
Për të pestën ditë radhazi, Tirana u bë epiqendra e revoltës kundër qeverisë, duke shënuar ditën më të tensionuar të protestave deri më tani. Plumba gome, gaz lotsjellës, autobotë uji të përfshirë nga flakët, automjete të djegura dhe dhjetëra të lënduar ishin disa nga zhvillimet e kësaj të shtune. Për afro dhjetë orë, kryeqyteti u përfshi nga përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të policisë. Nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, tensionet u zhvendosën në disa zona të Tiranës. Ndërhyrjet policore vijuan deri në mbrëmje, ndërsa të rinjtë dhe qytetarët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta nisi rreth orës 11:00 në Rrugën e Durrësit, përpara Ministrisë së Arsimit. Orët e para kaluan në një atmosferë të qetë, me momente komunikimi mes protestuesve dhe efektivëve. Një i ri ngriti flamurin autokton mbi murin rrethues të ministrisë, ndërsa të tjerë përcollën mesazhe simbolike kundër emigrimit dhe vështirësive ekonomike. Papunësia, pagat e ulëta, qiratë e larta dhe pamundësia për të përballuar jetesën ishin ndër shqetësimet kryesore të protestuesve. Studentët folën për vështirësitë e studimit paralelisht me punën, mungesën e perspektivës dhe problemet në sistemin arsimor.
Lexo më tej: Revolta kundër qeverisë Rama edhe në Korçë, mësuesi u del në krah gjimnazistëve: Ngrini zërin
Por qetësia nuk zgjati. Pas mesditës nisën përplasjet e para në Rrugën e Durrësit. Një pjesë e protestuesve vendosën kangjella dhe pllaka trotuari në rrugë, ndërsa drejt policisë u hodhën gurë dhe mjete piroteknike. Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke shpërndarë disa herë turmën. Si të mos mjaftonte dhuna dhe gazi lotsjellës, policia nisi të përdorë edhe plumba gome. Efektivë përdorën armë me fishekë gome, ndërsa gjatë përplasjeve disa protestues mbetën të lënduar.
Lexo më tej: Policia qëllon me plumba gome drejt protestuesve
Për disa orë zona përpara Ministrisë së Arsimit mbeti në tension. Protestuesit u shpërndanë në rrugicat përreth, por u rikthyen disa herë, ndërsa policia vijoi ndërhyrjet me gaz dhe ujë me presion. Pas katër orësh qytetarët nisën marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me destinacion Kryeministrinë. Atje i prisnin kordone të shumta policore dhe automjete ujëhedhëse. Përplasjet vijuan edhe në bulevard, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve.
Përplasjet vijuan për orë të tëra. Policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome, ndërsa u raportuan edhe shoqërime të protestuesve. Në disa momente, forcat e rendit u tërhoqën dhe më pas u riorganizuan për të ndërhyrë sërish. Gazi lotsjellës u hodh jo vetëm nga forcat e vendosura në bulevard, por edhe nga tarraca e Ministrisë së Brendshme. Në shumë momente, protestuesit u gjendën mes reve të gazit dhe ndërhyrjeve që vinin nga disa drejtime. Një qytetar u lëndua pranë syrit nga një bombol gazi lotsjellës, ndërsa një protestuese tjetër u shtri në tokë pas ekspozimit ndaj spray-t me piper.
Një episod që ngriti pikëpyetje gjatë protestës ishte ai i ambulancave. Protestuesit denoncuan se automjetet e shërbimit të urgjencës po përdoreshin për të furnizuar forcat e policisë me gaz lotsjellës dhe mjete të tjera. Dyshimet shkaktuan reagime mes qytetarëve, të cilët ndaluan dhe kontrolluan një ambulancë të mbërritur për t'u dhënë ndihmë të lënduarve.
Lexo më shumë: Këlliçi ngre akuza ndaj ambulancave të TIMAK-ut dhe Ron Yeffetit
Tensionet u shoqëruan edhe me zjarre në bulevard. Një automjet me targa franceze u përfshi nga flakët pranë Piramidës, ndërsa një prej autobotëve të policisë mori flakë pas hedhjes së mjeteve djegëse.
Përplasjet u zhvendosën më pas drejt Piramidës dhe urës së Lanës. Në terren mbërritën përforcime policore, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektoi nga afër situatën. Një prej momenteve më shqetësuese u regjistrua rreth orës 17:50, kur një protestues i moshuar humbi ndjenjat në zonën pranë Piramidës. Qytetarët e pranishëm iu afruan menjëherë dhe u përpoqën t'i jepnin ndihmën e parë, deri në mbërritjen e ambulancës.
Përshkallëzimi i situatës solli në terren edhe forcat speciale RENEA. Rreth orës 18:45, efektivë të kësaj njësie u dislokuan në zonën e Kryeministrisë, pas orëve të tëra përplasjesh dhe incidenteve të regjistruara në bulevard. Angazhimi i RENEA-s, krahas forcave të tjera policore, solli në vëmendje përmasat e masave të sigurisë të ndërmarra gjatë ditës së pestë të protestave.
Por zhvillimet nuk përfunduan me ndërhyrjet në bulevard. Gjatë mbrëmjes, përplasjet vijuan edhe pranë ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen ambiente të Bankës së Shqipërisë, dhe Gjykatës së Lartë. Në të dyja zonat u regjistruan zjarre, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e flakëve. Incidente u raportuan gjithashtu pranë urës së Piramidës dhe në rrugën “Myslym Shyri”.
Pamje alarmante u raportuan nga sheshi Skënderbej, ku automjete të Policisë së Shtetit u filmuan duke ndjekur nga pas një grup të rinjsh protestues që vraponin për t’i shpëtuar përplasjes. Sipas pamjeve të publikuara, mjetet policore lëviznin në drejtim të turmës, duke krijuar rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve. Nëse këto manovra konfirmohen tërësisht si pjesë e operacionit policor, atëherë kemi të bëjmë me një situatë alarmante, ku mjetet e shtetit përdoren në mënyrë që mund të rrezikojë jetën e njerëzve.
Revolta nuk u kufizua vetëm në kryeqytet.
Në Durrës, dhjetëra të rinj marshuan nga Pallati i Kulturës drejt Mauzoleut të Dëshmorëve dhe Postës Shqiptare. Gjatë protestës u regjistruan dëmtime materiale dhe shoqërime nga policia. Në Elbasan, të rinjtë marshuan duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Një moment i veçantë u regjistrua përpara Bashkisë, ku protestuesit dhe efektivët e policisë shkëmbyen përqafime.
Në Korçë, studentë dhe gjimnazistë marshuan përgjatë pedonales me thirrjet “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”. Protestës iu bashkua edhe një mësues i gjimnazit “Themistokli Gërmenji”, i cili kërkoi që tubimi të vijonte paqësisht. Në Shkodër, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të qytetit, ndërsa policia shoqëroi disa të rinj. Ata u liruan më vonë, mes tyre edhe një fëmijë 10-vjeçar.
Pesë ditë pas nisjes së protestave masive, kërkesa e protestuesve mbetet e pandryshuar: largimi i qeverisë. Ajo që kjo ditë e pestë solli si zhvillim të rëndë ishte bindja se përballë pakënaqësisë qytetare, shteti po zgjedh gjithnjë e më shumë gjuhën e forcës.