E gjitha mund të jetë një rastësi, por ditën që flakët pushtuan një nga godinat emblematike të historisë së Tiranës, e njohur për vlerat arkitektonike dhe historinë që bart, kryebashkiaku i Erion Veliaj foli pikërisht për përballimin me sukses të situatës së zjarreve në Tiranë. Gjatë një prej materialeve video që shpërndau sot për mediat, Veliaj thotë se vatrat e hapura u neutralizuan shumë shpejt.
“Në Tiranë jemi ftilluar, nuk e marrim me sportivitet natyrën. Fakti që kemi edhe një rrjet vullnetarësh që na lajmëron sa herë hapet një zjarr, na ndihmon shumë. Deri tani Tirana i ka përballuar mirë. Do shtojmë edhe dy zjarrfikëse të reja për zonat rurale. Kemi pasur një bashkëpunim me ambasadën holandeze, por kam shumë mirënjohje për të gjithë rrjetin e vullnetarëve që kemi vendosur në çdo komunë. Teksa Shqipëria ka pasur shumë sfida, të paktën Tirana i ka shpëtuar, do të thotë që jemi civilizuar”, tha Veliaj.
Veliaj kërkoi kujdes me situatën e zjarreve dhe u bëri thirrje banorëve që të mos u vënë zjarrin kullotave, apo ullishteve, sepse kjo rrezikon mjedisin dhe komunitetin përreth.
[video width="640" height="352" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2021/08/Sarajet-e-Toptanëve-2.mp4"][/video]
Deklarata e kryebashkiakut u transmetua në media disa orë para se zjarri të binte në mes të Tiranës, në një nga zonat më të shtrenjta sa i përket ndërtimeve shumëkatëshe. Sarajet e Toptanëve ishin monument kulture i mbrojtur nga shteti.