Në betejën gjyqësore që po mban të bllokuar aeroportin e Vlorës bie në sy vendimi që mori gjykatësja e Shkallës së Parë Marjana Shegani, e cila në datën 23 dhjetor riktheu bllokimin e punimeve të aeroportit duke përmbysur vendimin e Gjykatës së Apelit që ishte dhënë vetëm 24 orë më parë.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte vendosur që pavarësisht mosmarrëveshjeve mes dy ortakëve, Valon Ademit me 2% dhe Behgjet Pacollit me 98%, puna të vazhdonte në aeroport. Kompanisë Mabco të Pacollit i hapej rruga për një votim në Asamble, që nënkuptonte rifillimin e punimeve për aeroportin e Vlorës.
Skandali i bllokimit të Aeroportit të Vlorës/ Çfarë po luhet në prapaskenë
Vendimi ishte i qartë. Apeli e kufizon masën e sigurimit vetëm te çështja e kuotave, duke theksuar se “në raport me objektin e padisë dhe ‘rreziqeve’ të evidentuara, në parim i vetmi kërkim që mund të rrezikohet të ekzekutohet, pasi vendimmarrja e gjykatës mund të mbetet pa objekt, është ai për detyrimin e palës për të njohur pronësinë mbi kuotat në masën 47% në shoqërinë VIA”. Të gjitha kërkesat e tjera, përfshirë ato që lidhen me regjistrime në QKB apo pavlefshmëri vendimmarrjesh të MABCO-s si ortak, sipas gjykatës “nuk kanë arsye që të sigurohen, pasi edhe në teori nuk ekziston pamundësia e ekzekutimit apo që vendimmarrja e gjykatës të mbetet pa objekt”.
[caption id="attachment_1056788" align="alignnone" width="2510"]
Pjesë nga vendimi i Apelit për aeroportin e Vlorës, në mosmarrëveshjen mes dy aksionerëve[/caption]
Në këtë kuptim, masa e vetme që Gjykata e Apelit e konsideron të justifikuar është pezullimi i çdo veprimi për tjetërsimin e 47% të kuotave, deri në përfundim të gjykimit, pikërisht sepse rreziku i vetëm real lidhet me transferimin e tyre te palë të treta.
Vetë vendimi nënvizon se “kjo është e vetmja masë që justifikohet të merret mbi shkakun ku e bazon kryesisht pretendimin pala kërkuese”, duke e lidhur rrezikun konkret me marrëveshjen ndërmjet MABCO Construction SA dhe Delphos Securities SARL.
Çdo interpretim që e përdor këtë vendim për të legjitimuar përjashtimin e investitorit mazhoritar, apo për të njohur de facto administrimin e një ortaku minoritar, është jashtë arsyetimit të Apelit dhe bie ndesh me vetë tekstin e vendimit.
Por para se të jepej vendimi në Gjykatën e Apelit, Valon Ademi depozitoi paralelisht një kërkesë tjetër për sigurim padie në gjykatën e Shkallës së Parë dhe këtu i doli në krah gjykatësja Marjana Shegani.
Në shpërfillje të Apelit që mori vendim në 22 dhjetor, Marjana Shegani e Shkallës së Parë dha një vendim të paprecedent në 23 dhjetor që përmbys krejtësisht hierarkinë e gjykatave. Shegani vendosi bllokimin sërish të votimit në Asamblenë e kompanisë Vlora International Aeroport, çka nënkuptonte bllokimin e punimeve në aeroport.
Në një letër për ambasadën zviceriane, avokatët e MABCO konsideruan se me këtë vendim të Shkallës së Parë gjykatësja "ka shkelur dhe ka injoruar haptazi dhe pa asnjë hezitim një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, duke marrë një vendim diametralisht të kundërt pa kaluar as 24 orë nga momenti kur Vendimi i Apelit ishte shpallur dhe ishte bërë i njohur për palët, vetë gjykatësen por edhe botërisht".
Por vendimi i marrë së fundmi nga gjykatësja Marjana Shegani nuk është episodi i parë ku ajo vihet në qendër të kritikave për figurën si gjykatëse. Dokumentet e procesit të vettingut tregojnë se ajo është skualifikuar nga sistemi i drejtësisë pas konstatimeve serioze lidhur me deklarimin e pasurisë, fshehjen e saj dhe mungesën e burimeve të ligjshme financiare.
Në raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, të administruar nga KPK, evidentohet qartë se për gjykatësen Shegani:
1) “deklarimi nuk është i saktë në përputhje me ligjin”,
2) “nuk ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë”,
3) “ka kryer fshehje të pasurisë” dhe
4) “ka kryer deklarim të rremë”
Një nga gjetjet kryesore lidhet me blerjen e apartamentit 113 m², për të cilin KPK konstatoi se dy këstet e para janë paguar përpara marrjes së kredisë bankare, pa burime të provuara financiare. Në vendim thuhet se subjekti: “nuk kishte pasur mundësi financiare në shumën 1 milion e 677 mijë e 838 lekë, për të paguar dy këstet e para të kësaj pasurie.
Për të mbuluar këtë mungesë, Shegani deklaroi gjatë hetimit një hua nga motra, por KPK konstatoi se: “nuk rezulton që kjo hua të jetë deklaruar as në deklaratën periodike të vitit 2003 dhe as në deklaratën Vetting”.
Komisioni arriti në përfundimin se familja e motrës nuk kishte mundësi reale financiare për dhënien e kësaj huaje, duke krijuar bindjen se ajo nuk mund të merrej në konsideratë si burim i ligjshëm.
Një tjetër gjetje e vettingut lidhet me fshehjen e një garazhi 23.5 m², i cili nuk ishte deklaruar ndër vite. KPK konstaton se ka pasur: “fshehje në deklaratat e interesave private, ndër vite, të dorëzuara në ILDKPKI të garazhit me sip. 23.5 m²”.
Këto probleme janë evidenuar nga trupa e vetingut në kontrollin e pasurisë dhe për këtë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta skualifikojë Marjana Shegani nga trupa e gjyqësorit, një vendim që u përmbys më pas nga Komisioni i Apelimit, organ që e riktheu këtë gjykatëse në detyrë.
E pandehura Balluku futet në Aeroportin e Vlorës/ Palë me pakicën 2% të Valon Ademit
Në këtë pikë, çështja e aeroportit të Vlorës dhe vendimi i gjykatëses Marjana Shegani nuk mund të lexohen të shkëputura nga e shkuara institucionale e saj. Nga njëra anë qëndron një konflikt gjyqësor që ka mbajtur të bllokuar një investim strategjik, nga ana tjetër një vendim i vettingut që ka evidentuar probleme serioze në deklarimin e pasurisë dhe në besueshmërinë e saj si gjyqtare. Pa hyrë në vlerësime personale, këto dy elementë, të vendosura krah për krah, ngrenë një pikëpyetje legjitime mbi integritetin e sistemit gjyqësor në çështje me interes publik të lartë.