
Një përplasje e re mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka shpërthyer për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe energjisë. Të dyja palët kanë dhënë versione të ndryshme mbi situatën në këtë zonë strategjike.
Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, ka hedhur poshtë pretendimet e Gardës Revolucionare iraniane se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur dhe ndodhet nën kontrollin e Teheranit, duke i cilësuar këto deklarata si të rreme.
Sipas CENTCOM, transporti i ngarkesave tregtare dhe furnizimeve energjetike vijon normalisht nëpër këtë korridor. Komanda amerikane theksoi se rreth 20 milionë fuçi naftë të papërpunuar po transportohen aktualisht përmes rajonit.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët rajonalë e kontrollojnë qartë ngushticën”, thuhet në deklaratën amerikane.