Flash

Pallati mbi kolektor në Tiranë, banorët kërkojnë anulimin e lejes së ndërtimit

Lapsi.al 2 July 2026

Pezullimi i fillimit të punimeve për projektin e ndërtimit mbi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në zonën e Brrylit konsiderohet nga banorët si prova e parë se shqetësimet e tyre nuk kanë qenë të pabazuara. Dokumenti zyrtar i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), i cili konfirmon se punimet janë pezulluar deri në miratimin e projektit teknik nga UKT, sipas tyre tregon se vetë institucionet kanë pranuar se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet për vijimin e ndërtimit.

Dokumenti i AZHT-së, i datës 11 maj 2026, konfirmon se shoqëria ndërtuese është njoftuar për pezullimin e punimeve deri në miratimin e projektit nga UKT, çka bie ndesh me pretendimet se procedurat ishin të përfunduara dhe se projekti mund të vazhdonte normalisht.

Sipas banorëve, me këtë zhvillim bie një nga pretendimet kryesore që u është servirur prej muajsh.

Megjithatë, ata shprehen se ky vendim nuk i qetëson. Sipas tyre, pezullimi është vetëm një masë e përkohshme administrative dhe nuk zgjidh problemin që qëndron te vetë lejimi i ndërtimit mbi një infrastrukturë publike me rëndësi jetike për një nga lagjet më të populluara të Tiranës.

“Nuk kërkojmë një ndalesë të përkohshme që më pas punimet të rifillojnë. Kërkojmë anulimin përfundimtar të lejes së ndërtimit, sepse rreziku për kolektorin dhe për banorët mbetet i njëjtë.”

Për banorët, kjo histori nuk lidhet më vetëm me Brrylin.

“Nuk qenka vetëm bregdeti shqiptar që ngre dyshime. Nuk qenkan vetëm resortet luksoze. Sot po flasim për zemrën e Tiranës, për një lagje të thjeshtë ku jetojnë mijëra familje.”

Sipas tyre, pezullimi i punimeve do të thotë se vetë shteti ka pranuar se mungon një element thelbësor për një projekt që ndërtohet mbi kolektorin kryesor të kanalizimeve të një prej lagjeve më të populluara të Tiranës.

Në fund, ata ngrenë edhe një shqetësim tjetër, që sipas tyre kërkon transparencë të plotë nga institucionet. Banorët thonë se është publikisht e njohur se administratorja e shoqërisë ndërtuese dhe familjarë të pronarëve kanë qenë të përfshirë në politikë, ndërsa administratorja ka qenë kandidate e PSD-së në zgjedhjet parlamentare, parti që ka qenë aleate e qeverisë.

Ata theksojnë se pikërisht për këtë arsye kërkojnë që institucionet të zhvillojnë një proces maksimalisht transparent dhe të pavarur, në mënyrë që të mos mbetet asnjë dyshim mbi ndikimin e mundshëm të lidhjeve politike, si edhe të financimeve të dyshimta në këtë projekt.

“Nuk po mbrohet kolektori. Nuk po mbrohen banorët. Nuk po mbrohet infrastruktura publike. Ndërsa interesi i njerëzve të lidhur me pushtetin, ecën përpara me një shpejtësi që qytetarët nuk e kanë parë kurrë kur bëhet fjalë për zgjidhjen e halleve të tyre.”

Sipas banorëve, rastet e fundit të hetuara nga SPAK përbëjnë një bazë të mjaftueshme për të kërkuar rritjen e transparencës së institucioneve edhe në këtë rast.

“Nëse një qytetar i zakonshëm kontrollohet për çdo kredi, çdo pronë dhe çdo dokument, atëherë me të njëjtin rigorozitet duhet të kontrollohen edhe projektet shumë milionëshe që ndryshojnë fytyrën e qytetit.”

Ata theksojnë se kjo nuk është një nismë e disa individëve, por një reagim i një komuniteti të madh dhe të konsoliduar të Brrylit, ku jetojnë dhe veprojnë mjekë, inxhinierë, ekspertë të ndërtimit, juristë, diplomatë, mësues, punëtorë, pensionistë dhe profesionistë të tjerë të respektuar. Sipas tyre, pavarësisht profesioneve apo bindjeve të secilit, të gjithë ndajnë të njëjtin shqetësim për sigurinë e lagjes dhe mbrojtjen e interesit publik.

Për këtë arsye, banorët bëjnë me dije se po dokumentojnë dhe po mbledhin në mënyrë sistematike çdo fakt, dokument dhe provë që lidhet me këtë projekt. Ata shprehen të vendosur ta ndjekin çështjen në të gjitha institucionet përgjegjëse shqiptare, si edhe pranë institucioneve ndërkombëtare, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e komunitetit të tyre.

Sipas tyre, dosja që po përgatisin po tregon se ajo që ndodhi në Zvërnec mund të përsëritet edhe në zemër të Tiranës.

“Nuk do të presim që kolektori të çahet. Nuk do të presim përmbytjen e lagjes. Nuk do të presim që nesër të dalin komisionet dhe të thonë se ‘do të hetojmë’.”

Në fund, banorët shprehen:

“Ne mbrojmë jetën dhe shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë, kurse AZHT dhe qeveria mbrojnë interesat e grupimeve politike pranë tyre.”

Ata shtojnë se, edhe pse deri më sot i janë drejtuar të gjitha institucioneve dhe kanë marrë, sipas tyre, përgjigje evazive, nëse punimet mbi këtë infrastrukturë të rrezikshme do të vijojnë, pamjet e Zvërnecit dhe Kakomesë mund të përsëriten edhe në mes të Tiranës.

Të këshilluara

ide

Protesta që vrau piktorin dhe prezantoi noterin e krimit

Mjaftoi një muaj marshimi i flamingove për të retushuar në shtypin botëror imazhin e politikanit artist dhe për ti mbivendosur atij portertin e njeriut që lidhi familjen e presidentit të SHBA me një trafikant kokaine

05:06 Andi Bushati

A do prodhojë protesta të njëjtat pasoja si për Vuçiçin?

Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër

09:18 Veton Surroi

MOTI TIRANA

32°c

KËMBIMI EURO

94.03

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI