
Vizita e ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, në Tiranë u shoqërua me deklarata për miqësinë historike mes dy vendeve, vlerësime të jashtëzakonshme për Edi Ramën dhe premtime për zgjerimin e bashkëpunimit. Por përtej gjuhës diplomatike, mediat izraelite raportojnë për një tjetër dimension të marrëveshjes së nënshkruar mes dy qeverive: mundësinë që kompanitë izraelite të lidhin kontrata drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare në një sërë sektorësh strategjikë.
Televizioni izraelit Channel 14 e paralajmëroi vizitën me titullin: “Aleancë strategjike: Gideon Sa’ar do të nënshkruajë një marrëveshje të madhe në Shqipëri”. Në artikull, media izraelite shpjegonte se marrëveshja ndërqeveritare, e njohur si G2G (Government to Government), do të krijonte mundësi të reja për bizneset izraelite.
“Marrëveshja e re do t’i mundësojë qeverisë shqiptare të lidhë kontrata drejtpërdrejt me kompani kryesore izraelite në fusha të ndryshme”, shkruan Channel 14, duke përmendur sigurinë kibernetike, inovacionin, teknologjitë e ujit, energjinë, shëndetësinë dhe bujqësinë e avancuar.
Sipas televizionit izraelit, kjo lëvizje pritet të forcojë ndjeshëm lidhjet ekonomike dhe të krijojë mundësi të shumta për kompanitë izraelite në sektorë kyç të ekonomisë shqiptare.
Të njëjtin informacion e konfirmonte më 11 tetor edhe agjencia izraelite e lajmeve Tazpit Press Service (TPS), e cila raportonte se marrëveshja do t’i lejonte qeverisë shqiptare të kontraktonte drejtpërdrejt kompani izraelite, duke hapur mundësi tregtare në sektorët e teknologjisë, energjisë, menaxhimit të ujit, shëndetësisë dhe bujqësisë.
Sipas interpretimit të palës izraelite, krijon mundësi konkrete për përfshirjen e kompanive private në projekte që mund të financohen nga qeveria shqiptare.
Në deklaratën e përbashkët në Tiranë, ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, konfirmoi nënshkrimin e Marrëveshjes për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, por u përqendrua kryesisht te përfitimet e ndërsjella dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe pa përmendur projekte konkrete.
“Ajo krijon një mekanizëm të strukturuar përmes të cilit vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë dhe tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën”, deklaroi Hoxha.
Në thelb, të dyja palët flasin për të njëjtën marrëveshje, por me thekse të ndryshme. Ministri shqiptar e paraqiti atë si një instrument bashkëpunimi mes institucioneve, ndërsa raportimet izraelite nxorën në plan të parë mundësitë tregtare që u krijohen kompanive të tyre.
Nga ana e tij, Gideon Sa’ar nuk i kurseu vlerësimet për kryeministrin shqiptar. Në deklaratën e përbashkët, ai e cilësoi Shqipërinë një mike të vërtetë të Izraelit dhe kujtoi mbrojtjen që shqiptarët u dhanë hebrenjve gjatë Holokaustit.
“Gjatë holokaustit, shqiptarët i hapën shtëpitë hebrenjve. Kjo ishte besa, kodi juaj i nderit. Shqipëria përfundoi luftën me më shumë hebrenj sesa në fillimin e saj. I vetmi vend në kontinent që e bëri këtë”, deklaroi ministri izraelit.
Por vlerësimet më të forta iu rezervuan Edi Ramës, të cilin Sa’ar e renditi mes udhëheqësve më të rëndësishëm në botë.
“Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Edi Rama, një nga liderët më të mëdhenj në botën e sotme. Fjalët e tij të fuqishme kundër terrorizmit të Hamasit patën shumë ndikim te izraelitët”, u shpreh ai.
Sa’ar solli si shembull të afrimit mes dy vendeve edhe rritjen e turizmit. Sipas tij, numri i vizitorëve izraelitë në Shqipëri është rritur nga rreth 7 mijë në 100 mijë në vit.
“Ka një arsye për këtë, izraelitët ndihen të sigurt në Shqipëri”, deklaroi ministri izraelit, duke e lidhur këtë zhvillim me marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.