Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas ftesës së OSBE-së për pjesëmarrjen në një tryezë gjithëpërfshirëse me aktorët politikë në vend, për të diskutuar ecurinë e Reformës Zgjedhore.
Basha ka deklaruar se kjo ftesë nuk ka mbërritur ende, ndërkohë që ka vënë në dyshim dobishmërinë e organizimit të kësaj tryeze, pasi sipas tij kjo nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e krizave të tilla.
“Po t'i shikojmë ftesat se ftesat bëhen javë për javë. Do t’i shikojmë, do t’i vlerësojmë, zgjidhja e krizës politike është prioriteti ynë. Natyrisht jemi të angazhuar edhe për reformën Zgjedhore. Por, askush të mos ketë iluzione se zgjidhja e krizës politike kërkon shumë më shumë se sa një tryezë tjetër.” - është shprehur Basha për mediat.
Në mesin e krizës politike dhe institucionale që ka përfshirë vendin prej kohësh, OSBE-ja ka thërrur një tryezë të përbashkët me të gjitha partitë politike në Shqipëri. Kjo tryezë është parashikuar që të mbahet në datën 25 Shtator, ku është e ftuar dhe opozita jashtëparlamentare.