Një mosmarrëveshje me Ramën dhe Veliajn para zgjedhjeve të 30 Qershorit u bë shkak që Blerina Gjylameti të mos shihej me sy të mirë në Partinë Socialiste të Tiranës, e cila gradualisht po kalonte nën kontrollin e plotë të Erion Veliajt gjatë dy viteve të fundit. Megjithëse kaloi një kohë e gjatë, çështja "Gjylameti" nuk ishte harruar nga Veliaj dhe në 25 Prill u pa se për ish-pedagogen e ekonomikut nuk kishte më vend në listat e kandidatëve të PS për Tiranën.
Emri i saj u pa në listën e kandidatëve të Korçës, në zonën e Pogradecit ku Gjylameti tha se kandidoi për hir të origjinës së saj. Por lëvizja nga Tirana, ku ajo kishte punuar më parë ishte një zgjidhje për mosmarrëveshjet me Veliajn, i cili ka pranuar se Rama ishte konsultuar vazhdimisht me të për kandidatët e Tiranës.
Ndërkohë sot, në një postim në Facebook, Blerina Gjylameti ka njoftuar se është rikthyer sërish për të punuar në Tiranë, në njësinë nr.4 që përfshin zonën nga 5 Maji deri tek Bregu i Lumit.
Vendimi për t'i dhënë fund "stazhit" në Pogradec tregon se më në fund, Gjylameti i ka riparuar marrëdhënien me Erion Veliajn. Ose Rama po i çon sinjale Veliajt se në zgjedhjet e ardhshme do të jetë ai që do të lëvizë nga Tirana./Lapsi.al