
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaron se pas akteve të dhunës në Tiranë qëndrojnë organizatorë brenda dhe jashtë vendit. Ai bën thirrje që të rinjtë të mos përdoren në protesta të dhunshme dhe paralajmëron identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.
Prej gati 72 orësh, Tirana po përballet me akte dhune, sulme, zjarrvënie dhe shkatërrime ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private. Në një komunikim emergjent, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se gjatë këtyre ngjarjeve janë plagosur 71 punonjës policie, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
Duke u ndalur te organizimi i protestës dhe personat që, sipas tij, qëndrojnë pas akteve të dhunshme, kreu i Policisë së Shtetit theksoi se organizatorët e vërtetë ndodhen brenda dhe jashtë vendit.
“Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë të rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit”, deklaroi Hita.
Sipas kreut të Policisë, të dhënat mbi personat e ndaluar gjatë dy netëve të para të protestës, sipas deklaratës së tij, nuk mbështesin pretendimin se bëhet fjalë kryesisht për një protestë studentore.
“Fakti është se nga të gjithë të ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme, asnjë nga personat nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë, pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë”, u shpreh ai.
Një pjesë të rëndësishme të mesazhit të tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ia kushtoi mbrojtjes së të rinjve nga përfshirja në akte të dhunshme. Ai u bëri thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përdorimin e nxënësve të gjimnazeve dhe studentëve në përplasje me institucionet.
“Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve”, theksoi ai.
Sipas tij, e drejta për protestë është e garantuar nga Kushtetuta, por ajo nuk mund të shërbejë si justifikim për dhunën, zjarrvënien, grabitjen apo shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Drejtori i Përgjithshëm garantoi mbështetje institucionale për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe kërkoi prej tyre profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri në përmbushjen e detyrës.
Ai deklaroi se çdo person që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë apo ka dëmtuar institucionet dhe pronën do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin. Gjithashtu, ai bëri të ditur se orët shtesë të shërbimit do të njihen dhe kompensohen sipas ligjit.
Në fund të komunikimit, kreu i Policisë iu drejtua drejtpërdrejt personave që, sipas tij, synojnë të imponojnë vullnetin e tyre përmes dhunës.
“Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!
Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim”, përfundoi ai.