të pabaza. Jeni ende në kohë të bllokoni procedurën. Duhet të bëni atë që me urdhër politik nuk e bëri dot Komisioni i Territoriales. Të dëgjonte të dilej me variantet më të mira. Opozita nuk ka pasur qëllim bllokimin përveçse propozimin e variantit më të mirë për qytetarët. I keni në rrugë që po protestojnë.
Cilët afate duhet të kapim? Kjo nuk kërkohet nga BE, nuk ka asnjë standard për pushtetin vendor apo numrin e njerëzve në bashki”, tha Eno Bozdo.