“Daku dhe Muja janë dy lojtarë që kanë mundësi të marrin minuta në këto dy ndeshje. Janë të fortë dhe mund të na ndihmojnë në këto dy sfida duke pasur parasysh karakteristikat e kundërshtarëve”. Trajneri i Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior, në konferencën për shtyp para sfidave kundër Republikës Çeke dhe Polonisë, ka folur për dy debutuesit. Nuk janë rastësorë, duke parë vlerësimin që ka braziliani Sylvinho, por të përgjedhur enkas në bazë të kundërshtarëve.
BESIM TE INTUITA E VAN BOMMEL
Daku është një qendër e fortë, ndërsa Muja një anësor që mund të bëjë gjithë krahun, madje edhe mbrojtësin. “Njoh trajnerin e Mujës holndezin Van Bommel – tha Sylvinho -. Kemi luajtur dikur bashkë te Barcelona. E lexoj lojën e Mujës, njësoj si trajneri i tij tek Antëerp. Është një lojtar që mund të luajë në disa pozicione, mesfushë dhe sulm. Kësisoj, ai mund të na bëjë shumë punë në këto momente. Është një lojtar që jep shpirtin në fushën e lojës, maksimumin e tij në 90 minuta. Janë lojtarë që mendoj se mund të kenë minuta në këto ndeshje”, sqaroi Sylvinho.
FRIKË NGA SHTATLARTËSIA ÇEKE
25 lojtarë do të jenë nën urdhrat e brazilianit për dy nga takimet më të rëndësishme të kuqezinjve, ku qëllimi i vetëm janë gjashtë pikët për ëndrrën e madhe ‘Gjermani 2024’. Sylvinho i trembet shtatlartësisë dhe fizicitetit të kundërshtarit. Ky është edhe motive përse Amir Abrashin dhe Anis Mehmetin mbetën jashtë në favor të Klaus Gjasulës dhe Odise Roshit. “Sa i përket Abrashit, absolutisht respekti për të është i madh dhe është patjetër në planet tona. Por në këtë ndeshje ne i kemi bërë zgjedhjet duke pasur parasysh kundërshtarët. Për këtë arsye kemi marrë Gjasulën, pasi është një lojtar i gjatë, 1.90 metra. Normalisht në këtë ndeshje na duhen lojtarë që të kenë centimetra në fushë, sa më të gjatë në aspektin fizik. E njëjta gjë edhe për Mehmetin, është një lojtar i ri, është një lojtar që po përmirësohet. Në këtë rast mendoj se zgjedhja e duhur ishte të merrnim Roshin. Ai gjithashtu ka një avantazh sa i përket centimetrave. Ai është një lojtar që mund të ndryshojë edhe ritmin e ndeshjes në momentin që futet në fushë dhe mund të na ndihmojë shumë”.
Lexo më tej: Daku e Muja kuqezi, habit Sylvinho: zbardhet lista e 25 lojtarëve për sfidat me Çekinë e Poloninë
PA LLOGARI
E megjithatë nuk është koha për të bërë llogari, por pikë: “Nuk bëjmë dot llogari në këtë moment, ndoshta i bëjmë në nëntor – tha Sylvinho -. Po punojmë për ndeshjen me Çekinë, jemi 100% të fokusuar te kjo ndeshje. Është një kundërshtar shumë i fortë, ekip fizik dhe kanë lojtarë cilësorë. Ajo që ka rëndësi për mua është të luajmë fort dhe të fitojmë në mënyrë që në nëntor të shkojmë me synimin për t’u kualifikuar. Nëse nuk fitojmë, e rëndësishme është mos të humbasim”.
https://www.youtube.com/watch?v=QS6jmrIteaY