Flash

5-mujori, të ardhurat rekord nga taksa e infrastrukturës paralajmërojnë bum të ri ndërtimi

Lapsi.al 20 July 2026

Për vite me radhë, të ardhurat e bashkive kanë krijuar varësi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që vilet nga ndërtimet e reja dhe që ka zënë sistematikisht më shumë se gjysmën e tyre. Por këtë vit, kjo varësi është transferuar edhe në buxhetin qendror, duke ekspozuar ekonominë kombëtare ndaj zhvillimeve të paqëndrueshme në këtë sektor.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, në pesë-mujorin e parë të vitit 2026, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u arkëtuan 15,3 miliardë lekë, me një rritje prej 240% krahasuar me vlerën prej 4,5 miliardë lekësh që u arkëtua në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të ardhurat shtesë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në pesë- mujor ishin 10,8 miliardë lekë, të cilat zunë 31% të të ardhurave shtesë në totalin e buxhetit gjatë së njëjtës periudhë. Në vend që rritja e të ardhurave buxhetore të nxitej nga TVSH-ja dhe zërat e tjerë të tatimeve, që vijnë nga sektori i prodhimit dhe i shërbimeve, ky vit tregoi një rritje të varësisë së buxhetit kombëtar nga ndërtimi. Gjithashtu, në të ardhurat shtesë të buxhetit vendor, të ardhurat nga ky tatim zunë 87%.

Të dhënat zyrtare tregojnë se të ardhurat nga taksa mbi ndërtimet e reja arritën një rekord historik këtë vit, pasi vetëm në pesë muaj janë grumbulluar 15,3 miliardë lekë, ndërsa në vitin më të mirë, 2024, arkëtimet nga ky tatim ishin 18 miliardë lekë për të gjithë vitin (shiko grafikun e mëposhtëm).

Taksa e ndikimit në infrastrukturë përbënte rreth 54% te të gjitha të ardhurave të veta të pushtetit vendor në pesë muajt e parë të vitit. Brenda grupit të taksave lokale, pesha e saj arrinte në rreth 64%.

Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e të ardhurave që bashkitë sigurojnë vetë tashmë varen nga një taksë e lidhur drejtpërdrejt me tregun e ndërtimit.

Të ardhurat e larta nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u krijojnë bashkive më shumë mundësi për të financuar investime dhe shërbime publike. Megjithatë, pesha e lartë e kësaj takse e bën situatën financiare të pushtetit vendor gjithnjë e më të lidhur me ecurinë e sektorit të ndërtimit.

Ndryshe nga taksa mbi pasurinë, e cila mund të krijojë të ardhura të përsëritshme çdo vit, taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet kur miratohen dhe zhvillohen ndërtime të reja. Për rrjedhojë, të ardhurat mund të bien ndjeshëm nëse ngadalësohet dhënia e lejeve, përfundojnë projektet e mëdha ose dobësohet kërkesa në tregun e pasurive të paluajtshme.

Mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë marrë në shqyrtim disa qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi, ku përfshihen projekte turistike dhe rezidenciale, infrastruktura publike, si dhe ndërhyrje në sektorët e energjisë dhe transportit. Ky është një tregues që paralajmëron ekspozimin e mëtejshëm të ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit./ Monitor

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Analiza/ Pse Perëndimi mbyll sytë për cenimin e demokracisë në Shqipërinë e Ramës

Në këmbim të besueshmërisë gjeopolitike, bashkëpunimit për emigrantët dhe kontrollit të kufijve, kryeqytetet perëndimore kanë toleruar centralizimin e pushtetit nga kryeministri. “Revolucioni Flamingo” ka vënë në pikëpyetje një pakt që rrezikon të nxisë pikërisht paqëndrueshmërinë që supozohej të parandalonte.

21:01 Gianluca Eramo

Me sytë katër

PAPARAZZI