Sipas kryetarit të partisë së re "Mundësia", Agron Shehajt, është e papranueshme që zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm të zhvillohen menjëherë pas vizitës së liderëve europianë në Tiranë në kuadrin e vizitës së Komunitetit Politik Europian.
Pas vizitës me Presidentin Begaj, për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve, Shehaj u pyet nga gazetarët nëse ishte kundër datës 11 maj për zgjedhjet, pavarësisht se në datën 9 maj mund të mbahet takimi i Komitetit Politik Europian. Pra një vizitë e kryeministrave dhe kancelarëve të Europës në Tiranë, fare pranë ditës së zgjedhjeve.
"Unë mendoj që është absolutisht e papranueshme dhe e padobishme dhe me një ndikim shumë të madh në procesin zgjedhor të ardhshëm nëse një event kaq i rëndësishëm, siç është ai i Komunitetit Politik Europian jo vetëm të mbahet dy ditë, para por edhe sikur të mbahej një javë para apo një muaj para, kjo do ishte absolutisht e panevojshme.
Kshuqë unë nuk e di nëse është vendosur për datën 9 për takimin e ECP-së, por pikërisht këtë i thashë edhe Presidentit, që ai nuk mund të vendosi datën e zgjedhjeve të ardhshme duke u bazuar në informacione të paverifikuara. Presidenti i Republikës duhet të komunikojë zyrtarisht me organizatorët e takimit të Komunitetit Politik Europian dhe ti thotë, pasi të ketë marrë informacion në radhë të parë nëse kanë vendosur kur do ta mbajnë, por sidomos nëse nuk është vendosur, tu kërkojë atyre që mos ta mbajnë këtë takim në Shqipëri para zgjedhjeve.
Le ta bëjnë pas zgjedhjeve, nuk besoj se kjo do ishte problem i madh për ata, kurse për ne absolutisht që është një problem shumë i madh sepse partia në pushtet sigurisht që do ta përdorte këtë eveniment si një vlerësim për qeverinë shqiptare dhe jo për kombin.”