
Papa Leo XIV ka paraqitur të hënën një vizion të gjerë për mënyrën se si qeveritë, kompanitë dhe shoqëritë duhet të përballen me zhvillimin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale, duke paralajmëruar se teknologjia nuk duhet të lejohet të dëmtojë dinjitetin njerëzor, punën dhe rolin e njeriut në shoqëri.
Qëndrimi i Papës u bë publik përmes një enciklike, një letre të hapur drejtuar “të gjithë njerëzve me vullnet të mirë”, e cila në versionin anglisht ka rreth 42 mijë fjalë. Dokumenti trajton rreziqet që Inteligjenca Artificiale mund të sjellë në punësim, arsim, siguri, mbrojtjen e fëmijëve dhe vendimmarrjen njerëzore.
“Teknologjia nuk duhet parë në vetvete si një forcë kundër njerëzimit”, shkruan Papa Leo XIV. Megjithatë, ai paralajmëron se “ndjekja e fitimeve më të mëdha nuk mund të justifikojë zgjedhje që sakrifikojnë sistematikisht vendet e punës”.
Në letër, Papa kërkon ndërhyrje të qartë të qeverive për të rregulluar kompanitë private që po zhvillojnë Inteligjencën Artificiale. Ai bën thirrje për mbrojtje dhe rikualifikim të punonjësve që rrezikojnë të zëvendësohen nga teknologjia, si dhe për edukim që i ndihmon nxënësit dhe studentët të mendojnë në mënyrë kritike për përdorimin e saj.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet edhe mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet e dhunshme, hiperseksualizuese apo të rreme në internet, të cilat gjithnjë e më shpesh prodhohen ose shpërndahen përmes Inteligjencës Artificiale.
Papa kërkon gjithashtu garanci që vendimet për përdorimin e armëve të mbeten gjithmonë në duart e njerëzve dhe jo të sistemeve autonome të Inteligjencës Artificiale.
Mbi të gjitha, Leo XIV thekson se çdo njeri duhet të ruajë një rol thelbësor në shoqëri. Sipas tij, një shoqëri që garanton punë vetëm për një pjesë të vogël të popullsisë, edhe pse ka zhvillim të lartë teknologjik, rrezikon të krijojë “një paradoks të progresit material dhe regresit antropologjik”, që dëmton themelet e paqes sociale.
Papa e prezantoi dokumentin në Vatikan, në prani të klerikëve, shkencëtarëve, gazetarëve dhe diplomatëve. Në krah të tij ishte edhe Christopher Olah, bashkëthemelues i Anthropic, një prej kompanive më të mëdha në fushën e Inteligjencës Artificiale.
Leo XIV tha se pikëpamjet e tij janë formësuar nga bisedat me shkencëtarë, inxhinierë dhe udhëheqës politikë. Ai e cilësoi dialogun me përfaqësuesit e teknologjisë si një shenjë shprese, duke theksuar se edhe mes dallimeve “mund të dëgjojmë njëri-tjetrin”.
Nga ana e tij, Olah pranoi se kompanitë që zhvillojnë Inteligjencën Artificiale kanë nevojë për udhëzim moral, pasi shpesh veprojnë brenda një sistemi interesash dhe presionesh që mund të bien ndesh me atë që është e drejtë.
“Na duhen zëra moralë që nuk përkulen nga interesat”, tha ai.
Enciklika e re, me titull “Magnifica Humanitas” ose “Njerëzimi i Madhërishëm”, u nënshkrua më 15 maj, në 135-vjetorin e enciklikës së famshme “Rerum Novarum” të Papa Leo XIII, një dokument historik i vitit 1891 që trajtonte të drejtat e punëtorëve në kohën e Revolucionit Industrial.
Me këtë krahasim, Papa Leo XIV synon ta vendosë debatin për Inteligjencën Artificiale në të njëjtin nivel historik me sfidat që solli industrializimi. Ashtu si atëherë, Kisha kërkon që zhvillimi teknologjik të mos kthehet në mjet shfrytëzimi, por të vendoset në shërbim të njeriut.
Në dokument, Papa shkruan se puna nuk është thjesht mënyrë për të siguruar të ardhura, por “një kërkesë e vetë gjendjes njerëzore”, një rrugë drejt pjekurisë, zhvillimit dhe përmbushjes personale.
Ai kërkon “mbrojtjen e mundësive të punësimit dhe rolit të pazëvendësueshëm të individit”.
Letra ndalet edhe te armët autonome dhe rreziku që Inteligjenca Artificiale ta bëjë luftën më të lehtë për t’u nisur dhe më pak të kontrollueshme nga njerëzit. Sipas Papës, kjo bie ndesh me parimin se forca e armatosur duhet përdorur vetëm si mjet i fundit, në raste vetëmbrojtjeje të ligjshme.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e dokumentit lidhet me skllavërinë moderne. Papa Leo XIV kërkon falje për rolin historik të Vatikanit dhe për dështimet e papatit në dënimin e formave të mëparshme të skllavërisë, duke e lidhur këtë reflektim me format e reja të shfrytëzimit në botën moderne.
Dokumenti ka edhe tonin e një platforme politike dhe sociale. Ai flet për nevojën e mbrojtjes së fëmijëve nga ekspozimi i hershëm dhe i pakontrolluar ndaj pajisjeve digjitale dhe rrjeteve sociale, duke përmendur ndikimin negativ që ato mund të kenë te gjumi, vëmendja, emocionet dhe marrëdhëniet njerëzore.
Megjithatë, studiuesit janë të ndarë mbi ndikimin real që ky dokument mund të ketë mbi industrinë e teknologjisë. Disa mendojnë se kompanitë e mëdha të Inteligjencës Artificiale do të detyrohen ta marrin seriozisht, sepse u ofron një kornizë morale. Të tjerë janë më skeptikë dhe besojnë se mesazhi do të ndikojë më shumë brenda Kishës, te klerikët, besimtarët dhe institucionet arsimore katolike.
Në çdo rast, mesazhi kryesor i Papa Leo XIV është i qartë: Inteligjenca Artificiale nuk duhet të zhvillohet vetëm sipas logjikës së fitimit dhe fuqisë teknologjike, por duhet të vendoset nën kontrollin e etikës, përgjegjësisë dhe dinjitetit njerëzor.
The New York Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL