Partia Popullore Europiane (e djathta europiane) është shprehur pro hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropia. PPE i ka bërë thirrje Komisionit Evropian dhe gjithë familjes evropiane që të hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Letra është dërguar sot në Komisionin Europian dhe mban firmën e kreut të PPE, Joseph Daul.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim në përputhje me kërkesat për hapjen e këtij procesi. Ndërsa mbetet shumë për të bërë, hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm”, thekson PPE.
Letra e plotë e PPE
“Politika e Zgjerimit të BE-së ka qenë një nga mjetet më të suksesshme për të sjellë stabilitetin dhe paqen në kontinentin tonë. Vendimet që do të merren më pas nga vendet anëtare nuk do të ndikojnë vetëm në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe të kontinentit tonë në tërësi. Është koha për të dërguar një sinjal të fortë dhe për t’i qëndruar besnik angazhimeve tona në rajon. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim në përputhje me kërkesat për hapjen e këtij procesi. Ndërsa mbetet shumë për të bërë, hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm.
Qytetarët, dhe veçanërisht rinia, e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë meritojnë një perspektivë evropiane pasi mbetet një burim motivimi dhe vendosmëri që ato vende dhe rajoni në tërësi të vazhdojnë me reformat e nevojshme për të zbatuar më tej sundimin e ligjit, forcimin e gjyqësorit, luftwn kundër korrupsionit, përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe garantimin e pavarësisë së mediave. Vendimi i javës tjetër është historik dhe vendimtar për të ardhmen e kontinentit tonë. Rruga për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë e gjatë por është një rrugë që duhet të ndërtojmë së bashku, dhe nuk duhet të humbasim vrullin. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë më të afërt; historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. BE nuk do të jetë e plotë derisa rajoni të jetë pjesë e bashkimit tonë”.
Vendimi për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pritet të jepet në mbledhjen e BE në datën 18 tetor.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e negociatave për anëtarësim. Me 395 pro, 188 kundër dhe 16 abstenim, parlamenti gjerman votoi më 26 shtator pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Edhe Bullgaria ka votuar pro çeljes së negociatave.
Deri tani vendet skeptike janë Franca dhe Holanda, të cilat jo zyrtarisht janë shprehur për shtyrjen e vendimit gjatë vitit 2020.