Pavlin Preka ishte 19 vjeç kur u vra në banesën e tij, më 26 Shkurt 2025 në fshatin Guci e Re në Shkodër. Ai ishte i dashuruar marrëzisht pas një vajze, 13-vjeç për të cilën kërkonte miratimin e familjes së saj që të martoheshin. Emisioni “Në Shënjestër” transmetoi këtë të martë detaje nga dosja hetimore ku sipas informacioneve nga njerëzit e afërt të viktimës, gjatë kontrollit të parë në vendngjarje, në afërsi të trupit të viktimës, u gjendën 6 gëzhoja arme zjarri pistoletë model 9 mm.
Nga kqyrja e parë e vendit të ngjarjes, 19- vjeçari ishte qëlluar me disa plumbe pistolete nga afër, më të hyrë në banesën e tij. Gjë që la të kuptohet nga ekspertët kriminalistë, se ai ishte ruajtur deri në mbërritjen e tij në banesë ose dikush kishte informuar me saktësi qitësi për lëvizjet e viktimës dhe faktin që ai kishte marrë rrugën për në shtëpinë e tij.
Por për grupin hetues vrasja e këtij të riu kishte një motiv të paqartë. Kjo për faktin se ai nuk ishte skeduar dhe nuk kishte një të shkuar apo të tashme kriminale. Madje nuk njihej në zonë as si kontingjent që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike. I pari që u pyet në lidhje me krimin ishte xhaxhai i viktimës. Nikollë Preka, i cili kishte banesën ngjitur me atë të vëllait të tij, ku aktualisht jetonte Pavlini. Aty ku ndërsa dëgjoi krismat, vrapoi i pari për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe ku gjeti të vrarë në pragun e derës, nipin e tij.
“Familjarët e Pavlinit jetojnë në fshatin Gjuraj-Plan, në njësinë Administrative Pult, Bashkia Shkodër. Unë e kam ngjitur banesën me atë të Pavlinit. Kur shkova për të parë se kush është në banesë, unë pashë që dera ishte hapur. Aty pashë Pavlinin të shtrirë në tokë”, ka deklaruar në polici xhaxhai i viktimës.
Nikollë Preka tha më të tej se ai si xhaxha i viktimës nuk kishte asnjë informacion se kush mund të ishin autorët e vrasjes së nipit të tij. Por ai sigurisht që e dinte shumë mirë se kush ishin personat me të cilët shoqërohej djali i vëllait të tij. Kjo edhe për faktin se fshati ishte i vogël dhe çdo lëvizje aty ishte e ditur. Pikërisht një nga këta persona ishte edhe Klaudio Lisaj. Shok i ngushtë me Pavlinin. Të cilët shikoheshin pothuajse bashkë në fshat dhe jashtë tij në shoqërinë e njëri-tjetri. Një përditshmëri të cilën e njihnin të gjithë.
Këtu ku fillon dhe merr rrjedhë një tjetër histori. Aq sa e komplikuar por edhe e vështirë për të kuptuar. Atë sesi viktimës Pavlin Preka, i kishte rënë në kokë për një vajzë disa vite më të vogël se vetja. E cila në fakt ishte vajza e dajës së Klaudio Lisaj-t, shokut me të cilin ai shoqërohej në pothuaj çdo ditë të jetës së tij në fshat. Pavlini i cili nuk e kishte lënë me kaq sevdanë e tij për vajzën që e kishte marrosur, por bashkë me xhaxhain e tij, Nikollën, kishin shkuar edhe t’i kërkonin dorën.
“Rreth dy vite më parë, nipi im Pavlini më tha se pëlqente një vajzë nga Pog-u dhe më kërkoi që të shkonim dhe t’i lypnim dorën. Unë pranova dhe bashkë me Pavlinin shkuam te familja e vajzës, babai i së cilës është Vasel Koçeku, ku qëndruam rreth një orë”, ka vijuar në deklaratën e tij, xhaxhai i Pavlin Prekës.
Sipas rrëfimit të xhaxhait të viktimës, babai i vajzës, të cilës ai nuk ia mban mend emrin, edhe pse i priti mirë, nuk u dha një fjalë atë ditë. Por ai zgjodhi t’i përcjellë, duke u thënë se për mirë a për keq, do u çonte haber së shpejti nëpërmjet personave të tjerë. Lajm që nuk vonoi të vijë, por që nuk la aspak të kënaqur kërkuesit. Të cilët nga ana e tyre prisnin një sihariq ndryshe, të gëzueshëm. Gjë që sipas xhaxhait të tij pezmatoi më së shumti vetë Pavlinin.
“Në atë kohë Pavlini ka qenë rreth 18 vjeç. Pasi u larguam ata na dërguan fjalë se nuk kishin asgjë kundra nesh si familje dhe si miq ‘por vajza është e vogël’. Për këtë arsye e mbyllëm si muhabet dhe nuk shkuam përsëri”, u shpreh në polici, Nikolin Preka.
Por ndërsa xhaxhai thotë se e mbylli këtë bisedë, kjo nuk ndodhi me Pavlinin i cili mesa duket nuk kishte ndërmend të hiqte dorë kaq kollaj nga vajza, të cilën ndjente se e dashuronte. Ndërkohë që nga ajo sa kuptohet ai nuk i kishte thënë as babait të tij lidhur mbi faktin që dashuronte një vajzë dhe kërkonte të martohej me të. Ashtu sikurse del se nuk e kishte njoftuar as për faktin që do shkonte bashkë me xhaxhain e tij t’i kërkonte dorën. Gjë që e rrëfeu në dëshminë e tij përpara grupit hetues vetë xhaxhai i Pavlinit.
"Ditën që lypëm vajzën te familja e Vasel Koçekut, unë shkova te banesa e vëllait tim në fshatin Gjuraj dhe i thashë se ishim te Koçekët për të kërkuar dorën e vajzës së tij, për Pavlinin. Por vëllai im Pjetri më tha se Pavlini nuk i kishte treguar gjë për këtë fakt. Ndërkohë që i thashë se ëma e vajzës që Pavlini kërkon të martohet është halla e dy shokëve të tij, Klaudio dhe Flori Lisaj”, - thotë në dëshminë e tij xhaxhai i viktimës. Por edhe pse iu kërkua të hiqte dorë nga vajza që dashuronte, Pavlin Preka nga sa kuptohet, jo vetëm nuk e bëri një gjë të tillë, por kishte ndërtuar në kokë edhe plane se si ta bënte të vetën përgjithmonë. Kjo edhe kundra dëshirës së familjes së saj. Ndoshta me bindjen se koha do të ishte ilaçi më i mirë dhe situatat do të vinin dhe do të normalizoheshin, pasi ai ta kishte bërë fakt të kryer lidhjen e tij me vajzën.
“Më datë 26 Shkurt 2025, rreth orës 10.30, Pavlini më mori në telefon dhe më tha se do ta grabiste vajzën e Vaselit. Unë nga ana ime i thashë ruaju, ki kujdes se ata janë fis i fortë. Por Pavlini ma preu shkurt duke më thënë se me ju nuk ka kush punë, se i rregulloj vetë punët e mia. Ndërkohë që nga ana tjetër, Pavlini më tha që të ruheshim 3-4 ditë, derisa të sqarohet situate”, thuhet në dëshminë e vëllait të Pavlin Prekës, Alfonsit.
Pra nga sa kuptohet familja e Pavlinit ishte në dijeni të plotë tashmë të planit të tij, për ta rrëmbyer vajzën. Ndërkohë që deri në këtë moment mbetet e paqartë nëse edhe vajza ishte dakord me këtë plan apo jo? Apo Pavlinit i kishte hipur aq keq në kokë për këtë vajzë, sa këtë nismë të rrezikshme, po e ndërrmerrte pa dijeninë dhe dëshirën e saj. Por ajo që lihet të kuptohet nga rrëfimet e të vëllai, është se Pavlini pasi kishte shkuar për herë të parë në familjen Koçeku me xhaxhain e tij, me kalimin e muajve kishte shkur sërish për të kërkuar dorën e vajzës, këtë herë me dajën e saj.
“Ajo që dua të them është se në dijeninë time, Pavlini e ka kërkuar këtë vajzë jo vetëm kur shkoi herën e parë me xhaxhain tonë, por disa muaj më pas, kur ka shkuar me dajën e vajzës, Nikolinin, në familjen e Koçekëve. Ku herën e dytë unë nuk e di se çfarë përgjigje i kanë dhënë”, ka thënë ai në polici.
Vëllai i viktimës që tregoi më tej se aq i marrosur ishte Pavlini, sa kishte nisur të shkruante nëpër gurë në fshat edhe emrin e vajzës, duke i shprehur asaj hapur dashurinë, pavarësisht kundërshtimit të familjes. Gjë që me siguri nuk do ketë mbetur pa u vënë re edhe nga familja e vajzës. Por edhe vetë fshati që tashmë ishte në dijeni të pëlqimit të vazhdueshëm të Pavlinit ndaj vajzës së Koçekëve si dhe të qëndrimit të tyre kategorik për t’ja dhënë vajzën 19 vjeçarit.
"Një ditë duke kaluar nga vendi i quajtur ‘Ura e Beut’, që ndodhet afër banesës së Pavlinit në fshatin Guci e Re, pashë të shkruar në asfalt ‘A***** Love’. Shprehje të cilën një shok më tha se kishte shkruajtur Pavlini”, thuhet në dosjen hetimore, referuar dëshmisë së vëllait të Pavlin Prekës.
Por aq shumë ishte fiksuar Pavlini pas kësaj vajze, sa kishte shkuar deri aty sa të bënte tatuazh edhe emrin e saj në qafë. Gjë që e dinin edhe shokët e tij, midis tyre edhe kushërinjtë e vajzës, me të cilët ai shoqërohej.
“Nga ajo që unë di është se Pavlini ka dashur një vajzë, me emrin ‘A*****’, të cilës nuk ia di mbiemrin, por që Pavlini ia kishte bërë emrin tatuazh në qafë. Mesa mbaj mend, Pavlini më kishte thënë se këtë vajzë e kishte parë në Dukagjin, kjo pasi edhe familja e tij ka një shtëpi atje, por jetojnë në Shkodër. Pavlini më ka thënë gjithashtu se kësaj vajze i ka kërkuar dorën te shtëpia e saj, por nuk ia kanë dhënë. Ajo që dua të them është se një ditë bashkë me Pavlinin dhe një shokun e tij që e thërrasin Flori, por që mbiemrin nuk ia mbaj mend, ishim te një shtëpi që familja ime ka në fshatin Gimaj në Dukagjin. Gjatë kohës që ishim aty Pavlini më tha ‘Ma lër këtë shtëpinë 2-3 ditë pasi do ta marr atë vajzën, dhe të vi të rri te shtëpia jote’. Por unë ia preva shkurt dhe i thashë që nuk ta lë”, thuhet në dëshminë e Edilion Tërthorja.
Por çmenduria e Pavlinit, nuk kishte ndërmend të ndalej këtu. Pasi siç thotë një nga shokët me të cilët ai shoqërohej, ai po kërkonte një banesë ku të qëndronte me vajzën, pasi ta kishte rrëmbyer. Dhe këtë plan nuk e kishte aspak sekret. Por e shprehte edhe në prani të kushërinjve të vajzës, me të cilët ndante përditshmërinë.
Sipas dëshmisë së një prej kushërinjve të tij, Edilion Tërthorja, mes emrave që Pavlini kishte shumë miqësi ishte Klaudio Lisi, kushëriri i parë i vajzës që Pavlini kërkonte të rrëmbente. Me të cilin viktima lëvizte shpesh në zonën e Dukagjinit.
“Pavlini ikte shpeshherë në Dukagjin dhe kishte ditë të tëra që nuk e shikonim fare. Pastaj kur vinte në Shkodër na thërriste për të ndenjur për qejf në lagje. Nga ajo që di është se ai ka pasur shumë shok Klaudio Lisin, me të cilin ai më thoshte që rri me të, kur shkon në Dukagjin”, thuhet në dëshminë e Tërthores.
Por në dijeni të planit për rrëmbimin e vajzës, nuk ishin vetëm shokë apo edhe familja e ngushtë e Pavlin Prekës. Por edhe njerëz të tjerë në lidhje farefisnie, të cilëve Pavlini po u kërkonte një banesë për t’u strehuar me vajzën pasi ta rrëmbente. Ku ai u thoshte se vajza ishte dakord, por nuk ishte familja e saj. Ashtu siç ishte në dijeni edhe bashkëshorti i tezes së tij, të cilit një ditë ai ai brofi në derë për t’i kërkuar ndihmë pikërisht për vënien në jetë të këtij plani.
“Pavlini ishte djali i motrës së gruas sime. Unë vrasjen e tij e kam marr vesh nga televizori. Me familjen e babait të tij Pjetrit kemi lidhje familjare. Pasi motra e bashkëshortes time ka qenë gruaja e Pjetrit. Vetëm 3 apo 4 ditë para se të ndodhte ngjarja, Pavlini më telefonoi, dhe unë i thashë jam te shtëpia, në fshatin Ndreaj në Dukagjin. Ai nuk vonoi dhe erdhi aty bashkë me dy djem të rinj. Në fillim nuk e njoha pasi ishte rritur. Pasi mu prezantua, qëndruam në oborr. Më pas ai u veçua dhe më tha se donte të më thoshte diçka. Pasi u distancuam disi, Pavlini më tha se donte të sillte një vajzë te shtëpia ime për disa ditë”, thuhet në dëshminë e Zef Shpores, burrit të tezes së viktimës.
I dyzuar lidhur mbi qëndrimin e Pavlinit dhe mënyrën se si apo sillej, Zef Shporja rrëfeu më tej se i ndodhur në një situatë të pakëndshme, i ofroi Pavlinit një zgjidhje tjetër, më të logjikshme. Atë të bisedës me familjen e vajzës, ku ai i premtoi Pavlinit se do të shkonin së bashku, me qëllim për ta bindur familjen e saj, që t’ja Pavlinit, vajzën për nuse. Por edhe këtë herë nga sa shikohet Pavlini u largua, duke thënë se do ta zgjidhte vetë këtë punë. I bindur mesa duket se e vetmja rrugëzgjidhje do të ishte rrëmbimi i vajzës.
“Unë e pyeta Pavlinin se kush është kjo vajzë dhe ai ishte ajo dakord të vinte me të. Pavlini m’u përgjigj se ajo ishte dakord, por familja jo. Atëherë unë i thashë më trego kush është vajza sepse flas unë me famljen e saj, nëse ajo është dakord, dhe kështu e rregullojmë këtë punë. Por Pavlini m’u përgjigj duke më thënë: ‘Ti veç më thuaj a ta sjell këtu apo jo, sepse unë e rregulloj vetë atë punë”, vijohet në dëshminë e Zefit.
Pavarësisht nga insistimi i bashkëshortit të tezes së tij, për t’i treguar emrin e vajzës që kërkonte të rrëmbente, Pavlini nuk e tregoi atë. Por pasi u refuzua në ndihmën që kërkoi u largua nga banesa ku ndodhej bashkë me dy shokët e tij, për të mos u kthyer më aty. Ndërsa emri i tij do të dëgjohej vetëm pas disa ditës teksa u gjend i vrarë në oborrin e banesës ku jetonte në fshatin Guci e Re, nga plumbat e një pistolete. Zef Shporja që kujtoi se gjatë bisedës që pati me të, Pavlini ishte i papërqëndruar dhe nuk e shikonte kurrë në sy.
“Pavlini nuk më tregoi për emrin e vajzës, pavarësisht se unë insistova duke i thënë më trego se mund të jetë edhe gjak i yni dhe nuk bën të martohesh me të. Por ai më tha: ‘Pa merak se jam interesuar për këtë pjesë’. Por unë i thashë se nëse nuk më tregon se për kë bëhet fjalë unë nuk kam sesi të të lë të vish te shtëpia ime me një vajzë të huaj, pa ditur asgjë për të. Kaq biseduam dhe ai u largua me një Fuoristradë”, thuhet në dëshminë e burrit të tezez së Pavlinit.
Në dritën e këtyre fakteve dhe planeve që viktima Pavlin Preka kishte për të rrëmbyer një vajzë, të cilës i kishte kërkuar disa herë dorën në familje, por i ishte refuzuar, grupi hetues ngriti dyshim se vrasja e të riut, lidhej me një çështje që kishte të bënte me nderin. Dhe që me siguri të përfshirë ishin familjarë të vajzës. Dyshim që u përforcua edhe më shumë nga thëniet e kundërta që bëri në polici, Klaudio Lisaj. Që ishte njëkohësisht edhe shok i ngushtë me Pavlinin, por edhe djali i hallës së vajzës që viktima dashuronte. Klaudio Lisaj që njihte çdo lëvizje të Pavlinit, por njëkohësisht ishte në brendësi të historisë së dashurisë që Pavlini kishte krijuar në kokë, për kushërirën e tij.
“Nga kqyrja e tabulateve telefonike të numrit në përdorim nga viktima Pavlin Preka si edhe nga ato në përdorim nga shtetasi Klaudio Lisi, del se më datë 26 Shkurt 2025, në orën 20.43, mbrëmjen e vrasjes, midis tyre ka pasur një telefonatë, e cila ka zgjatur rreth 3 minuta. Gjë që Klaudio Lisi nuk e përmendi në deklarimin e tij të parë në polici. Ndërkohë që po ditën e ngjarjes, nga analiza e tabulateve telefonike, rezulton se babai i vajzës, Vasel Koçeku, ka qenë në zonën e Dukagjinit në Njësinë Administrative Pult, dhe më pas është kthyer pasditen e kësaj date në Shkodër në banesën e tij”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ajo që krijoi bindjen te grupi hetues se vrasja e Pavlinit, ishte kryer nga Vasel Koçeku, babai i vajzës që ai kërkonte të martohej, ishte një përgjim ambiental, brenda ambienteve të komisariatit midis dy vëllezërve. Në këtë rast kushërinjve të vajzës dhe njëkohësisht shokë me viktimën. Konkretisht Klaudio Lisaj dhe vëllait të tij Flori Lisaj. Ky i fundit që në këtë kohë ndodhej në paraburgim për një vepër tjetër penale. Përgjim që vinte disa muaj pasi ishte ekzekutuar Pavlin Preka.
Gjatë transmetimit të dokumentarit në emisionin “Në Shënjestër”, u publikuan detaje nga dosja hetimore ku ndër të tjera janë dhe përgjimet ambientale të datës 6 maj 2025 në ambientet e IEVP-Kukës, ku shoku i ngushtë i viktimës Pavlin Preka, Klaudio Lisaj dhe vëllai i tij Flori Lisaj, i cili ndodhet në paraburgim për një vepër tjetër penale, bisedojnë rreth vrasjes. Nga biseda rezulton se Klaudio Lisaj dyshohet që ka dijeni për ngjarjen dhe autorët, pasi thëniet e tij përputhen me dinamikën e krimit.
Klaudio Lisaj: ‘Zi si korbi”
Flori Lisaj: Axhi?
Klaudio Lisaj: ‘Po’
Flori Lisaj: Me ka?
Klaudio Lisaj: Axhi..
Flori Lisaj: Ma mori menja,..a kjet me foristradën e tij?
Klaudio Lisaj: ‘Po’. Asht i papam e ka vra jasht në verand… e ka vra në sy”, thuhet në dosjen hetimore.
Njëkohësisht në pyetje nga grupi hetues u morën edhe prindërit e vajzës që duket ishte kthyer në mollë sherri midis viktimës Pavlin Preka dhe tyre. I pari që u pyet ishte Vasel Koçeku, i cili tha se vrasjen e Pavlinit e kishte mësuar nga televizori. Dhe se kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të të riut, ditën e varrimit. Lidhur mbi kërkesën e Pavlinit për t’u martuar me vajzën e tij, ai pranoi se i riu kishte ardhur disa herë te ai, por ai si baba e kishte refuzuar këtë lidhje me pretendimin se vajza ishte e vogël dhe duhet të mbyllte shkollën njëherë. Ndërkohë që Pavlini kishte mohuar që ai dhe vajza të kishin pasur ndonjë kontakt me njëri-tjetrin.
“Në lidhje me ngjarjen unë atë e kam mësuar nga televizori dhe kam qenë e pranishëm edhe në ceremoninë mortore të varrimit. Pavlinin e njoh pasi rreth 2-3 vite më parë, ai ka ardhur në banesën time në fshatin Pog, bashkë me xhaxhai e tij Nikollën, ku ky i fundit më shprehu dëshirën për miqësi dhe për t’ë marrë vajzën time nuse për nipin. Por unë i thashë se vajza është shumë e vogël, rreth 13 vjeçe. Por vetëm disa muaj më vonë, Pavlini më kontaktoi sërish në telefon, ku më kërkoi që të takoheshim. Takim që ndodhoi pranë banesës time dhe biseda u zhvilluar nga makina, ku ai sërish insistoi, por unë ia bëra të qartë se vajza është ende e mitur dhe i kërkova të dija nëse kishte pasur ndonjë kontakt me të, gjë që ai ma mohoi”, thuhet në dëshminë e babait të 13-vjeçares, pas së cilës ishte marrosur viktima.
Por në mëdyshje për sinqeritetin e Pavlinit, Vasel Koçeku, tha se me t’u kthyer në banesë atë ditë, ai pyeti edhe vajzën nëse kishte kontakte me të riun. Gjë të cilën edhe ajo sipas tij e mohoi. Ndërsa ndryshe nga dëshmitarët e tjerë ai mohoi po kështu të kishte më komunikime me Pavlin Prekën. Apo që ky i fundit t’i kishte sjellë njerëz në shtëpi, apo të kishte ardhur me ta, për t’i kërkuar dorën e vajzës. Siç është edhe një nga dëshmitë që flet për vajtjen e Pavlinit bashkë me dajën e vajzës, për të kërkuar dorën. Pasi ishte refuzuar herën e parë, kur kishte shkuar në familjen Koçeku, bashkë me xhaxhain e tij.
“Unë nuk kam dijeni për autorët e ngjarjes. Pas bisedës që bëmë në rrugë, unë nuk pata më kontakte me Pavlinin.Pasi u ktheva në banesë, unë e pyeta vajzën nëse kishte folur ndonjëherë me Pavlin Prekën, por ajo ma mohoi një gjë të tillë. Në lidhje me vendndodhjen time në datat 26-27 Shkurt 2025, unë nuk e kujtoj me saktësi itinerarin, por besoj se kam qenë në banesën time, në Hot të Ri. Ndërsa ajo që dua të theksoj është se Pavlini kishte marrëdhënie të mira me nipin e gruas time, Klaudio Lisaj, por vetë personalisht nuk kam marrëdhënie të shpeshta me familjarët e gruas”, thuhet në dëshminë e tij.
Të njëjtin qëndrim mohues mbajti edhe bashkëshortja e Koçekut, Age, e cila u kujdes të theksonte se pasi mësoi mbi vrasjen e Pavlinit, bashkëshorti i saj, kishte marrë pjesë në gjamë. Ndërsa mohoi që familjarë të saj të kishin njohje të ngushtë me viktimën, Pavlin Preka.
“Unë nuk kam dijeni që Pavlin Preka të ketë njohje shoqërore me ndonjë nga familjarët e mi. Përsa i përket Klaudio Lisaj, ai është djali i vëllait, por nuk jam takuar shpesh me të. Ndërsa bashkëshorti im ka marrëdhënie normale me familjarët e mi, por nuk ka afrimitet të madh.Përsa i përket vajzës ajo është fejuar që në muajin gusht të këtij viti dhe gjithçka është bërë me dëshirën e saj, pasi ka njohur një djalë”, thuhet në dëshminë e gruas.
Por me interes për grupin hetues, ishte edhe dëshmia e vajzës, dorën e së cilës pretendonte viktima Pavlin Preka. Nga hetimet e deritanishme të prokurorisë për vrasjen e Pavlin Prekës, në 26 shkurt të vitit të kaluar, mendohet se nuk ka patur asnjë konflikt dhe pistë tjetër që mund të çojë në vrasjen e shtetasit Pavlin Preka, përveç përpjekjeve të tij për të qenë me vajzën e të dyshuarit Vasel Koçeku dhe refuzimit të këtij të fundit për t’i dhënë dorën e vajzës. Emisioni “Në Shënjestër” ka publikuar dhe dëshminë e vajzës e cila u shpreh se nuk kishte asnjë kontakt me të riun. Madje, sipas saj, shumë vonë e ka marrë vesh arsyen përse ai kishte mbërritur herën e parë në banesën e tij. Kjo vetëm pasi babai i saj e kishte pyetur nëse kishte kontakt me Pavlin Prekën.
“Unë nuk e kam njohur më parë shtetasin Pavlin Preka. Ajo që di është se 2 apo 3 vitë më parë ai ka ardhur bashkë me xhaxhain e tij në banesën tonë ku është pritur nga babai im. Unë në atë kohë nuk kisha dijeni për arsyen e kësaj vizite. Motivin e mësova një vit më vonë, kur babai më pyeti nëse ky person më kishte dalë ndonjëherë përpara, gjë që unë e mohova. Unë me këtë shtetas nuk kam komunikuar kurrë as në rrjetet sociale. Lidhur mbi vrasjen e tij unë kam parë një postim në ‘Instagram; nga një prej djemve të dajës që shkruante: U ndave nga jeta kusho’. Por unë nuk kam dijeni për ndonjë konflikt të babait tim apo të kushërinjve të mi, me të ndjerin.
Dhe as në familje nuk është diskutuar kjo ngjarje. Në lidhje me Klaudio Lisaj njihemi pasi ai është kushëriri dhe kemi marrëdhënie shumë të mira, por nuk di të them për njohjen e tij shoqërore me viktimën. Përsa i përket babait tim, në shumicën e kohës ai rri në shtëpi, por për shkak të profesionit si shofer ambulance i urgjencës, ai largohet vetëm kur ka thirrje urgjente për të ndihmuar persona të sëmu Nga hetimet del se ditën e ngjarjes ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë midis viktimës dhe të dyshuarit Klaudio Lisaj”, thuhet në dëshminë e saj.
Por ndërsa dha këtë dëshmi, përgjimet ambientale sidomos midis të bijës dhe nënës së saj, dhanë një tjetër panoramë të ngjarjes. Ndërsa sipas grupit hetues Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, nuk patën asnjë komunikim në vazhdim midis tyre.
Dosja Hetimore: "Gjatë përgjimit ambiental të shtetasve Vasel Koçeku, Age Koçeku, dhe vajzës së tyre Arsina Koçeku si dhe Klaudio Lisaj, janë përftuar biseda me interes midis shtetaseve Age Koçeku dhe A. Koçeku për autorët e dyshuar, si dhe për rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Ndërsa, midis të dyshuarëve Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, nuk ka pasur asnjë komunikim".
Do të ishin këto fakte dhe dyshime të arsyeshme që 10 muaj pas ndodhjes së krimit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksioni Shkodër, të nxirrte një urdhër ndalimi për shtetasin Vasel Koçeku, babain e vajzës që pretendonte viktima Pavlin Preka. Si edhe për shokun e tij të ngushtë dhe njëkohësisht kushërirën e vajzës, Klaudio Lisaj. Të cilët akuzohen për veprat penale ‘Vrasje me paramendim’, e kryer në bashkëpunim. Shtetas të cilët gjatë ndalimit të tyre refuzuan të jepnin sqarime mbi akuzën që iu atribuohet.
Dosja Hetimore: "Nga hetimi i deritanishëm, nuk rezulton asnjë konflikt dhe pistë tjetër që mund të çojë në vrasjen e shtetasit Pavlin Preka, përveç përpjekjeve të tij për të qenë me vajzën e të dyshuarit Vasel Koçeku dhe refuzimit të këtij të fundit për t’i dhënë dorën e vajzës".
Nga hetimet del se ditën e ngjarjes ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë midis viktimës dhe të dyshuarit Klaudio Lisaj. Komunikim që ky i fundit nuk e ka deklaruar duke u shprehur se kishte folur me viktimën katër ditë para ngjarjes. Po kështu Klaudio Lisaj ka shmangur deklarimin mbi raportin që viktima kërkonte të krijonte me vajzën e Vasel Koçekut. Pavarësisht se ekziston lidhje gjinore e drejtpërdrejtë e tij me familjen Koçeku si dhe marrëdhënia shumë e ngushtë shoqërore me viktimën, i cili emrin e vajzës e kishte të tatuazhuar në qafë, fakt i njohur ky në rrethin shoqëror.
Në këto kushte, Gjykata çmon se është objektivisht e pamundur që Klaudio LISAJ të mos kishte dijeni për këtë raport të tentuar dhe për refuzimin e familjes së vajzës. Por po kështu Gjykata çmoi në masën e ndalimit edhe provat që implikojnë babain e vajzës si edhe kundërthëniet e tyre të cilat kanë çuar Prokurorinë në dyshimin e arsyeshëm se Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në vrasjen e 19 vjeçarit, Pavlin Preka, mbrëmjen e datës 26 Shkurt 2025 në fshatin Guci e Re në Shkodër në oborrin e banesës së tij.
Dosja Hetimore: "Nga tabulatet telefonike rezulton se ditën e ngjarjes, datë 26 Shkurt 2025, i dyshuari Vasel Koçeku ka qenë i loguar në zonën e Dukagjinit, Njësia Administrative Pult dhe më pas është kthyer pasditen e të njëjtës ditë në Shkodër. Gjë për të cilën as ai, as familjarët e tij nuk japin të dhëna të sakta dhe të verifikueshme. Po kështu nga përgjimi ambiental pranë IEVP Kukës, ku ndodhet vëllai i të dyshuarit Klaudio Lisaj, janë përftuar biseda me interes hetimor, të cilat nga përmbajtja dhe konteksti, dyshohet se i referohen drejtpërdrejt vrasjes së viktimës Pavlin Preka.
Ku krijohet dyshimi i arsyeshëm se: ‘Shtetasi Vasel Koçeku ka luajtur rolin e organizatorit dhe ekzekutorit të viktimës Pavlin Preka për shkak të informacioneve që kishte se viktima donte ti ‘rrëmbente’ vajzën e tij, duke qenë se ata e kishin refuzuar për fejesë. Dhe me ndihmën e Klaudio Lisaj dhe lidhjes së ngushtë që ai kishte me viktimën, i cili e ka thirur me telefon në momentin para ngjarjes, gjatë kësaj kohe ekzekutori ka shkuar në banesë dhe e ka gjetur viktimën në oborr ku e ka qëlluar disa herë duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas janë larguar, duke fshehur edhe provat e ngjarjes". /Marrë nga BalkanWeb