
Edhe media ndërkombëtare France 24 i ka kushtuar vëmendje mbështetjes që këngëtarja me famë botërore Dua Lipa i ka dhënë protestave në Shqipëri kundër qeverisë Rama dhe projektit të resortit luksoz në Zvërnec.
Në një artikull të publikuar këtë të martë, media franceze shkruan se artistja e cilësoi lëvizjen protestuese “frymëzuese” dhe shprehu shqetësimin për heqjen e mbrojtjes mjedisore pa konsultim publik.
Artikulli i plotë:
Këngëtarja britanike Dua Lipa deklaroi në një podcast të publikuar të martën se lëvizja protestuese në Shqipëri është “frymëzuese”, ndërsa protestat kundër një resorti të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi qeverinë në Tiranë.
Që nga fundi i muajit maj, në Shqipëri janë zhvilluar protesta kundër ndërtimit të një hoteli luksoz të lidhur me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, brenda një zone të mbrojtur natyrore në bregdetin shqiptar.
Duke folur në podcastin e saj Service95 Book Club, në një bisedë me shkrimtaren shqiptare Lea Ypi, Dua Lipa tha se ndan shqetësimet e protestuesve për mungesën e transparencës së qeverisë në miratimin e projektit.
“Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, u shpreh artistja 30-vjeçare, me prindër shqiptarë nga Kosova.
“Është frymëzuese të shohësh se sa shumë u intereson njerëzve”, tha ajo, duke iu referuar protestave të përditshme.
Këngëtarja shtoi gjithashtu se problemi është qartësisht strukturor dhe se ekziston nevoja për ta rindërtuar sistemin “në një mënyrë që mbështet njerëzit”.
Projekti për resortin u prezantua fillimisht në vitin 2024, por vala e fundit e protestave nisi pasi në fund të muajit maj në plazh u vendosën gardhe me tela me gjemba dhe hynë buldozerët.
Kundërshtimi ndaj projektit është shndërruar në një simbol të pakënaqësisë ndaj korrupsionit të perceptuar, ndërsa protestuesit tashmë kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Komentet e Dua Lipës janë mirëpritur nga aktivistja mjedisore Besjana Gurri, e cila tha për AFP se ato përbëjnë “një mesazh të fuqishëm” për qeverinë shqiptare.
“Jam e bindur se zëri i saj do të ndihmojë që kjo kauzë të marrë më shumë vëmendje ndërkombëtare dhe do të forcojë zërin e qytetarëve që po protestojnë në Tiranë”, u shpreh Gurri.