Emisioni “Në Shënjestër” me autore Klodiana Lalën, solli këtë të martë të reja nga dosja hetimore për Altin Ndocin, i cili u arratis në mënyrë spektakolare më 13 janar, nga spitali rajonal i Durrësit.
Sipas dosjes hetimore, evidentohen një sërë shkeljesh të kryera nga Institucioni i Paraburgimit në Durrës ndaj këtij të burgosuri, duke nisur nga daljet e tij që nuk janë pasqyruar në asnjë komunikatë të aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Dhe po kështu në asnjë rast nuk është informuar për këto dalje, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.
“Më datë 13 Janar 2026, rreth orës 08:30 infermieri Aulon Quku, i ka kërkuar përgjegjëses së Sektorit Shëndetësor në IEVP Durrës, mjekes Ylfete Sema, që të hartonte një rekomandim për 4 të burgosur, që sipas tij kishin shqetësime shëndetësore me qëllim për të kryer ekzaminime të specializuara në Spitalin Rajonal Durrës.
Por kjo shtetase nuk e ka vizituar Altin Ndocin, në lidhje me shqetësimet e tij shëndetësore, por është mjaftuar vetëm me vënien në dijeni nga infermieri Aulon Quku i cili i ka bërë me dije se i burgosuri Altin Ndoci ka dhimbje veshkash dhe për këtë arsye është planifikuar për vizitë me kirurgun në spitalin e Durrësit”, thuhet në dosjen hetimore.
Por çfarë ndodhi ditën e arratisjes së Altin Ndocit 38 -vjeç, që ndodhej në paraburgim dhe i akomoduar në burgun e Durrësit që nga data 20 Maj 2020 pasi ndaj tij në bazë të disa vendimeve ishte përcaktuar masa e arrestit me burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin Organizuar për disa vrasje të kryera në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave si dhe grup i struktuar kriminal.
Cilët ishin orët që i paraprinë kësaj arratisje?
Përse mjekja e cila duhet të bënte fillimisht konstatimin paraprak të gjendjes shëndetësore të Altin Ndocit, nuk e bëri një gjë të tillë? Apo u anashkalua qëllimisht nga Kryeinfermieri Aulon Quku. Altin Ndoci që gjatë kësaj dite do të shoqërohej në spitalin e Durrësit për vizita mjekësore bashkë me katër të burgosur të tjerë. Por nga ajo që kuptohet është se mjekja e Burgut të Durrësit nuk i ka bërë asnjë vizitë paraprake Altin Ndocit, për të vlerësuar gjendjen e tij fillestare.
Sipas të dhënave hetimore, mjekja e burgut të Durrësit, Ylfete Sema, është mjaftuar vetëm me plotësimin e protokollit shëndetësor duke anashkaluar vizitën te pacientët që kishin shqetësime shëndetësore, midis tyre edhe Altin Ndoci.
Kjo është shkelja e parë që i ka mundësuar këtij të fundit vënien në jetë të planit për arratisjen nga burgu, që do të pasonte në orët në vazhdim, gjatë vizitës që ai presupozohej të bënte në Spitalin e Durrësit.
“Mjekja Ylfete Sema, pasi ka plotësuar kërkesën për vizitë mjeksore me të dhënat e të burgosurve, ia ka dhënë atë kryeinfermierit Aulon Quku, ku i paraburgosuri Altin Ndoci, është rekomanduar për konsultë me mjekun kirurg. Ky urdhër i është dërguar Shefit të komanduar Policisë Destemon Pazaj.
Por para dorëzimit të urdhërit tek shefi i policisë, Kryeinfermieri Aulon Quku ia ka dërguar këtë kërkesë drejtorit të burgut, i cili pasi e ka miratuar, ka ngarkuar si grup shoqërimi punonjësit e policisë Destemon Pazaj, Dorian Saraçi, Sali Ferrollari, Preg Marvataj dhe Fatjon Baci, me shofer Idajet Çalama”, thuhet në dosjen hetimore.
Edhe pse deri këtu në pamje të parë çdo gjë duket brenda normalitetit të rutinës së rregullores së një institucioni, në këtë rast atij të një burgu, grupi hetues ka vërejtur disa shkelje.
Ose disa tolerime që i kanë dhënë shkas më tej përgatitjes së skenarit të largimit nga burgu të Altin Ndocit.
Siç është edhe fakti që ky i burgosur është vlerësuar me risk standard arratisje.
Që do të thotë që ai nuk është vlerësuar për rrezikshmërinë e tij shoqërore, duke ulur kështu edhe parametrat e sigurisë së tij gjatë shoqërimit nga ambientet e burgut, në rastin konkret drejt Spitalit të Durrësit.
Ku Altin Ndoci kishte qenë disa herë në muajt e fundit dhe tashmë kishte një ide më të qartë se si duhet të vepronte në planin e tij për t’u arratisur.
“Policia e Burgut ka hartuar edhe planin e masave, duke caktuar si grup shoqërimi katër persona, si dhe ka kërkuar të bëhet kontrolli i automjetit, rruga e lëvizjes, si dhe bashkëveprimi me komisariatin e policisë Durrës.
Ku në dosje gjendet dhe listë kontrolli i treguesve të riskut më datë 4 Dhjetor 2025 për të paraburgosurin Altin Ndoci, ku në përfundim është vlerësuar me risk standard nga komisioni i vlerësimit në IEVP Durrës, konkretisht nga shefi i policisë, punonjësi social, juristi, mjeku dhe drejtori i burgut, Indrit Cerloj.
Pikërisht pasi kanë kryer këto procedura, në thelb burokratike, por që kanë të bëjnë më atë që ndodhi më pas, strukturat e burgut të Durrësit në bashkërendim me njëra-tjetrën, konkretisht shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor, kanë bërë edhe planifikimin e shoqërimit për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, të Altin Ndocit.
Vizitë e cila do kryhej brenda ditës ku automjeti që do të shoqëronte të paraburgosurin do të ndiqte të njëjtin itinerar si në vajtje ashtu edhe në kthim.
Lëvizje drejt Spitalit të Durrësit që do bëhej me autoambulancë.
Ku nuk dihet për çfarë arsye një nga efektivët e togës së shoqërimit, në këtë rast shefi i komanduar i policisë së burgut, Destemon Pazaj, është zëvendësuar në momentin e fundit.
Ku i pari ndër katër të parabugosurit që ishin planifikuar gjatë kësaj dite për vizitë mjekësore në Spitalin e Durrësit, ishte Altin Ndoci.
Dosja Hetimore
Pasi janë kryer të gjithë këto veprime, kryeinfermieri Aulon Quku ka komunikuar me Spitalin Rajonal Durrës, me qëllim realizimin e vizitave ose konsultave. Ku për shoqërimin e të paraburgosurve Altin Ndoci dhe G.K. kanë qenë të planizuar për t’i shoqëruar në Spitalin e Durrësit punonjësit e policisë Destemon Pazaj, i cili më tej është zëvendësuar nga punonjësi Aranit Çela, si dhe pesë të tjerë. Lëvizje e cila është kryer me furgonin autoambulancë të IEVP Durrës i modelit Fiat me targa AB 141 OU.
Pra i pari që u transpotua drejt Spitalit të Durrësit, ishte Altin Ndoci i cili kishte shfaqur probleme akute të shëndetit, në këtë rast të veshkave. Probleme të cilat ai i ka shprehur edhe gjatë transportimit me autoambulancë.
Dosja Hetimore
I pari që u transportua për në ambientet e pavionit të Infektivit në Spitalin e Durrësit, ishte i paraburgosuri Altin Ndoci. i cili edhe gjatë kohës që po transportohej kishte shfaqur ankesa për dhimbje.
Por me të zbritur nga autoambulanca, ajo që grupi hetues ka evidentuar është se grupi shoqërues i ka hequr prangat Altin Ndocit. Duke e shoqëruar atë pa pranga drejt ambienteve të brendshme të spitalit.
Urdhër i cili nuk dihet se nga kush është dhënë dhe përse u dha pikërisht në këtë moment. Ndërkohë që grupi shoqërues dhe Altin Ndoci kanë vazhduar rrugën në këmbë drejt hyrjes së spitalit.
Altin Ndoci i cili në vazhdim sikurse shikohet edhe nga konstatimet e grupit hetues, është lënë në momentin e fundit në shoqërinë e vetëm dy punonjësve të sigurisë. Nga 5 të tillë që ishin planifikuar në fillim për të bërë shoqërimin e tij.
Dosja Hetimore
Pas daljes nga furgoni, të paraburgosurit Altin Ndoci, i janë hequr prangat dhe është bërë shoqërimi i tij në këmbë për në dhomën e izolimit Nr. 7, në katin e tretë të Spitalit Rajonal. Dhomë e cila është e përshtatur me zgarë hekuri për të burgosurit. Shoqërimi i tij fillimisht është bërë nga grupi i sigurisë i përbërë nga; Dorjan Saraçi, Sali Ferrollari dhe Fatjon Baci. Dorian Saraçi i cili më pas është larguar për në drejtim të urgjencës tek grupi tjetër dhe më tej është kthyer në IEVP Durrës, duke e lënë të paraburgosurin Altin Ndoci, me punonjësit e policisë Sali Ferrollari dhe Fatjon Baci.
Është ky pikërisht momenti, kur Altin Ndoci, tashmë i mbetur në shoqërinë e vetëm dy prej punonjësve të sigurisë së burgut, vendos të arratiset. Fillimisht sipas planit, duke u shtirur vazhdimisht për dhimbje të vazhdueshme në zonën e veshkave. Dhe duke kërkuar herë pas here të shkojë në tualet. Gjë që i është miratuar. Por pasi ka parë se janë pjekur kushtet për t’u arratisur, ai ka ndërrmarrë hapin final të realizimit të skenarit. Atë të largimit, duke goditur fillimisht një nga efektivët që po e ruanin.
Dosja Hetimore
Kryeinfermieri i IEVP-së Aulon Quku ka komunikuar me doktorin, ndërkohë që mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, ka rekomanduar fillimisht mjekim dhe rikontroll pas 2 orësh.
Por gjatë kohës që Altin Ndoci ka qenë duke pritur për të marrë trajtimin mjekësor, ai ka vazhduar të ankohet shpeshherë për dhimbje të veshkave dhe për këtë arsye ai u ka kërkuar punonjësve të policisë ta shoqëronin në tualet.
Gjë të cilën ata e kanë bërë 4 herë. Por në një moment sapo i kanë hapur zgarën e hekurt për në tualet, Altin Ndoci ka goditur me grusht në mes të kraharorit punonjësin e policisë Fatjon Baci, i cili ka rënë mbi kolegun e tij Sali Ferrollari dhe të dy janë rrëzuar përtokë.
Çdo gjë tjetër më pas është një skenar filmi.
Një ndjekje e cila rezulton e pasuksesshme nga ana e dy efektivëve të policisë të cilët shikojnë Altin Ndocin të vrapojë nëpër koridoret e spitalit, drejt lirisë.
Me një përgatitje atletike të admirueshme, ndërkohë që një nga policët përpiqet më kot ta trembë duke qëlluar me pistoletë në tokë, pasi Altin Ndoci që duket se i ka harruar tashmë dhimbjet në veshka, është i bindur për të mos u ndalur në turravrapin e tij drejt lirisë.
Gjë që e bën duke parakaluar atë që duhet të ishte kordoni i sigurisë, por që në këtë rast mungoi.
Dosja Hetimore
Pasi i paraburgosuri Altin Ndoci, goditi me grusht në kraharor, efektivin Fatjon Baci, ai shihet teksa ikën me vrap nëpër korridor. Kohë gjatë të cilës dy punonjësit e policisë janë ngritur në këmbë dhe kanë filluar të vrapojnë pas tij.
Por në një moment efektivi Fatjon Baci ka rrëshqitur nëpër shkallë, dhe pasi është ngritur përsëri, ka vazhduar ndjekjen deri tek dalja. Aty, sapo ka dalë tek dera kryesore ai ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka gjuajtur një herë në tokë për ta trembur të arratisurin dhe për ta bërë të dorëzohet, por Altin Ndoci ka vazhduar të largohet me vrap.
Sipas dëshmisë të dhënë nga dy policët që ishin pjesa e mbetur e togës së shoqërimit, pasi kanë dalë në rrugën kryesore ata kanë mësuar nga banorë të zonës se Altin Ndoci kishte ikur në drejtim të kodrës dhe se aty e kishte pritur një makinë e zezë me targë AA 700 RS.
Ndërsa Fatjon Baci, një nga efektivët e angazhuar për ruajtjen e Altin Ndocit, tha se ai u përpoq të telefonojë numrin 129, por askush nuk iu përgjigj.
Ndërsa efektivi tjetër Sali Ferrollari tha se menjëherë pas ngjarjes ai kontaktoi me Specialisten e Informacionit ne IEVP Durrës shtetasen Violeta Uka.
“Unë kam 21 vite që punoj në burgje dhe aktualisht mbaj detyrën e shefit të sigurisë dhe të shoqërimeve, ku vetëm një javë më parë jam komanduar si shef policie, pasi shefi i policisë Afrim Zeqiraj është me leje të zakonshme. Detyra ime si shef i shoqërimit dhe ndërhyrjes është të ndjekë dinamikën e lëvizjes së të burgosurve sipas dokumentacionit dhe destinacionit të të burgosurve të paracaktuara në urdhrat e udhëzimit të Drejtorisë së Përgjithshme dhe të IEVP-së.
Altin Ndocin e njoh si të dënuar dhe në dijeninë time është shoqëruar dhe më parë për vizita mjekësore ku është ndjekur e njëjta procedurë”, mësohet të ketë thënë Destemon Pazaj, polici i burgjeve që u zëvendësua ditën e arratisjes së 38-vjeçarit nga spitali rajonal i Durrësit.
Në emisionin “Në Shënjestër”, u publikuan dëshmitë e personave përgjegjës për daljen nga ambientet e burgut dhe shoqërimin e Altin Ndocit, në spitalin rajonal të Durrësit.
Sipas dosjes hetimore, Ylfete Sema, me funksion mjeke e shërbimit shëndetësor në IEVP Durrës, ajo ka lëshuar pa kryer planifikim, si dhe pa kryer vizitë mjekësore, rekomandimin për pacientin Altin Ndoci vetëm me kërkesën e kryeinfermjerit Aulon Quku.
Po kështu ky i fundit me funksion Kryeinfermier pranë shërbimit shëndetësor në IEVP Durrës, ka kërkuar hartimin e rekomandimit për pacientin Altin Ndoci, nga ana e mjekes së shërbimit shëndetësor, pa marrë takim me të burgosurin, pa e vizituar atë, si dhe ka dorëzuar dorazi rekomandimin së bashku me propozimin për shoqërim në spital për të paraburgosurin Altin Ndoci, tek drejtori Indrit Cerloj, duke anashkaluar shefin e policisë së burgut. Fakt që provohet me deklarimin e mjekes Ylfete Sema dhe nga mospërputhjet e deklarimeve të drejtorit Indrit Cerloj dhe shtetasit Aulon Quku për takimin e këtyre të fundit referuar pamjeve filmike.
Por mesa duket këto nuk janë shkeljet e vetme të Kryeinfermierit Aulon Quku.
Gjithmonë sipas gjetjeve të grupit hetues. Pasi ndërsa duhet të kishte lajmëruar mjekun e planifikuar për vizitë në spitalin e Durrësit, ai nuk e ka bërë këtë gjë.
Duke ngritur shumë dyshime mbi veprimet apo edhe mosveprimet e tij.
Por ajo që duket se e komplikon më shumë pozitën e tij dhe atë të drejtorit të burgut të Durrësit, në këtë rast, Indrit Cerloj, është një takim midis tyre mëngjesin e ditës së arratisjes së Altin Ndocit, fillimisht jashtë dyerve të këtij institucioni.
Dhe më pas në zyrën e vetë drejtorit.
Takim i dokumentuar edhe nga pamjet filmike. Që fillimisht është mohuar nga të dy, por që është bërë i ditur në dëshminë e saj edhe nga mjekja e burgut, Ylfete Sema.
Dosja Hetimore
Gjatë kqyrjes së kamerave të sigurisë së institucionit kemi konstatuar një ndërveprim të dyshimtë midis Kryeinfermierit Aulon Quku dhe drejtorit Indrit Cerloj si dhe një marrëdhënie të ngushtë midis të dyve.
Ku vihet re një neglizhencë e theksuar e drejtuesit të IEVP-së Durrës.
Ajo që konstatohet fillimisht është se Kryeinfermieri Aulon Quku, nuk ka njoftuar para shoqërimit të të burgosurit, mjekun e planifikuar për vizitë mjekësore në mënyrë që të merreshin masat për kryerjen e vizitës në kohë.
Po kështu drejtuesi i IEVP Durrës, Indrit Cerloj, referuar deklarimeve si dhe pamjeve filmike, ka kryer takime me Kryeinfermierin Aulon Quku në ambientet e jashtme të këtij institucionit gjatë intervalit kohor 08:00-09:30, gjë që është mohuar nga të dy.
Si dhe gjatë këtij intervali kohor janë takuar edhe në ambientet e zyrës së tij, me qëllim për t’u njohur me propozimin për shoqërimin e të paraburgosurit Altin Ndoci dhe miratimin tij, duke anashkaluar procedurën standarde që ndiqet në rastet e shoqërimit të të dënuarve për shoqërim për vizitë mjekësore.
I pyetur nga grupi hetues, kryeinfermieri Aulon Quku mohoi çdo përgjegjësi në lidhje me ngjarjen.
“Unë quhem Aulon Quku dhe ushtroj detyrën si Kryeinfermier prej 12 vitesh në IEVP Durrës.
Më datë 13 Janar 2026 unë jam paraqitur në punë rreth orës 07:40 minuta, por duke qenë se zyra ime ishte e përmbytur shkova te Farmacia”, thuhet në dëshminë e kryeinfermierit të burgut.
Pasi mora kontakt me infermieret, të cilat dolën nga shërbimi 24 orësh, ato nuk më komunikuan ndonjë problematikë urgjente. Rreth orës 09:00, zyra e shëndetësisë nxorri urdhërin për të shoqëruar të burgosurit në spital.
Gjatë kësaj kohe unë takova me shefen e shërbimit, Ylfete Sema, e cila më dha rekomandimet për 3 pacientë të burgosur nga të cilët 2 duhet të shoqëroheshin në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës për vizitë mjekësore.
Kryeinfermieri i Burgut të Durrësit tha më tej se ai nuk pati asnjë kontakt me të paraburgosurin Altin Ndoci.
Madje as për të parë gjendjen e tij shëndetësore. Pasi kjo nuk ishte kompetenca e tij.
Ndërkohë që ai sqaroi edhe procedurën që ndiqet në të tilla raste për të burgosurin, deri në momentin kur ai dërgohet për vizitë në spital. Ku sipas tij është mjekja ajo që pasi merr kontakt me pacientin bën edhe rekomandimin e tij për vizitë në spital nëse e shikon të arsyeshme.
Propozim të cilin më pas ajo ia dërgon drejtuesit të IEVP Durrës, dhe pasi hartohet urdhëri nga policia e burgjeve, nënshkruhet nga tre persona respektivisht, drejtuesi, shefi i policisë dhe shefja e shëndetësisë.
Urdhëri që më tej i dorëzohet grupit që kryen shoqërimin.
Pjesë e grupit të shoqërimit ku është edhe vetë Kryeinfermieri, pasi duhet të gjejë mjekun specialist per të kryer vizitën sipas rekomandimit të mjekut të IEVP Durrës.
“Më datë 13 Janar 2026, unë nuk pata asnjë kontakt në ambientet e izolimit me shtetasin Altin Ndoci. Po kështu nuk e kam vizituar në lidhje me shqetësime shëndetësore, pasi nuk është detyrë ime funksionale të vizitoj të burgosurit.
Po kështu nuk i kam kërkuar shefes së shërbimit shëndetësor, YIfete Sema, hartimin e rekomandimit për vizitë mjekësore të Altin Ndoci, por këtë rekomandim ma ka dhënë vetë mjekja.
Gjithashtu nuk jam takuar me drejtorin e IEVP, gjatë intervalit 08:00-09:45”, thuhet në dëshminë e Aulon Qukut.
Ai vazhdon më tej, në dëshminë e tij se, ka dërguar propozimin e shefes së shëndetësisë në lidhje me 4 të burgosurit, ndër to dhe Altin Ndoci, tek zyra e sekretarisë që është në dhomën e drejtuesit, por jo tek drejtuesi i institucionit.
Por ndërsa Kryeinfermieri Aulon Quku, tha se ishte mjekja Ylfete Sema, ajo që kishte hartuar rekomandimin për vizitën në spital të të paraburgosurve, midis tyre dhe Altin Ndocit, shefja e shërbimit e mohoi një gjë të tillë në dëshminë e saj.
Duke thënë se ishte Aulon Quku, ai që kishte kërkuar hartimin e një rekomandimi për të paraburgosurit.
“Më datë 13 Janar 2026, unë jam paraqitur pranë IEVP Durrës, në orën 8.00.
Para orës 9:00, mua më është kërkuar nga Kryeinfermieri Aulon Quku hartimi i një rekomandimi për 3 të burgosur, që sipas tij kishin shqetësime shëndetësore.
Unë kam plotësuar urdhërin me të dhënat e të burgosurve dhe ia kam dhënë Kryeinfermierit, i cili e ka dërguar tek zyra e drejtorit për t’u konsultuar se për cilin nga të burgosurit do miratohet urdhëri për dalje, për vizitë mjekësore. Rekomandimi i datës 13 Janar 2026 është hartuar nga ana ime, por unë nuk e kam vizituar shtetasin Altin Ndoci”, thuhet në dëshminë e mjekes Ylfete Sema.
Po kështu, mjekja Ylfete Sema pranoi se në lidhje me shqetësimet që kishte paraqitur Altin Ndoci, ajo ishte informuar nga vetë Kryeinfermieri Aulon Quku i cili e kishte vënë në dijeni se i paraburgosuri kishte probleme me veshkat.
“Në dijeninë time më datë 13 Janar 2026, i paraburgosuri Altin Ndoci nuk ka zbritur për vizitë tek dhoma e mjekut, por lidhur mbi shqetësimet e tij jam vënë në dijeni nga Kryeinfermieri Aulon Quku. Në lidhje me procedurat që duhen të ndiqen ato janë; i burgosuri njofton nëpërmjet punonjësit të policisë ose infermierit që ndodhet 24 orë në shërbim, në lidhje me shqetësimet shëndetësore.
Pas ankesës ai vizitohet nga ana e mjekëve, por pas orës 16:30, mund të vizitohet nga infermieri i shërbimit.
Në mëngjes vizitohet i burgosuri dhe pasi vlerësohet gjendja e tij shëndetësore ose i jepet trajtimi aty ose në rastet kur duhet të marrë trajtim në spital, plotësohet një urdhër nga ana ime, në të cilin pasqyrohen të dhënat e të burgosurit, duke u konsultuar me Kryeinfermierin Aulon Quku.
Më pas urdhëri i dërgohet shefit të policisë. Por para dorëzimit të urdhërit tek shefi i policisë, kryeinfermieri ia dërgon fillimisht urdhërin drejtorit të institucionit për ta vlerësuar.
Pas miratimit të këtij të fundit, Kryeinfermieri e dërgon tek shefi i policisë dhe më pas ai komunikon me spitalin për realizimin e vizitave ose konsultave.
Spitalin e njofton Aulon Quku me detyrë Kryeinfermier, i cili ka kontakt me punonjësit e spitalit”, thotë mjekja Ylfete Sema.
Qëndrim mohues mbajti edhe drejtuesi i komanduar i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj i cili u mjaftua në dëshminë e tij dhënë përpara grupit hetues me faktin që ai ka ndjekur vetëm procedurën që ndiqet në të tilla raste.
Ndërkohë që ashtu si edhe Aulon Quku, mohoi që të kishte pasur një takim me të, në zyrën e tij, apo jashtë saj.
“Unë jam me detyrë drejtor pranë IEVP Durrës prej 2 muajsh. Ditën e ngjarjes unë jam paraqitur në zyrë në orën 8.00, ku kam qëndruar gjatë gjithë kohës.
Në lidhje me shoqërimin e të paraburgusurit Altin Ndoci, unë kam nënshkruar urdhërin që i bashkëlidhet praktikës me anë të së cilës urdhëroj policinë për marrjen e masave për shoqërimin e personave që do dalin jashtë ambienteve të IEVP Durrës.
Urdhërin për shoqërimin e të paraburgosurit Altin Ndoci ma ka vendosur në dispozicion sekretari. Ajo që dua të theksoj është se urdhëri përpilohet nga ana e Shefit të Policisë që në rastin konkret ka qenë shtetasi Destemon Pazaj; urdhër që shoqërohet me kërkesën nga ana e zyrës së mjekut të shëndetësisë, ku në rastin konkret më ka ardhur për 3 persona. Nuk kam dijeni se kush e ka depozituar kartelën e mjekut të hartuar nga ana e zyrës së shëndetësisë. Po kështu nuk mbaj mend që në zyrën time të ketë ardhur Kryeinfermieri, Aulon Quku.
Por ajo që di është se pas nxjerrjes së urdhërit tim për shoqërimin e shtetasit Altin Ndoci, është policia ajo që duhet të marrë të gjitha masat e duhura. Ndërkohë që shefi i policisë Afrim Zeqiraj është me leje që nga data 5 Janar 2026 për një periudhë 2 javore”, thuhet në dëshminë e drejtorit të burgut, Indrit Cerloj
Po kështu në cilësinë e personave që kanë dijeni apo që kishin përgjegjësi për ruajtjen e Altin Ndocit, ishin edhe efektivët që duhet të merreshin më sigurinë e tij.
Të cilët sipas gjetjeve të grupit hetues kanë vepruar në kundërshtim me rregulloret për trajtimin e të burgosurve apo të paraburgosurve.
Ashtu si në këtë shoqërim ku e lanë Altin Ndocin të lëvizë pa pranga.
Apo në mbikqyrje me më pak se tre punonjës policie.
Po kështu sipas grupit hetues janë shkelur procedurat në lidhje me njoftimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatit të Policisë Durrës, për shoqërimin e të paraburgosurit Altin Ndoci në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës.
Dosja Hetimore
Nga ana tjetër ka dyshime se edhe drejtori i IEVP Durrës shtetasi Indrit Cerloj, ka miratuar në kundërshtim me Urdhërin nr.142, dt.13 Janar 2026, për shoqërimin e të paraburgosurit Altin Ndoci në Spitalin Rajonal Durrës, në një kohë që nuk kishte verifikuar vizitën e mëparshme mjekësore të tij nga mjekja Ylfete Sema, si dhe më tej nuk ka kontrolluar dhe mbikqyrur zbatimin e rregullave nga Policia e Burgjeve për shoqërimin e të paraburgosurit në Spitalin Rajonal Durrës. /Marrë nga BalkanWeb