REAGIMI I MEDIAVE
Gazeta më kritike ka qenë “Daily Mail”, që filloi sulmet që në mëngjesin e djeshëm kur lajmi ishte ende i pa zyrtarizuar. “Një ditë e errët për Anglinë” ishte titulli i faqes së parë të gazetës, që sot e përforcoi më tej me frazën “Më falni, jam gjerman". Referenca është për atë që Tuchel tha të mërkurën gjatë konferencës së tij për shtyp, ku u shpreh në dilemë nëse duhet apo jo të këndonte “God Save the King”, himnin e famshëm anglez. Të kesh një trajner të një kombësie tjetër në krye të ekipit nuk duket bindëse as për gazetën “Mirror”, e cila i ka kushtuar sot faqen e parë trajnerit të ri me titullin “Alf Wiedersehen”. Kjo lojë fjalësh kombinon fjalën “mirupafshim” në gjermanisht dhe emrin e Alf Ramsey, trajnerit që në vitin 1966 drejtoi Anglinë drejt fitores së parë dhe të vetme në Kupën e Botës, duke lënë të kuptohet se ose Tuchel duhet ta fitojë trofeun, ose do të largohet.
Të njëjtin koncept, por të shprehur ndryshe, e paraqet edhe “Daily Telegraph”: “Kjo detyrë do të jetë ose fitore, ose dështim”. Pra, nëse Tuchel ka përsëritur disa herë se dëshiron t’i dhurojë Anglisë yllin e dytë të Kupës së Botës, duket se tani shtypi nuk i lejon atij asnjë rezultat tjetër. “The Guardian”, me titullin “18 muaj për të fituar Kupën e Botës”, ka nisur tashmë numërimin mbrapsht.
MBËSHTETJE "MBRETËRORE"
I vetmi që nuk i referohet trofeut të shumëpritur është gazeta “Metro”, e cila nuk sulmon trajnerin, por thjesht citon një pjesë nga prezantimi i tij i djeshëm: “Do t’ju fitoj zemrën”. Shumë besojnë se Tuchel, nga ana e tij, nuk do t’i kushtojë shumë vëmendje asaj që shtypi do të thotë apo shkruajë, duke u fokusuar ekskluzivisht në fushë, ku mund të marrë edhe disa vendime të vështira. Edhe për faktin se miratimin më të rëndësishëm e ka marrë direkt nga familja mbretërore angleze, që në rrjetin X ka shkruar: “Fat të mbarë, Thomas. Jemi të gjithë me ty”.Exciting times for @England, with a generation of talented players and a new manager taking the reins.
— The Prince and Princess of Wales (@KensingtonRoyal) October 16, 2024
Thomas, wishing you the best of luck, we’re all behind you! W https://t.co/OpLRaYitoL