Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi parlamentit shqiptar të mos miratonin 2 koncesionet e ndërtimit të akseve rrugore Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.
Top-Channel publikoi në mënyrë ekskluzive shkresën që KLSH-ja i drejtoi kryeministrit Rama, zv/kryeministrit Erion Braçe, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe Ministres së Transportit dhe Infrastrukturës Belinda Balluku që të tërhiqen nga miratimi i dy koncesioneve.
Organi i lartë i kontrollit shtetëror argumenton se pagesa e 10 milionë € interesa për hua për dy kompanitë koncesionare "Gjikuria sh.p.k." dhe "ANK sh.p.k" do të ketë kosto negative për buxhetin e shtetit, pasi këto hua nuk ekzistojnë.
“Vetëm për kontratën e Milot-Balldrenë, rezultojnë pagesa tepër, të pajustifikuara sipas kontratës dhe të panevojshme 6.1 milionë euro që përbëjnë pasoja negative financiare për buxhetin e shtetit. Për Orikum-Dukat do të paguhen 3.6 milionë euro interesa të panevojshme, që përbëjnë pasoja negative për buxhetin e shtetit’’, - shkruhet në kërkesën e paraqitur nga KLSH-ja.
Kostoja totale e ndërtimit të dy akseve rrugore në fjalë kap shifrën e 281 milionë €. Në seancën e fundit plenare, parlamenti hodhi poshtë 8 dekretet e presidentit Meta, ku midis tyre ishin dhe kthimi mbrapsht i koncesioneve Milot-Balldren dhe Orikum Dukat.