
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mohuar të ketë pasur një takim me kryeministrin Edi Rama në aeroportin e Rinasit, ditën kur kreu i qeverisë u kthye nga Shtetet e Bashkuara, ku kishte marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Berisha, i cili u paraqit këtë të hënë në SPAK në kuadër të masës së sigurimit “detyrim paraqitje”, u pyet nga gazetarët në lidhje me një takim të mundshëm me Ramën në aeroport.Ai tha se në atë kohë ishte duke udhëtuar drejt Strasburgut, ndërsa Rama po kthehej nga SHBA-ja. Berisha mohoi kategorikisht çdo takim mes tyre, duke deklaruar se nuk do të kishte arsye që ta takonte kryeministrin.
“Unë po shkoja në Strasburg, ku pata takime të shkëlqyera. Ai u kthye nga Amerika ku u takua me Taulant Ballën. A mund të imagjinojë kush të takoj një njeri që nuk e takon njeri. Kurrën e kurrës. As nuk denjoj t’ia hedh shikimin”, tha Berisha.