
Tre persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Dibrës, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgatitnin dhe shisnin kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit.
Operacioni policor, i koduar “Start 3”, u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, pas një hetimi proaktiv të kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër. Në pranga ranë shtetasit A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, banues në Sanxhak, Laç, si dhe N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në ambientet e banesave të tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 94.70 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 13 telefona celularë, dy peshore elektronike, një automjet dhe një orë dore të markës “Rolex”. Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se tre shtetasit vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin në përgatitjen dhe shitjen e kokainës në zona të ndryshme të Burrelit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.