Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike akuzoi kryetaren e Parlamentit sot se me anulimin e Këshillit të Mandateve kishte cënuar hetimin për ish-deputetin Alqi Bllako. Sipas Alibeajt deputetët dhe publiku duhej të shihte sot Bllakon dhe prokurorët në ballafaqim, njësoj si disa vite më parë, Saimir Tahirin.
Por Nikolla thotë se mandati i Alqi Bllakos quhet i përfunduar për shkak të heqjes dorë nga ana e këtji të fundit. Ajo thekson se në këto kushte, sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa e SPAK nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi.
“Z. Alqi Bllako për të cilin është kërkuar dhënia e autorizimit për arrestim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur në Kuvend deklaratën se me dijeni dhe vullnet të plotë dorëzon mandatin e deputetit nëpërmjet heqjes dorës nga ky mandat. Referuar nenit 71, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës, mandati i deputetit z.Alqi Bllako, mbaron për arsye të heqjes dorë nga mandati.Në këto kushte, sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi.
Sa më sipër, është anuluar mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, njoftuar për datën 30.03.2022, ora 18:00.
Çështja për të cilën ju kërkoni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk ekziston më. Për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.