Flash

Përmbytje dhe kaos në Kretë/ Një i vdekur, qindra thirrje për shpëtim dhe reshje rekord, ishulli në gatishmëri

Lapsi.al 2 October 2026

Përmbytje dhe kaos në Kretë/ Një i vdekur, qindra thirrje

Kreta vijon të jetë në gjendje gatishmërie për shkak të motit ekstrem që ka goditur ishullin, duke shkaktuar një viktimë, përmbytje të shumta, bllokime të banorëve dhe turistëve, si dhe dëme të konsiderueshme në rrugë, banesa dhe toka bujqësore. Autoritetet kanë paralajmëruar se fenomenet e rrezikshme mund të rikthehen me intensitet edhe më të madh gjatë ditëve në vijim. 

Reshjet kanë qenë jashtëzakonisht të dendura. Sipas të dhënave të rrjetit të stacioneve automatike meteorologjike të Observatorit Kombëtar të Athinës, në Anogia të Rethymnos janë regjistruar 361.4 milimetra shi nga e mërkura, 30 shtator, deri në mesditën e së enjtes, 1 tetor. Për ta kuptuar sasinë, 1 milimetër reshje është i barabartë me 1 litër ujë për metër katror, ose rreth 1 ton ujë për hektar. Situata ka qenë veçanërisht e rëndë në zonën malore të Mylopotamosit, ku uji ka hyrë në banesa dhe rrugët janë mbuluar nga balta. Meteorologia Nikoleta Ziakopoulou e ka përshkruar situatën me shprehjen “Psiloritis ra”, ndërsa sipas saj në Hania kanë rënë rreth 200 tonë ujë për hektar dhe në Lasithi rreth 250 tonë. 

Humb jetën një 79-vjeçar  

Moti i keq shkaktoi edhe një viktimë në Rethymno. Një 79-vjeçar, fermer dhe blegtor, u përpoq të kthehej në banesën e tij në Karines, në Bashkinë e Agios Vasilios, por uji i rrëmbyeshëm e mori përpara pasi një përrua doli nga shtrati. Trupi i të moshuarit u gjet rreth 800 metra larg vathës së tij, i bllokuar nën mbeturina. Në Mylopotamos, disa akse rrugore vijojnë të jenë të mbyllura për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve. Rrugët Livadia-Garazo dhe Veni-Apladiana nuk janë të kalueshme, ndërsa lëvizja në aksin Axos-Livada-Aimonas është shumë e vështirë. Një tjetër incident ndodhi kur një automjet bujqësor me një çift rreth 60 vjeç përfundoi në një shtrat lumi pasi rruga u shemb nën rrotat e tij. Të dy personat u nxorën nga zjarrfikësit dhe u dërguan për trajtim në Spitalin Universitar të Heraklionit.

Situata ka qenë problematike edhe në zona të tjera të ishullit. Lumi Drakouliaris doli nga shtrati në zonën e Malades dhe Finikias, duke bllokuar disa persona. Qendra Operacionale e Zjarrfikësve ka marrë 255 thirrje për ndërhyrje dhe shpëtim. Në Ano Finikia, dy persona u nxorën në siguri pasi automjeti i tyre mbeti i bllokuar nga materialet e sjella nga ujërat. Ndërkohë, në Gouves, lumi Gouvianos doli nga shtrati, duke marrë me vete automjete të parkuara dhe duke bllokuar turistë në struktura hoteliere. Për ndërhyrje u angazhuan edhe ekipe speciale me mjete të rënda.

Përmbytje janë raportuar edhe në Agios Nikolaos, ku disa rrugë u shndërruan në lumenj dhe rrjedhat e ujit krijuan probleme serioze edhe në zonat qendrore të qytetit. Autoritetet greke kanë paralajmëruar se rreziku nuk ka kaluar. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon stuhi të forta në Egjeun jugor, veçanërisht në Kretë, deri në mesditën e së dielës, 4 tetor, ndërsa erërat në Egje mund të arrijnë intensitet shumë të lartë. Për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të dheut, rënies së shkëmbinjve dhe përmbytjeve, autoritetet e Kretës kanë ndaluar deri më 4 tetor kalimin dhe qëndrimin në zonat me rrezik të lartë, përfshirë kanionet, shtigjet natyrore dhe malore, si dhe pjesë të rrjetit E4.

Të këshilluara

Ndryshimet e Ramës “rrezikojnë sterilizimin e SPAK”

Drafti i qeverisë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale pritet me shqetësim nga gjyqtarët dhe prokurorët vendas, të cilët theksojnë se procesi u mbajt sekret dhe rrezikon të pengojë hetimet anti-korrupsion.

23:19 Vladimir Karaj

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

92.03

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI