Teksa sondazhet në SHBA janë ende të paqartë se kush do të dalë fitues nga zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama i ka zbutur disi nuancat "pro-trump" me të cilat e përshkruajnë Edi Ramën mediat amerikane, që kur negocioi një investim të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump në ishullin e Sazanit, me shpresë se kjo mund t’i hapë nesër një dritare komunikimi në Shtëpinë e Bardhë.
Bashkëshortja e kryeministrit ka dalë publikisht në mbështetje të Kamala Harris, kandidates demokrate për garën presidenciale në SHBA, në parathënien e botimit shqip të librit të Kamala Harris “Të vërtetat që mbartim”. Mes rreshtave, dallohet admirimi me të cilin Linda Rama përshkruan kandidaten demokrate, që njihet gjerësisht si zv.presidentja e parë me ngjyrë në SHBA, por që mban mbi supe një karrierë të gjatë si prokurore e Kalifornisë.
“Ajo zgjodhi të refuzonte propozimin për të marrë postin e Prokurores së Përrgjithshme të Amerikës,-shkruan Linda Rama,- pasi, siç rrëfen autorja në libër, ajo kishte një punë që e dashuronte dhe ende pune që prisnin të kryheshin prej saj. Kush e lexon librin, prokurorin do ta donte si zonjën në këtë libër. Për ne shqiptarët, liria e njeriut është arritja e të giitha arritjeve në histori, e cila na bën pjesë të asaj pjese të botës së sotme, ku përtej sfidave e krizave të demokracisë, njerëzit janë të lirë dhe bashkëjetojnë në një rend ligjor që e garanton lirinë e tyre. Por na bën njëkohësisht edhe përgjegjës për të. I shkruar pikërisht me sytë e mendjes te liria, "Të vërtetat që mbartim" është një libër që i jep kohës së lirë mundësi për të reflektuar për lirinë në këtë kohë, duke kaluar përmes jetës dhe karrierës së një gruaje frymëzuese.”
Libri është botuar në SHBA në janar të 2019 dhe përkthimi në shqip doli këto ditë në libraritë e Tiranës.
Kuptohet se publikimi në shqip lidhet me fushatën presidenciale në SHBA. Këtë e pranon edhe Linda Rama që në fillim të parathënies, kur thotë se "Ky libër vjen në gjuhën shqipe në të njëjtën kohë që autorja e tij është njëra prej dy kandidatëve rivalë në zgjedhjet më të rëndësishme dhe më të ndjekura të botës".
Lexo më tej: Julia Roberts u bën thirrje grave: Tradhtojini burrat në qendrën e votimit
Më pas, Linda Rama pranon se ndryshimet që ndodhin në zyrën ovale, ku kërkon të hyjë Kamala Harris, kanë ndikim edhe në zhvillimet në Shqipëri.
"Jo rastësisht për Zyrën Ovale, ku ndodhen karrigia dhe tryeza e punës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përdoret shprehja "zyra më e rëndësishme e botës". Edhe për shqiptarët, ajo zyrë është kthyer prej 34 vjetësh në një pikë referimi të pritshmërive tona nga politika, jo vetëm për zhvillimet jashtë nesh në rajon dhe botë, por edhe për zhvillimet këtu, në Shqipëri" shkruan Linda Rama.
Afërsia me familjen Trump
Më shumë se një dëshirë e papritur për ta shpalosur qëndrimin e saj pro Kamala Harris, deklarata e Linda Ramës ngjan me një vetëkorrigjim të familjes Rama në prag të zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Në muajt kur Trump mori epërsi ndaj Joe Biden, kryeministri i Shqipërisë dha disa prononcime në mediat amerikane ku foli, pa modesti, për mundësinë e të bërit biznes me familjen Trump në Sazan.
Vetëm se disa prej këtyre mediave, si Washington Post apo New York Times kanë raportuar me rezerva mbi natyrën e marrëdhënies së biznesit që ka ndërtuar dhëndri i Trump, Jared Kushner në Shqipëri dhe Serbi, ku autokratë të vegjël si Rama dhe Vuçiç, mezi ç'presin një shans për të pasur kontakte në familjen Trump.
Po kaq të zhurmshme kanë qenë edhe pikëpyetjet që ka ngritur Kryetari i Komitetit të Financave të Senatit, Ron ëyden, një demokrat nga Oregon, i cili kërkon hetim për investimet e Jared Kushner me financim të sheikëve të Arabisë Saudite.
Edhe me Kushner, edhe me Soros
8 vite më parë, Edi Rama u rreshtua pro Hillari Klinton në fushatën presidenciale në SHBA, kur e quante Trump "turpin e civilizimit" apo një "kërcënim për Amerikën".
Edhe pse është e natyrshme që të ketë të preferuarin e tij për garën presidenciale, është në interesin e Ramës, si kryeministër i një vendi të vogël të luajë i baraslarguar, në një përpjekje për marrëdhënie të mira me të dy partitë në SHBA.
Në një forum, disa muaj më parë, kur ishte në Pragë, Rama u pyet se si ia del të mbajë marrëdhënie të mira me dyja palët kundërshtare, Trump dh Biden. Përgjigjia e tij shpjegon edhe dyzimin që sapo ka lindur në familjen Rama për të parë me admirim të dyfishtë si Trump, edhe Harris në këto zgjedhje.
“Jam i vetëdijshëm që përfaqësoj një vend të vogël që ka nevojë për miq. Meqë ra fjala, jam mik edhe me Jared Kushner edhe me Aleks Sorosin. Është një konfrontim edhe më me “kripë”, sesa Biden – Trump" tha Rama.